Raportimet për probleme gjatë të ashtuquajturit mobilizim të pjesshëm në Rusi janë në rritje. DW ka mbledhur dëshmi nga rusët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut për shkeljet me të cilat përballen njerëzit në fjalë.
Pensionistë, invalidë, njerëz pa përvojë lufte dhe burra që nuk kanë shërbyer ende në ushtri – thirrjet e rekrutimit aktualisht po dërgohen në Rusi edhe për anëtarët e këtyre grupeve. Këtë e konfirmojnë vëzhguesit me të cilët ka folur DW për punën e zyrave ruse të rekrutimit.
Një javë pas fjalimit të Presidentit Vladimir Putin, në të cilin ai urdhëroi të ashtuquajturin “mobilizim të pjesshëm”, mijëra meshkuj janë dërguar tashmë në ushtrinë ruse, e cila ka nisur që nga shkurti një luftë agresioni kundër Ukrainës. Sipas vëzhguesve, rekrutimi aktual, megjithatë, në shumë raste bie ndesh me direktivat e Ministrisë së Mbrojtjes.
Mosrespektimi i moshës
“Vendimi u mor të dielën në mesditë. Në orën 14:00, burri im duhej të paraqitej në zyrën e regjistrimit. Ai ishte regjistruar atje, duhej të dorëzonte dokumentet dhe në orën 17:30 u nis me autobus për stërvitje.” , thotë gruaja e Igorit, 39 vjeç (të gjithë emrat janë ndryshuar në tekst për arsye sigurie). Në bazë të moshës dhe gradës së tij si rreshter rezervë, Igori, i cili jeton në Moskë, as që duhej të ishte mobilizuar. Në të vërtetë, burrat e këtij grupi mbi 35 vjeç nuk preken nga ai që quhet “mobilizim i pjesshëm”. Ministria e Mbrojtjes kishte dhënë udhëzime për këtë menjëherë pas urdhrit të Putinit. Por Igorin e përfshinë, siç i tha gruas së tij, së bashku me rreth 120 persona të tjerë, mosha e të cilëve e kalon atë të lejuar.
Por kjo nuk është e vetmja shkelje me të cilën është përballur Igori. Bashkëshortja e tij raporton se në zyrën e rekrutimit nuk është kryer asnjë kontroll mjekësor, ndërsa ligji “Për Mobilizimin” e detyron të përcaktojë aftësinë për shërbimin ushtarak. Kësaj i shtohet edhe fakti se emërtimi i veprimtarisë së Igorit është ndryshuar. “Në kartën e tij ushtarake shkruhet kalorës i trupave kufitare. Tani Igori thotë se i është caktuar pozicioni i gjuajtësit në artileri”, shpjegon gruaja. Megjithatë, ajo thekson se burri i saj nuk do ta kundërshtojë përfshirjen e tij pavarësisht shkeljeve.
Kthim në vend pas ankesës
Megjithatë, ka edhe raste kur burrat e mobilizuar gabimisht janë dërguar në shtëpi. Kështu ndodhi, për shembull, me një ushtar rezervë pa përvojë lufte. Atë e thirrën kur kishte mbushur moshën 43 vjeç. “Kjo gjë ndodh sepse zyrat e regjistrimit krijojnë kaos në vend dhe dërgojnë njoftime arbitrare. Këtë ma kanë konfirmuar të gjitha linjat telefonike”, thotë e indinjuar bashkëshortja e tij Oksana për DW.
Gruaja nga Moska shkroi ankesa dhe më pas shkoi personalisht në zyrën e rekrutimit. Më pas burri i saj u lejua të kthehej në shtëpi. “Ai tani po kthehet nga qyteti i Serpukhovit,” thotë Oksana. Ajo nuk e di nëse kjo ishte e mundur për shkak të ankesave të saj “në çdo rast” apo nëse dikush në zyrë e vuri re gabimin e saj kur thirri burrin e saj.
Më shumë rekrutë se ç’duhej
Konstantini, një aktor nga Çeliabinski në Uralet juglindore, mendon gjithashtu se punonjësit e zyrës së rekrutimit mund t’i ndryshojnë vendimet e tyre. Ai është njoftuar jozyrtarisht me telefon nga kreu i administratës së fshatit ku është i regjistruar, por nuk banon, se do të merrte njoftimin për rekrutim. Sidoqoftë, Konstantini kishte shërbyer vetëm një vit në ushtri dhe nuk kishte përvojë luftarake. Megjithatë, një ditë pas thirrjes, Konstantini mori një mesazh lehtësues: në fakt atë nuk do ta mobilizonin. “Siç e kuptoj ata kanë mjaft njerëz. Jashtë zyrës së rekrutimit ishte një radhë e madhe. Shoku im kishte marrë një njoftim dhe ishte në radhë, por kur i erdhi radha, i thanë se nuk kishin nevojë për të”, thotë Konstantini.
Ai thekson se edhe po të mos i kishte rekrutuar zyra numrin e burrave që i duheshin, ai nuk do të kishte shkuar atje. “Po do ta dija saktësisht pse do të luftoja, ndoshta do të kisha shkuar atje dhe do ta kisha respektuar thirrjen e rekrutimit. Por atje nuk është si në Luftën e Madhe Patriotike. Në një situatë të tillë, gjithçka ishte e qartë. Situata sot është e çuditshme”, thotë aktori i ri.
Avokati: Mos ndiqni thirrjet
Aleksandër Belik, avokat i “Lëvizjes së kundërshtuesve të ndërgjegjes” ruse, thekson se ka paqartësi midis direktivave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe urdhrit të Putinit. “Asnjë ndryshim nuk është bërë në dekretin e presidentit rus, ai nuk parashikon një kufi moshe për mobilizim”, shpjegon Beliku.
Organizata e tij përballet kryesisht me dy shkelje të ligjit. “Ata kapin këdo që kapin dhe nuk bëjnë kontroll shëndetësor. Kjo do të thotë se bazohen vetëm në aftësitë që janë përcaktuar shumë vite më parë”, shpjegon avokati. Për ata që kërkojnë ndihmë, Beliku këshillon të mos respektojnë thirrjen dhe në vend të kësaj të pranojnë kërcënimin e një gjobe administrative prej 3000 rublasg (rreth 53 euro). Kurse për ata që tashmë janë duke kaluar nëpër trajnime dhe nuk duan të shkojnë në luftë, ai rekomandon të aplikojnë për shërbimin civil dhe të largohen sa më shpejt nga terreni i stërvitjes ushtarake. “Më pas, duhet të bëni ankesë ndaj zyrës së rekrutimit dhe komisionit përgjegjës për mobilizimin”, sqaron Beliku.
Pasojat e para në personel
Ditët e fundit, disa guvernatorë rusë kanë pranuar tashmë shkelje nga zyrat e rekrutimit gjatë “mobilizimit të pjesshëm”. Ata premtojnë se do të merren shpejt me çdo rast dhe do të dërgojnë në shtëpi ata që janë rekrutuar gabimisht.
Në rajonin Magadan, në Rusinë verilindore, komisioneri ushtarak Sergei Baranowski, për shembull, e humbi postin e tij “për shkak të gabimeve të bëra gjatë mobilizimit të pjesshëm”. Kjo është bërë e ditur nga guvernatori Sergei Nosov. Me kërkesën e tij, komanda e Qarkut Ushtarak Lindor dërgoi një komisioner të ri – “një oficer karriere që ka rivendosur rendin në punën e zyrës së rekrutimit”, thotë Nosovi.
Përshtatur nga rusishtja: Markian Ostaptschuk