Shpërthimet tronditën shumë qytete anembanë Ukrainës të hënën, përfshirë sulme me raketa në Kiev për herë të parë pas disa muajsh, disa orë pasi presidenti rus Vladimir Putin e quajti një “akt terrorist” të organizuar nga shërbimet e posaçme të Ukrainës shpërthimin e së shtunës në urën që lidh Rusinë me territorin e aneksuar të Krimesë.
Rostyslav Smirnov, një këshilltar i ministrisë së Brendshme të Ukrainës tha se sipas informacioneve paraprake, të paktën tetë persona u vranë dhe 24 u plagosën në vetëm një nga sulmet në Kiev.
Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se shpërthime u raportuan në lagjen Shevchenko të qytetit, një zonë e madhe në qendër të Kievit që përfshin qytetin e vjetër historik si dhe disa zyra qeveritare.
Lesia Vasylenko, një deputete e parlamentit të Ukrainës, postoi një fotografi duke treguar se të paktën një shpërthim ndodhi pranë ndërtesës kryesore të Universitetit Kombëtar të Kievit në qendër të qytetit.
Gjetiu Rusia shënjestëroi zonat civile dhe infrastrukturën energjetike ndërsa sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan gjithandej Ukrainës, përveç Krimesë së aneksuar nga Rusia, për katër orë rresht.
Gazetarët e agjencisë së lajmeve Associated Press në qytetin Dnipro, panë trupa të shumë njerëzve të vrarë në një zonë industriale në periferi të qytetit.
Mediat ukrainase raportuan gjithashtu për shpërthime në një numër zonash tjera përfshirë qytetin perëndimor të Lvivit që është një strehë për shumë njerëz që ikin nga luftimet në lindje, si dhe në Kharkiv, Ternopil, Khmelnytskyi, Zhytomyr dhe Kropyvnytskyi.
Sulmet e shumëfishta ndodhën disa orë përpara se presidenti rus Vladimir Putin të zhvillojë një takim me këshillin e tij të sigurisë, teksa lufta e Moskës në Ukrainë po i afrohet momentit historik tetëmuajsh dhe forcat ruse përjetuan tërheqje poshtëruese nga fushëbetejat në zonat që po përpiqet t’i aneksojë nga një kundërsulm ukrainas javët e fundit.
Një ditë më parë, Vladimir Putini e cilësoi sulmin në urën e Kerçit në Krime një akt terrorist të kryer nga shërbimet e posaçme ukrainase. Në një takim të dielën me kryetarin e Komitetit Hetues të Rusisë, ai tha se “nuk ka dyshim se ishte një akt terrorist më synim shkatërrimin e infrastrukturës civile jashtëzakonisht të rëndësishme”.
Në mes të sulmeve, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në llogarinë e tij në rrejtin Telegram se Rusia “po përpiqet të na shkatërrojë dhe të na zhdukë nga faqja e dheut”.
Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba shkroi se “taktika e vetme e Putinit është terrori mbi qytetet paqësore të Ukrainës, por ai nuk do ta shkatërrojë Ukrainën. Kjo është gjithashtu përgjigja e tij ndaj të gjithë atyre që duan të flasin me të për paqen: Putin është një terrorist që flet me raketa”, shkroi ai.
voa