BE njofton zyrtarisht Kosovën për masat ndëshkuese

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep BorrellKryeministri Albin Kurti i quajti masat ndëshkuese të BE-së të padrejta, por tha se Kosova nuk mund të bëjë kompromis as me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit.

 

Bashkimi Evropian e njoftoi zyrtarisht qeverinë e Kosovës për masat ndëshkuese ndaj saj, për shkak se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. BE-ja ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara për diskutimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Pezullohen fondet e programit IPA 2024

Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të programit IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WIBF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor”, – tha zëdhënësi i BE-së.

Sipas BE-së për këto masa qeveria e Kosovës është njoftuar më 28 qershor.Masat janë të revokueshme në varësi të zhvillimeve dhe të vendimeve të kryeministrit Albin Kurti. Bashkimi Evropian po monitoron gjithashtu nga afër edhe përmbushjen e kërkesave ndaj Serbisë.

“Ne nuk mund të përballojmë paqëndrueshmëri, tensione dhe dhunë. Ne kemi dënuar dhunën dhe vazhdojmë thirrjet për shpërshkallëzimin e menjëhershëm nga të dyja palët”, tha zëdhënësi i BE-së. Sipas tij, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ishte shumë e qartë: Shtensionimi i situatës në veri, zgjedhjet e reja në ato komuna dhe rikthimi në dialog. Këto janë tri pikat e përmendura edhe nga Samiti i BE-së që u mbajt dy ditë më parë.

Kurti: Masat e BE-së për Kosovën të padrejta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i quajti të padrejta masat e BE-së për Kosovën, duke thënë se “Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit”.

“Këto nuk janë sanksione, është e vërtetë që janë masa të përkohshme, por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutivi më demokratik pro-evropian dhe progresist. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë, ku ka shkaktuar katër luftëra”, – tha Kurti.

Shpresë që masat e përkohshme nuk do të zgjasin shumë

Sipas Kurtit megjithatë qeveria e Kosovës do të vazhdojnë me zbatimin e programit qeveritar: “Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj.”

Kryeministri Kurti tha se “Kosova është e gatshme dhe e interesuar shumë më tepër sesa Serbia për normalizim me njohje de facto në qendër, për njohje reciproke, por gjithashtu jemi të interesuar dhe të gatshëm për deeskalimin e gjendjes për çfarë unë kam folur edhe publikisht në të gjitha gjuhët që i di, në mënyrë që të kemi paqe e qetësi në veri të Kosovës, por edhe Kosova e Serbia si dy shtete të ndërtojnë fqinjësi të llojit evropian”, është shprehur Kurti.

Opozita kritikon ashpër Kurtin

Partitë politike opozitare e kritikuan ashpër kryeministrin Kurti për qasjen e tij ndaj komunitetit ndërkombëtar. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se “sanksionet ndaj Kosovës janë avancim për Serbinë. Si qenka kjo fitore për ne? Teksa ne përjashtohemi nga programet ushtarake me NATO-n; Serbia vazhdon misionet paqeruajtëse me ta. Teksa ne humbasim nga programi 7.5-miliardësh për zhvillim digjital, shtetet e rajonit ecin me hapa të mëdhenj.”

Sipas tij “Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bënë dot Kosovën shtet evropian. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani. Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”, thotë në reagimin e tij, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Haradinaj kërkon shkarkimin e Albin Kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se “masat e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e ShBA-së, e dëshmojnë se sa e rrezikshme është gjendja”. Prandaj ai thotë se “mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!”.

“I vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit, shkroi Haradinaj, duke theksuar se “Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, dhe veprimet e saj  dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë. Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie”, shkroi Haradinaj.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale. Serbët lokalë po protestojnë që nga ajo kohë duke mos njohur kryetarët shqiptarë në komunat  e tyre. Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja po kërkojnë vazhdimisht shtensionim të situatës në veri duke kërkuar veprime nga qeveria e Kosovës, që janë: zgjedhjet e reja në katër komunat veriore të Kosovës dhe rikthimi i palëve në tryezën e dialogut.

DW (rtr, bbc, dpa, ap, afp)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>