“Ndryshimet kushtetutese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën maqedonase, si popull shtet-formues duhet të miratohen… shqiptarët do ta mbështesin në tërësi identitetin maqedonas” deklaroi lideri i BDI z. Ali Ahmeti në takimin e kryeministrit shqiptar z. Edi Rama, me krerë të të partive politike shqiptare nga “Maqedonia e Veriut”, më 10 janar 2023.
Por z. Ali Ahmeti nuk është kreu i vetëm i partive politike shqiptare që mbështet identitetin “maqedonas” të bashkëqytetarëve të tij sllavë, në dëm të interesave të bashkëqytetarëve të tij shqiptarë, të cilët kushtetuta e vendit i konsideron si pakicë e ardhur!
Kështu, z. Arben Taravari votimin e ndyshimeve kushtetutese, si kusht për hapjen e negociatave me BE, e konsideron si “një mundësi shumë të mirë për afirmimin ndërkombëtar të identitetit maqedonas”. Ndërsa, kërkesën e shqiptarëve për të drejtën e tyre të pamohushme dhe të domosdoshme për “riorganizimin dhe ridefinim të shtetit” e konsideron si “frustracion” i cili mund të paraqitet vetëm në rast të “rezikimit të perspektivës evropiane”.
Ndërkohë qëndrimi i partive Alternativa dhe Besa, tani më dihet qartë – historia e shqiptarëve fillon me Perandorinë Osmane dhe konvertimin në fenë islame. Ndaj nuk janë të interesuar fare për të kaluarën e vjetër, “të pafe” të shqiptarëve!
Gjetjet arkeologjike të shumta përfshirë edhe këto të ditëve të fundit, që dëshmojnë për Shkupin kryeqendër të Dardanisë, bien ndesh me projektin sllav të identitetit “maqedonas”, që Shkupin e konsideron kryeqytetin e shtetit komb të “Maqedonisë (së Veriut)” dhe shqiptarët pakicë në këtë shtet. Ndaj keto gjurmë arkeologjike dhe këto site arkeologjike duhet të zhduken nga faqja e dheut dhe te zëvendësohen me pallate moderne dhe asfallt që mbulon historinë e vjetër – të vërtetë dhe tregon vetëm historinë e re – atë të mashtrimit dhe përvetësimit.
Lufta për legalizimin e identitetit “maqedonas” të përvetësuar nga sllavët, e maskuar me “perspektivën evropiane të shtetit” është “kauza” politike e partive shqiptare, që sqaron heshtjen e tyre gjatë këtyre ditëve, dhe angazhimin e tyre prej mercenarëve që kanë marrë detyrat nga padroni, në këmbim të privilegjeve që u jep pjesëmarrja e në pushtet.
Heshtin edhe institucionet e shtetit shqiptar, të zhytyr në krim dhe korrupsion, në vazhdimësi të sjelljes së pushtetit monist, që në mbrojtje të ideollogjiive internacionaliste, shqiptarët jashtë kufirit i la në mëshirën e sllavëve.
E Kosova, shpresojmë që mos të harrojë se kryeqyteti i Dardanisë nuk është në Kosovën e Ahtisarit, por në Shkupin e shqiptarëve të “Maqedonisë”!
Afrim Fanda