Grupi Punues i Këshillit Evropian të BE-së, mblidhet sot në Bruksel për të diskutuar çështjen e heqjes së regjimit të vizave për Kosovën. Pas një muaji nga mbledhja e fundit, Grupi Punues për vizat i Këshillit Evropian rikthehet në një mbledhje dy-ditore që mbahet më 9 dhe 10 nëntor. Deri në fund të këtij vitit procesi i liberalizmit të vizave mund të marrë ndoshta një epilog pozitiv.
Kështu vlerësojnë njohës të integrimeve. Sipas tyre, gjatë muajit nëntor e dhjetor mund të merret vendim që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave.
Muaji nëntor dhe dhjetor mund të jenë vendimtarë për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Më konkretisht me 9 dhe 10 nëntor mblidhet Grupi Punues për Viza, i cili pas takimit pritet t’ia rekomandojë Këshillit Evropian vendimin për çështjen e vizave. Ndërkaq, njohës të çështjeve integruese për Radio Kosovën shprehen optimistë që këtë vit qytetarët e Kosovë do të sigurojnë lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Profesori i negocimit, Valon Murtezaj, thekson se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe sipas tij, tashmë liberalizimi duhet të ndodhë.
“Tani janë duke u bërë konsultime ndërmjet qeverive, dhe besoj që ky proces do të marrë një konkludim pozitiv edhe për një arsye madhore, sepse Kosova ka kohë që i ka plotësuar të gjitha kriteret teknike. Është e padrejtë që qytetarët e Kosovës të mos mund të lëvizin në zonën Shengen”, ka thënë Murtezaj.
Analisti politik, Blerim Burjani, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të marrë vendim në favor të Kosovës, pasi lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës nuk mund të lidhet me asnjë temë tjetër, qoftë edhe rrjedha e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Lëvizja e lirë nuk duhet të jetë problem politik ose të pengohet me çështje të tjera, si p.sh rrjedhja e dialogut apo zgjidhje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, politikat e BE-së nuk duhet t’i përziejnë këto tema siç është lëvizja e lirë me tema të tjera politike që nuk janë të lehta për zgjidhje”, ka deklaruar Burjani.
Çështja e liberalizimit të vizave ka mbetur peng për më shumë se tri vjet, për shkak se ka pasur shtete skeptike për sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës, duke argumentuar se nuk ka ardhur ende koha për një gjë të tillë. Ndërkohë, dy institucionet e tjera të BE-së, që kanë rol në vendimmarrje, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, kanë shfaqur mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe ka rekomanduar që të hiqen vizat për qytetarët e saj.
rtk