Euro është valuta kombëtare në Kosovë. Dinari ende përdoret vetëm në zonat e banuara nga serbët. Por qeveria në Prishtinë dëshiron ta ndryshojë këtë dhe të vendosë të njëjtën monedhë kudo.
Nga fillimi i shkurtit 2024, dinari serb nuk mund të përdoret më si mjet pagese në Kosovë. Kështu vendosi Banka Qendrore në Prishtinë. Në vend të kësaj, vetëm euro duhet të përdoret kudo në vend, duke përfshirë edhe komunitetet serbe. Ajo ka qenë monedha zyrtare që nga viti 2002 në Kosovë, që është një shtet i pavarur që nga viti 2008.
Në komunat veriore, ku 95 për qind e popullsisë i përket minoritetit serb dhe rrugët janë të mbushura me flamuj serbë, i gjithë aktiviteti zhvillohet me dinarin serb. Në qytetin e Zubin Potokut, në Bankën Postare ka radhë të gjata për të tërhequr dinarët, që nevojiten për jetën e përditshme.
26-vjeçari serb i Kosovës, Milos Vucinic, jeton me prindërit e tij në Zupce, një fshat i vogël afër komunës së Zubin Potokut. Ai i merr gjërat e tij të përditshme nga dyqani i vogël i fshatit. Deri më tani ai ka paguar atje me dinarë. Kështu ka qenë gjithmonë, për sa kohë që Milos e mban mend. Por tani kjo po ndryshon. “Vendimi që kanë marrë në Prishtinë në lidhje me dinarin prek popullin e veriut”, ankohet ai. Ky vendim prek edhe prindërit e tij. Nëna e Milos, Jelena Vuçiniq, punon si edukatore në një kopsht fëmijësh serb në Zubin Potok. Kopshti i fëmijëve financohet nga Ministria e Arsimit në Beograd dhe ajo deri më tani e ka marrë pagën në dinarë nga bankat e autorizuara në Serbi. Por tani Banka Qendrore e Kosovës njeh vetëm euron si mjet pagese. Prandaj, asaj iu desh ta tërheqë pagën e muajit shkurt në Rashkë të Serbisë, 42 kilometra larg.
Tre muaj shtesë
Ndryshimi, i cili prek jo vetëm dinarin, por të gjitha monedhat e huaja, duhet të zbatohet nga 1 shkurti. Vetëm tri ditë më vonë, policia e Kosovës konfiskoi një furgon me katër milionë dinarë serb. Një furgon tjetër u kthye në kufi. Në Mitrovicën e Veriut, mijëra protestuan kundër rregullores dhe bashkësia ndërkombëtare kritikoi masën e njëanshme dhe afatshkurtër të Bankës Kombëtare të Kosovës.
Më 12 shkurt 2024, Banka Qendrore u tërhoq duke lejuar një periudhë tranzicioni prej tre muajsh. Janë licencuar tri banka që janë të pranishme si në Serbi ashtu edhe në Kosovë (Raiffeisen, NLB dhe ProCredit). Ju lejohet të marrin dinarë dhe t’i këmbejnë ato në euro. U bënë edhe sugjerime se si njerëzit mund të shkëmbejnë dinarë me euro në të ardhmen.
Strukturat paralele serbe në Kosovë
“Ky problem prek jo vetëm veriun e Kosovës, por gjithë popullatën serbe të Kosovës, pasi ndikon drejtpërdrejt në pagat, pensionet dhe asistencën sociale për rreth 95.000 njerëz”, thotë Ilir Deda, Europe’s Futures Fellow nga Instituti për Shkenca Humane në Vjenë. Serbia vazhdon të operojë shkolla dhe spitale në Kosovë, si dhe zyra ku serbët e Kosovës, për shembull, mund të rregullojnë pagesat e tyre të pensioneve.
Për ish-deputetin e Kosovës Deda, valuta nuk është çështja qendrore. “Thelbi i kësaj krize nuk është përdorimi i valutave, por mungesa e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për institucionet e financuara dhe të kontrolluara nga Serbia në Kosovë”, thotë ai.
BE-ja dëshiron të arrijë zgjidhjen duke ndërmjetësuar në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Por dialogu pak a shumë ka ngecur që nga viti 2013. Kohët e fundit, i dërguari i posaçëm përgjegjës për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, kanë qenë të preokupuar vetëm me mediacionin për uljen e tensioneve dhe përshkallëzimit që rrezikon deri në përleshje të dhunshme, si ka ndodhur p.sh. lidhur me targat e automjeteve. Përpjekja e fundit për të ringjallur dialogun u zhvillua në Ohër, Maqedoni, në mars 2023. Megjithatë, marrëveshja e arritur atje nuk u nënshkrua. Përkundrazi: në dhjetor 2023, kryeministrja serbe Ana Brnabiq i dërgoi një letër Brukselit, përmes së cilës ajo konfirmoi zyrtarisht se nuk i konsideronte as Marrëveshjet e Brukselit dhe as të Ohrit si ligjërisht të detyrueshme dhe se nuk do t’u përmbahej shumë pikave të përfshira aty.
Takimi urgjent i Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Për Branislav Krstic, gazetar serb i Kosovës dhe analist politik nga Mitrovica e Veriut, rregullorja aktuale është “shkelje e të drejtave kolektive. Vendimi për dinarin ndikon drejtpërdrejt në jetën tonë. Qëllimi kryesor është të bëhet e pamundur mbijetesa e serbëve në Kosovë”.
Pikërisht kështu e sheh presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Ai bëri kërkesë urgjente për një seancë speciale të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të “krimeve kundër njerëzimit” dhe “shkeljes së Rezolutës 1244 të Kosovës”, sikurse u shpreh ai. Këshilli i Sigurimit i OKB-së e diskutoi këtë çështje më 8 shkurt dhe kundërshtarët mundën të paraqisnin qëndrimet e tyre.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përsëritur se futja dhe zbatimi i një monedhe të vetme në mbarë Kosovën nuk është hakmarrje ndaj pakicës serbe, por është e drejtuar kundër transaksioneve të paligjshme financiare. Ai gjithashtu premtoi komunikim më të mirë dhe lehtësim për serbët e Kosovës me ndryshimin e monedhës.
Edhe eksperti politik Ilir Deda është dakord. “Dialogu i BE-së është një proces shumë sfidues, por është i vetmi që kemi dhe do të ndodhë në të ardhmen e afërt”, tha ai në një intervistë për DW. “Pa një angazhim vendimtar, të besueshëm dhe vizionar nga Perëndimi, kapitulli i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të mbyllet.
Rregullorja e vendosur nga Prishtina ka bërë të pamundura shumë procese të zakonshme. Për shembull, qeveria në Beograd mbështet studentët e mirë serbë me bursa. Studentët marrin rreth 12,000 dinarë (rreth 100 euro) në muaj si mbështetje. Nuk është ende e qartë se si do të shkojnë këto para tek përfituesit, duhet gjetur një zgjidhje gjatë periudhës tremujore të tranzicionit.
Milloshi, i cili ka ndjekur një shkollë serbe në Zubin Potok, është i frikësuar nga këto ngjarje. Ai pyet se çfarë mund të vijë më pas: “Një vulë kosovare në certifikatat dhe diplomat tona apo edhe një ndalim për shkollat serbe?” Për të është e qartë: e ardhmja e pakicës serbe në Kosovë është e pasigurt. Ai e sheh të ardhmen e tij në Beograd ose jashtë Kosovës. dw