Turqia dhe Siria goditen nga një tjetër tërmet; sërish viktima dhe të plagosur

AntakyaNjë tërmet me magnitudë 6.4 goditi të hënën rajonin kufitar mes Turqisë dhe Sirisë duke vrarë 3 persona dhe duke plagosur mbi 200 të tjerë, më pak se dy javë pas tërmetit masiv që vrau dhjetëra mijëra njerëz, njoftuan autoritetet. Ndërtesa të tjera u shembën, duke zënë nën vete disa persona, ndërsa shumë të plagosur u regjistruan edhe në vendin fqinj, Sirinë.

 

Dy dëshmitarë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se tërmeti shkatërroi ndërtesat në qendër të qytetit Antakya, dhe shkaktoi dëme në qytetin Defne, në provincën Hatay, e cila u godit rëndë nga tërmeti i madh i 6 shkurtit. Tërmeti më i fundit u ndie edhe në Siri, Jordani, Qipro, Izrael, Egjipt dhe Liban dhe u pasua nga lëkundje të tjera prej 5.8 ballësh.

Qendra Sizmologjike Evropiane e Mesdheut tha se epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi prej 2 kilometrash.

Dëshmitarët thanë se ekipet turke të kërkim-shpëtimit tashmë janë dislokuar në rajon për të ndihmuar njerëzit.

Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu tha se tre persona u vranë dhe 213 u plagosën. Përpjekjet e kërkim-shpëtimit ishin duke u bërë në tre ndërtesa të shembura, ku gjashtë persona besohej të ishin të bllokuar.
Në Hatay, policia shpëtoi një person të bllokuar brenda një ndërtese trekatëshe dhe po përpiqej të arrinte tek tre të tjerë të mbetur brenda, raportoi televizioni HaberTurk. Kanali televiziv tha se ndër të bllokuarit ishin punëtorë që ndihmonin njerëzit të zhvendosnin mobiljet dhe sendet e tjera nga ndërtesa që u dëmtua nga tërmeti masiv.
Agjencia shtetërore e lajmeve siriane, SANA, raportoi se gjashtë persona u plagosën në Aleppo nga rënia e mbeturinave. Helmetat e Bardha, organizata e mbrojtjes civile të Sirisë veriperëndimore, raportoi për më shumë se 130 lëndime, shumica e të cilëve janë jashtë rrezikut për jetën, përfshirë raste me fraktura dhe raste të njerëzve që kishin humbur ndjenjat nga frika, ndërsa një numër ndërtesash në zonat e dëmtuara tashmë nga tërmeti u shembën.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>