Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të shtunën se ish nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiç që mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.
“Pas sulmit terrorist e kriminal, Milan Radoiçiç u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Radoiçiç po mban takime të rregullta me zyrtarë të lartë të Shërbimit sekret serb BIA, në ambientet e firmës Jablanovica në Rashkë ngjashëm me ato të Novi Pazarit po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiç dhe grupi i tij. Po realisht në këtë ndërtesë strehohen disa nga pjesëtarë e grupit terrorist “Mbrojtja civile” që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës”, tha ai.
Kryeministri Kurti i bëri këto komente gjatë një konference shtypi, por pa dhënë dëshmi, për pohimet e tij rreth një sulmi të mundshëm.
Me 29 shtator Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur për sulmin ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri më 24 shtator me ç’rast u vra një oficer policie dhe tre nga sulmuesit.
Kryeministri Kurti tha se njëkohësisht një grup prej rreth 80 personash të gjithë të larguar nga Kosova kanë vazhduar stërvitjet në afërsi të Rashkës, një qytet në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajperist. Gjatë muajit nëntor të 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut me qëllim marrjes së vilës së Radoiçiçit në brigjet e liqenit të Ujmanit por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se plani paraprak për sulme hakmarrëse ndaj policisë së Kosovës ka ndryshuar pas shtimit të patrullimit të përbashkët mes policisë dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë. Ai tha se institucionet e Kosovës në bashkërendim me aleatët po angazhohem për të ofruar siguri për qytetarët pa dallim.
Zyrtarët serbë hodhën poshtë pohimet e kryeministrit Kurti përmes drejtorit të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, i cili tha se deklaratat e tilla synojnë “kriza të reja për të hequr vëmendjen nga gjendja e keqe ekonomike dhe situata e rëndë në mjediset shqiptare në Kosovë”.
Ai hodhi poshtë çdo mundësi që Beogradi po përgatitet për ndonjë sulm. “Nuk ka stërvitje në terrene, është një mënyrë për të shmangur detyrimet që ka në dialog, sepse tani është koha kur duhet të flitet për hapat konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe” u tha ai medieve në Serbi.
Nuk pati ndonjë reagim nga forcat paqeruajtëse të cilat kanë shtuar praninë e tyre në terren pas sulmit të 24 shtatorit i cili nxiti përpjekje të reja të diplomacisë perëndimore për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi në bazë të një marrëveshjeje që u arrit në muajin shkurt në Bruksel dhe për rrugët e zbatimit të së cilës palët u pajtuan në Ohër në muajin mars.
Diplomacia perëndimore po kërkon nga Kosova të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.
Me 14 dhjetor Serbia tha se marrëveshja konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshihet njohja de facto apo de jure e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha sot se Brukseli si ndërmjetës duhet të krijojë siguri ligjore, politike dhe diplomatike të marrëveshjes dhe procesit në tërësi dhe sipas tij nënshkrimi është garanci për një gjë të tillë.
“Ne kemi nevojë për një adresim të Brukselit për shkeljet e vazhdueshme që kulmuan me letrën e kryeministres (Ana) Bërnabiç. Kot flitet për draft statut kur e ki atë letrën e Bërnabiçit. Ajo po thotë se pranoj pavarësinë e Kosovës, nuk ka ulëse në OKB dhe nuk ta respektojë të ashtuquajturin integritetin territorial. A e din çka do të thotë kur kryeministrja e vendit fqinj të thotë nuk ta respektojë të ashtuquajturën integritet territorial, kjo është paralajmërim i agresionit, ky është thelbi i gjësë”, tha ai.
Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se marrëveshja është e detyrueshme për të dyja palët dhe këshilli i ministrave të bllokut i ka kërkuar Komisionit Evropian përfshirjen e saj në kuadrin negociues të Serbisë për anëtarësim dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve.
voa
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Urdhri për sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator të këtij viti, i planifikuar dhe organizuar nga shteti serb, u ishte kumtuar një ditë më herët, pra saktësisht para tre muajve, në mjediset e kompanisë “Novi Pazar Put”. Automjetet, armët dhe i gjithë arsenali i përgatitur dhe përdorur në Banjskë, ishin të përqendruara në këtë lokacion.
Kjo kompani, e cila është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është pronë e vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq. Ndërsa drejtor është një kolonel i pensionuar i ushtrisë serbe, Aleksandar Grboviq, me pseudonimin “Grba”. Ai ka marrë pjesë në luftërat e Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i burgut të Nishit për pesë vjet, dhe kryetar i komunës së Pozhegës në vitin 2008.
Një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë-Novi Pazar me gjatësi 18 km. Gjatë vizitës, ai e kishte lavdëruar punën e drejtorit dhe i është referuar atij si “njeriu më i shpejtë nga të gjithë shoferët”. Ai e përgëzoi edhe shpejtësinë e punës, për rrugën e cila u përurua tre muaj para kohe me nxitim.
Presidenti i Serbisë, nga aty deklaroi që e ka të vështirë të gjejë zgjidhje kur flet me njerëzit nga Prishtina, duke menduar për mua, të cilët sipas tij po kërkojnë arsye për konflikte e sulm ndaj popullatës serbe. Ai akuzonte për sulm, sepse po përgatitej për sulm, gjë që ndodhi me 24 shtator.
E pas sulmit terrorist e kriminal, Millan Radoiçiq, u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të shërbimit sekret serb – BIA. Ambientet e firmës “Jablanovica” në Rashkë, ngjashëm me ato të “Novi Pazar Put”, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Por, realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa nga pjesëtarët e grupit terrorist “Mbrojtja Civile”, që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës, e të cilët instruktor e kanë Uglesha Jarediqin. Paramilitarët e Radoiçiqit po strehohen pra në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik, dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2.000 euro në muaj. Deri në shtator të këtij viti, ato janë shfrytëzuar nga turistët me qira. “Qendra për Ekologji dhe Zhvillimin e Sportit”, që gjendet në brigjet e liqenit të Ujmanit dhe Hotel “Rajska Banja”, që gjendet në afërsi të Manastirit të Banjskës, janë dy pika tjera që janë përdorur nga Radoiçiq, e të cilat janë ndërtuar me fonde të Qeverisë së Serbisë. Njëra ishte vizituar nga Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, e tjetra nga Kryeministrja Ana Bërnabiq.
Njëkohësisht, një grup prej rreth 80 personash, të gjithë të larguar nga Kosova, kanë vazhduar ushtrimet në poligonin “Zimovnik”, në afërsi të Rashkës. Ky poligon për nga madhësia radhitet menjëherë pas atij në “Pasuljanke Livade”, dhe aty ushtria serbe kryen ushtrime ushtarake të ndryshme, përfshirë edhe gjuajtje me tanke, për shkak të hapësirës së gjerë që ka rrotull. Trajnimet drejtohen nga ushtarakë të pensionuar serbë, të cilët kanë grada të larta, si gjeneral, kolonel e nënkolonel, dhe të cilët kanë njohuri shumë të mira për Kosovën pasi që mbase edhe kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së luftës te ne. Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajperistë. Gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut, me qëllim “marrjen” e vilës së Radoiçiqit në brigjet e liqenit të Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht, për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi.
Plani paraprak për sulme hakmarrëse ndaj Policisë së Kosovë, kemi marrë vesh se ka ndryshuar, pas intensifikimit të patrullimit të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë dhe masave të tjera të ndërmarra nga ne.
Ndërkaq në poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, i cili gjendet afër Sijenicës në rajonin e Sanxhakut, kanë rifilluar ushtrimet e një grupi prej 60 pjesëtarëve të grupit terrorist “Mbrojtja Civile”, të cilët kanë qenë pjesëmarrës edhe në sulmin terrorist në Banjskë dhe vlerësohen si personat më të besueshëm të Radoiçiqit dhe të shtetit serb. Ky grup, kishte planifikuar sulme ndaj policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, në lokacione kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative. Për këtë qëllim, raportohet të ketë pasur lëvizje edhe nga ushtria e Serbisë, e cila ka stacionuar ushtarë të saj në disa pika në afërsi të kufirit me Kosovën, në lokacione ku parashiheshin këto sulme.
Pjesëtarët e grupeve terroriste që kanë ikur nga veriu, janë grumbulluar edhe në një vend tjetër të quajtur Goç, një bjeshkë afër Kralevës, ku është e vendosur njëra ndër bazat më të mëdha të xhandarmërisë serbe në rajon.
Gjithashtu, ka pjesëtarë të grupeve terroriste të armatosur e të uniformuar me veshjet e njëjta që i kanë pasur gjatë sulmit në Banjskë, të cilët po qëndrojnë afër lokacionit “Banja e Novi Pazarit”, rreth 10 km në afërsi të kufirit me Kosovën, dhe po patrullojnë hapur në zonat përreth. Ata posedojnë armë, përfshirë antitank, motorë me katër rrota tërheqëse dhe mjete të tjera transportuese.
Një arsenal armësh po duket që fshihet në një hotel në Banjë të Novi Pazarit, rreth 25 km distancë nga pika kufitare në Jarinje. Kjo hapësirë besohet se është në pronësi të grupit terrorist që ka marrë pjesë në sulmin e Banjskës. Aty ka të fshehura armatim të ngjashëm që është përdorur gjatë sulmit terrorist në Banjskë.
Qeveria e Serbisë së fundmi, ka urdhëruar strukturat ilegale serbe që të bëjnë punësimin e bashkëshorteve të grupit terrorist pjesëmarrës në sulmin e Banjskës, familjet e të cilëve jetojnë në Kosovë. Kjo me qëllim që ata të mos bëjnë ndonjë zë kritik për atë çfarë u ndodhi.
Tashmë është e qartë se asnjë plan apo sulm, nuk mund të kryhet pa urdhrin e krerëve të Serbisë. Ata shkaktojnë këto sulme të cilat janë të përgatitura prej tyre e të cilave ua caktojnë kohën dhe urdhërojnë marrjen e masave të sigurisë, sipas interesave e planeve të tyre e mbase edhe të Rusisë.
Planet për sulme, synojnë destabilizimin e situatës. Institucionet e Kosovës në bashkëpunim të afërt me faktorët relevant ndërkombëtar, me partnerët e aleatët tanë, po angazhohen intensivisht për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.
Serbia në vend që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, po i ndihmon të njëjtës që t’i shmang ato. Në vend se të sanksionohet dhe të obligohet që t’i dorëzojë terroristët, ajo po shfrytëzon të njëjtit për qëllime politike dhe kërcënime të tjera kundër Kosovës.
Natyrisht, të gjitha këto plane janë të destinuara të dështojnë. Terrorizmi është sfidë për ne, por nuk ka kurrfarë gjasash të triumfojë në një shtet demokratik siç është Republika jonë e Kosovës.
Kur dëgjohet ky rrëfim natyrisht që ngjan i zymtë, por i tillë është realiteti i fqinjit tonë verior që paraqet edhe kërcënim për neve përveçse ka ngjallur pakënaqësi më të mëdha ndonjëherë në kohërat e fundit edhe tek populli i vet.
Për fund, para se t’ia kaloj fjalën ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, dua të them të nderuar gazetarë e të dashur qytetarë, se Këshilli Prokurorial i Kosovës, Kryeprokuroria e Shtetit, tre muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ende nuk ngritën aktakuza dhe as nuk e njoftuan publikun për sulmin më të madh të orkestruar ndaj Republikës tonë, jo vetëm në vitin 2023, jo vetëm ndaj Policisë, rendit e ligjit, por edhe ndaj integritetit territorial të vendit e qytetarëve të shtetit. Ky pasivitet dhe mosinformim është i padrejtë dhe i pakuptueshëm për neve.
Ju faleminderit, e pas prezantimit që do të bëjë ministri i Punëve të Brendshme, do të mund t’iu përgjigjemi pyetjeve tuaja.