Shërbimet e fshehta gjermane kanë kohë që paralajmërojnë për rreziqet nga Rusia dhe Kina, por nuk janë marrë seriozisht nga politika.
Sipas autoriteteve të sigurisë, shoqëria dhe politika në Gjermani i kanë injoruar për një kohë të gjatë paralajmërimet për rreziqet që burojnë nga Rusia dhe Kina. Sulmi rus në Ukrainë, në shkurt të këtij viti, ishte shumë më pak i papritur për vëzhguesit profesionistë sesa ishte për mediat dhe publikun e gjerë. Kjo u deklarua gjatë një dëgjimi publik të përfaqësuesve të lartë të shërbimeve federale të inteligjencës në Komisionin Parlamentar të Kontrollit të Shërbimeve të Fshehta të Gjermanisë. Takimi vjetor me shefat e Shërbimit Informativ Federal (BND), Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) dhe Shërbimit të Kundërzbulimit Ushtarak (MAD) u zhvillua të hënën për të gjashtën herë.
“Paralajmërimet janë injoruar”
Shefi i BND-së, Kruno Kahl, tha se në diskursin publik të dekadave të fundit, fatkeqësisht ka qenë e zakonshme që të “injoroheshin dhe ndrydheshin vazhdimisht kërcënimet reale dhe të hidheshin poshtë paralajmërimet e bëra nga autoritetet e sigurisë, duke i quajtur këto paralajmërime si frikësuese dhe të tepruara”. Ai tha se agjencia e tij kishte paralajmëruar për vite, se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të përdorë forcën për të arritur qëllimet e tij dhe se këto synime nuk kanë ndryshuar.
Kahl tha më tej se Putini kishte arritur në përfundimin se ai nuk do të ishte në gjendje ta bindte Perëndimin përmes negociatave për të njohur interesat ruse të sigurisë ose dëshirën e tij për ta perceptuar Rusinë si superfuqi. Sipas Kahl, në llogaritë e Putinit, kostot e një lufte peshonin më pak se kostot e afrimit të mëtejshëm të Ukrainës me Perëndimin.
Nuk përjashtohet përdorimi i armëve bërthamore
Sipas Kahl, lufta do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm dhe nëse lufta konvencionale vazhdon të dështojë, Putini mund të tundohet të përdorë armë bërthamore “nën-strategjike” për të imponuar një paqe të diktuar. Por ai shtoi se nuk ka nevojë për panik: “Për momentin nuk shohim ndonjë përgatitje për përdorimin e armëve strategjike apo nënstrategjike.”
Edhe presidenti i BfV, Thomas Haldenwang, theksoi se autoriteti i tij e ka parë “shumë kohë më parë” këmbënguljen e madhe strategjike, me të cilën regjimi autoritar në Rusi po punon për të destabilizuar demokracitë perëndimore. Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës ka kohë që e ka nën radar Kremlinin si “aktor agresiv” që përdor “mjete dhe metoda të padrejta”. Ai tha se qysh para dy vjetësh kishte paralajmëruar për një “brutalizim alarmant” të aktiviteteve të spiunazhit rus.
Më 4 prill të këtij viti u bë e mundur t’i jepej një “goditje e ndjeshme” shërbimeve ruse, kur qeveria federale dëboi 40 spiunë të Kremlinit të demaskuar nga BfV: “Këta nuk janë të gjithë”, tha shefi i Organit për Mbrojtjen e Kushtetutës. Sipas tij spiunazhi rus pritet të bëhet “edhe më konspirativ” me sulme kibernetike, si dhe spiunim dhe madje edhe vrasje të kundërshtarëve të regjimit rus që jetojnë në Gjermani.
“Lajme të rreme dhe narrativa pro ruse edhe në Bundestag”
Një “kërcënim në sferën politike” janë gjithashtu fushatat e dezinformimit dhe ndikimit, si dhe “narrativat pro-ruse të përhapura nga autoritetet ruse”, të cilat gjithashtu mund të “bëhen shumë më agresive”. Këtu Rusia përdor të gjitha kanalet e përhapjes së lajmeve të rreme, që kanë potencial të shkatërrojnë demokracinë, tha Haldenwang. Sipas tij këto narrativa dhe lajme të rreme përhapen me ndihmën e “influencuesve” pro-rusë dhe “politikanëve aktivë me lidhje të veçanta me Rusinë, të cilët e përhapin propagandën ruse edhe në Bundestagun Gjerman, qoftë për shkak të bindjeve të tyre, qoftë sepse janë të paguar.”
Dronë spiunimi në Bundeswehr
Presidentja e MAD Martina Rosenberg raportoi se autoritetet e saj kishin vënë re një nivel të lartë spiunazhi rus, qysh “shumë vite” përpara sulmit në Ukrainë. Objekt i spiunazhit janë strukturat e mbrojtjes dhe planet e Bundeswehr-it, industria e armatimeve, ndërkohë edhe dërgesat e armëve në Ukrainë dhe trajnimet stërvitore për ushtarët ukrainas në Gjermani.
Kohët e fundit janë vënë re në mënyrë të përsëritur dronë që fluturojnë në pikat ku Bundeswehr-i zhvillon stërvitje trajnimi. Ushtria gjermane është objektiv i fushatave dezinformuese ruse në shtetet evropianolindore të NATO-s ku ka trupa gjermane, siç janë Lituania dhe Sllovakia. Ka përpjekje për të minuar besimin e popullatës në NATO me lajme të rreme të përhapura enkas.
Kina përbën kërcënim në planin afatgjatë
Si presidenti i BND-së, edhe Haldenwang e bëri të qartë se në planin afatgjatë kërcënimi shumë më i madh për sigurinë gjermane dhe interesat gjermane do të vinte nga Kina: “Rusia është stuhia, Kina është ndryshimi klimatik”, tha ai.
Në planin afatgjatë, një kërcënim i rëndësishëm dhe shqetësues mund të vijë nga Kina që synon të bëhet një fuqi globale, thanë ekspertët. Biznesi, shoqëria dhe politika në Gjermani kanë qenë shumë naivë në këtë drejtim dhe janë bërë “dhimbshëm të varura” nga një fuqi që “papritmas nuk shfaqet aq dashamire”, tha Kahl. Së bashku me BfV, BND është përpjekur për pesë vjet të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet që paraqet Kina në biznes dhe shkencë. Një sukses i parë u arrit në vitin 2019, me një deklaratë skeptike të Federatës së Industrisë Gjermane (BDI) mbi lidhjet ekonomike me superfuqinë e Lindjes së Largët. Por ka “shumë ende shumë mirëbesim dhe naivitet të pajustifikuar në fushën e shkencës”.
Kërcënim nga ekstremizmi i brendshëm
Shefi i Organit të Mbrojtjes së Kushtetutës tha se demokracia në vend rrezikohet edhe nga e djathta e re. Në muajt e ardhshëm do të vërehet se deri në çfarë mase ekstremistët e krahut të djathtë do të arrijnë të shfrytëzojnë protestat për krizën ekonomike dhe inflacionin. Kjo është ende një pyetje e hapur. Në qarqet ekstremiste të majta, të prira për dhunë, po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm anti-militarizmi, sidomos në sfondin e dërgimit të armëve gjermane në Ukrainë. Edhe tërheqja e NATO-s nga Afganistani ka rritur kërcënimin që vjen nga ekstremistët islamistë, tha Heldenwang.
Rosenberg tha se në fokus të autoritetit të drejtuar prej saj është ende lufta kundër ekstremistëve të krahut të djathtë në radhët e ushtrisë gjermane. “Numri i hetimeve në këtë fushë, në periudhën 2020-2021 është rritur nga 574 në 688. Vitin e kaluar janë identifikuar 11 ekstremistë dhe 31 persona “me mungesë besnikërie ndaj kushtetutës”.
dw