Kryeparlamentari Talat Xhaferi ka caktuar për sot (13.02) seancën për riformësimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut bazuar në planin e dorëzuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Plani i kryeministrit Kovaçevski vjen si rezultat i arritjes së marrëveshjes nga LSDM-ja me Aleancën për Shqiptarët, për futjen e kësaj të fundit në qeveri. Partia Alternativa që ishte pjesë e koalicionit qeveritar ka njoftuar se do të dalë nga qeveria për të kaluar në opozitë. Kjo u bë e dituar nga kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i cili ka thënë se LSDM-ja e ka shkelur marrëveshjen me të cilën ata u bënë pjesë e qeverisë, sepse nuk ka implementuar as marrëveshjen politike dhe as atë për kuadrot.
“LSDM nuk e mbajti premtimin edhe pse Alternativa u bë pjesë e qeverisë kur shteti ishte në situatën më të rëndë. Me shumicën e re rrezikohet rëndë e ardhmja evropiane dhe ndryshimet kushtetuese, por në rast se ka një nismë për të ndryshuar Kushtetutën, Alternativa do të mbështesë ndryshimet”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.
ASH rikthehet në Qeveri
Aleanca për Shqiptarët ka tetë deputetë dhe me përfshirjen në qeveri do t’i krijojë stabilitet qeverisë aktuale që përbëhet nga LSDM, BDI dhe disa parti më të vogla. Hyrja e ASH-së në qeveri ka shkaktuar më shumë pakënaqësi tek Alternativa pasi të gjitha ministritë që udhëhiqte ajo tani kanë kaluar tek Aleanca për Shqiptarët.
“Futja e Aleancës për Shqiptarët në qeveri është e bazuar në parimet e demokracisë së brendshme dhe të demokratizimit të shoqërisë, në një kohë kur Maqedonia e Veriut përballet me kriza të shumëfishta, që të gjitha përcaktuese për orientimin pro-perëndimor të vendit. Aleanca për Shqiptarët po merr përgjegjësinë si parti shtetëndërtuese”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
LSDM: Me shumicën e re parlamentare më shumë stabilitet politik
LSDM-ja përmes një kumtese ka njoftuar se me zgjerimin e qeverisë, përkatësisht me pjesëmarrjen e Aleancës për Shqiptarët në qeveri, kanë siguruar shumicën për reforma dhe stabilitet politik të vendit.
“Shumica parlamentare do të punojnë me përkushtim për integrim të përshpejtuar evropian”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.
Krahas proklamimeve të shumta se shumica e re parlamentare do të ketë 72 deputetë sipas të gjitha gjasave me daljen e Alternativës në opozitë, shumica parlamentare do të numërojë 69 deputetë, numër ky që nuk mjafton për ndryshimet kushtetuese që janë kusht për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
VMRO: Përbërja e re qeveritare nuk do të sjellë as reforma, as përparim
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në takimin koordinues me grupin parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për Rindërtim të Maqedonisë, ku është diskutuar për rikonstruktimin e qeverisë ka konstatuar se zgjidhjet kadrovike për përbërjen e qeverisë janë rezultat i koalicionit “tregëti” ku interesi primar nuk është përparimi i shtetit, por interesat e biznesit dhe ambiciet personale të personelit.
“Vetë zgjidhjet që janë propozuar tregojnë se qeveria menaxhohet nga BDI dhe Ahmeti, ndërsa Kovaçevski është shërbëtor i interesave të tij. Derisa Ahmeti dhe BDI po shkrijnë dhe zhvlerësojnë opozitën shqiptare, Kovaçevski dhe LSDM-ja po paguajnë për planin e Ahmetit”,tha Hristijan Mickovski kryetar i VMRO-DPMNE-së. Sipas VMRO-DPMNE, kjo përbërje qeveritare nuk do të sjellë as reforma e as përparim, por krim, tenderë në hije dhe thellim të krizës.
Kundër përbërjes së re qeveritare janë shprehur edhe dy deputetët e BDI-së Izet Mexhiti dhe Merita Koxhaxhiku si dhe deputeti i pavarur Kastriot Rexhepi.
“Nuk mund të pretendojmë që i bashkojmë shqiptarët në frontin evropian kur po e përçajmë vetë subjektin apo shtëpinë tonë, andaj është e qartë se është një aleancë për interesa, aleancë e pazareve dhe për të heshtur zërin ndryshe”, deklaroi Izet Mexhiti, deputet i BDI-së.
dw