Shukrije Gashi, drejtoreshë e Organizatës për Menaxhimin e Konflikteve, tha se përçarjen e popullit kosovar nuk ka arritur ta bëjë Serbia, por këtë sipas saj, e ka bërë islami politik.
Ajo tha në Konfrontin e KTV-së të mërkurën, se përçarja e popullit nisi nga grupe të islamit politik që i kushtëzonin të rejat kosovare për mësimin e gjuhës angleze ose të shkathtësive kompjuterike me vendosjen e mbulesës.
“Fenomeni jo i mirë, islami politik, jo islami siç ka qenë tradicional në Kosovë, por fillesat e islamit politik datojnë që nga vitet e 90-ta, d.m.th, viti 1992-93 e tutje, por ato kanë qenë më shumë nën rrogoz, s’kanë qenë shumë në sipërfaqe. Fillet e para kanë qenë në emër të organizimit të kurseve për shkathtësi kompjuterike dhe gjuhë angleze. Pastaj, më vonë, pasluftës është masivizuar sepse mbulesat e para, format çfarë i shohim sot, kanë filluar atëherë. Ka qenë e kushtëzuar, mundesh me ndjek një kurs të gjuhës angleze ose shkathtësi kompjuterike, por në të njëjtën kohë janë kushtëzuar që të mbajnë shami dhe mbulesa të tjera, që tash janë me të madhe”, deklaroi Gashi.
Sipas aktivistes për të drejtat e njeriut, mbulesa për gratë mund të jetë e drejtë si vullnet i lirë, por jo nëse ka agjendë nga mbrapa.
Ajo theksoi se në kohën e luftës, nuk diskutohej kjo çështje pasi të gjithë ishin të mobilizuar për çlirim, ndërsa sipas Gashit, paslufta i shkaktoi përçarjet.
“Kur ishim bashkë, të gjithë gra e burra dhe kauzë e kishim çështjen e çlirimit kombëtar, s’ka mundur të zë vend aspak, por dikush tjetër, është kujdesur që ta shkaktojë thyerjen. Vite të tëra ose me dekada, s’ka arritur ta shkaktojë Serbia, që e ka pasur qëllim, përçarjen në popull. Dhe këtë e realizoi pas lufte kur me pranverën arabe filloi edhe procesi i masivizimit të këtij fenomeni, në emër të përkrahjes së zërave për liri e çlirim. Në fakt, ndodhi e kundërta”, tha Gashi.
Drejtoresha e Organizatës për Menaxhimin e Konflikteve tha se kultura arabo-aziatike ka veshje tipike tradicionale.
“Në të gjithë ata që janë koshient, dhe që e njohin kulturën dhe traditën arabo-aziatike, e dinë që këto veshje tipike, karakteristike që janë, ato janë tradicionale. Kurse myslimanizmi vendor ka qenë tradicional dhe ne jemi të gjithë të vetëdijshëm që gjyshet tona, nënat kanë bërë çmos që t’i heqin ferexhet, shamiat dhe të integrohen si një popull normal”
koha