Nis operacioni kundër vjedhjes së energjisë, Rama: Burg autorëve, varfëria s’është arsye

Qeveria shqiptare nis sot një aksion kombëtar, për evidentimin dhe arrestimin e të gjithë atyre që vjedhin energjinë elektrike. Në orën 10:00 ka nisur në Pallatin e Kongreseve një takim me temë “Takim kombëtar. Mbrojtja e energjisë dhe lufta ndaj krimit urban dhe mjedisor, sfida të përgjegjësisë publike”, që do t’i japë shtysë fillimit të aksionit me dorë të hekurt në terren. Në takimin ku kryeministri Rama pritet të bëjë publike detajet e aksionit, janë të pranishëm rreth 2 mijë pjesëmarrës.
Ky aksion kombëtar u njoftua pesë ditë më parë nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se operacioni do të nisë fillimisht ndaj bizneseve të mëdha, ku dyshohet se ka vjedhje masive të energjisë elektrike.

RAMA: NUK E SHOHIM KONSUMATORIN SI ELEKTORAT, LE TE MOS NA VOTOJNE, NE DO MBAJMË ZOTIMET
Operacion të fuqishëm, të hekurt dhe me kosto do të jetë ky ndaj vjedhjes së energjisë elektrike. Këtë e ka pohuar vetë kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në konferencën mbi Planin Operacional mbi vjedhjen e energjisë elektrike’. Sipas Ramës operacioni do të prekë shumë persona që dhe do i kthejnë kurrizin dhe nuk do e votojnë, por kjo nuk e bën shtetin të tërhiqet nga zotimet e bëra.

“Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë në shumë cmime dhe që dikush do na kthejë kurrizin dhe që dikush të na marrë mëri e mos na votojnë sepse detyra jonë është që të udhëheqim duke treguar të vërtetën dhe për të mbajtur zotimet tona duhet të bëjmë të gjitha operacionet. Se një i sëmurë me kancer si sektori energjetik nuk mund të ngrihet në këmbë sepse ndryshon mjeku apo spitalin sepse shpëtoi nga një spital që më shumë prodhonte më shumë dëshpërim se shpresë. Është një ilac i hidhur ky që ne kemi zgjedhur ne” .

Qëllimi i këtij operacioni, sipas kryeministrit është që të kthejë sektorin energjetik nga një pasuri që vidhet në një pasuri përfitimi dhe rritje ekonomike.
“Operacion të thellë që synon të kthejë faqen në këtë sektor duke kthyer energjinë nga një pasuri që vidhet lirisht në një burim mirëqënie dhe rritje ekonomike në një burim përfitimi për Shqipërinë dhe shqiptarët me premisën që kushdo që e konsumon e paguan”.

Rama shprehet se nuk beson që varfëria është arsyeja kryesore e vjedhjes së energjisë.
Varfëria, tha ai, nuk është shkaku i vjedhjes së energjisë, pasi këtë nuk e bëjnë pensionistët, që janë pagues te rregullt te asaj qe konsumojne.
“Nuk është varfëria asrsye që edhe në sallë ka bashkëpunëtorë të hajdutëve të energjisë elektrike.
Operacioni fillon sot në mbarë territorin. Por nuk besoj se varfëria është arsye e vjedhjes së energjisë. Nuk besoj se e bëjnë nga varfëria kompanitë e mëdha lokale në qendër të Tiranës që paguajnë energji elektrike sa një konsumator në Tiranë. As nuk janë të varfrit ata që lidhin energjinë për të lidhur poçin apo ndezur televizorin se ne zhytemi çdo vit 150 milionë euro në gropë. Nuk është varfëria që 20 vjet e bëri marrëdhënien me konsumatorin si marrëdhënie elektorale. Lala Gjoni nuk do lejonte që çmimi i energjisë të ishte i drejtë për të gjithë e me të gjithë.
Por ndodhi se s’ka pasur asnjëherë një shtet që t’u thotë stop, as gjykatë që ti dënojë. As varfëria që institucionet publike të këtij vendi të jenë debitore të hatashme ndaj sistemit të shpërndarjes dhe nuk është varfëria që ujësjellësat të jenë një sistem plotësisht i falimentuar”.

“Energjia është jetike, po dhe buka është jetike, por në dyqan nuk i shkon mendja të shkojë e mos e paguajë. As të shkojë në një dyqan të marrë ujin dhe ta marrë pa paguar. Atëhere ku ndryshon energjia elektrike nga këto? Si mund që të pranojmë pra që të vidhet energjia”.

Kryeministri garanton se nga disa e sotme do vendoset në binarët e drejtësië dhe mos i shkojë më në mendje kujt të vjedhë më energjinë elektrike.

Më tej, Rama vuri në dukje se në 20 vjedhja e energjisë u tolerua nga qeveria që shihnin konsumatorin si elektorat. Ndërkaq, tha ai, tanimë vjedhja duhet të konsiderohet një krim i rëndë si gjithë krimet e rënda dhe të ndëshkohet. Ai solli në vëmendje si shembull shtetin e Norvegjisë.
“Vjedhja është bërë e pandëshkueshme për 20 vjet me radhë në një Shqipëri ku vjedhja e energjisë duhet të përfshihet njësoj si dhe krimet e tjera, në një krim të dënueshëm dhe në rast përsëritje, i dënueshëm dhe më shumë. Para pak ditësh pata mundësinë të takoj, Drejtorin e Përgjithshëm të kompanive më të fuqishme në botë, Shtatkrafti i Norvegjisë, i cili më tregoi sesi Norvegjia në një vend ku vdisje urie dhe njerëzit detyroheshin të braktisnin vendlindjen e tyre në një vend që sot është një superfuqi reale energjitike, dhe që për shkak të transformimit rrënjësor të qasjes dhe administrimit të burimeve energjetike hyn sot në vendet më të mirqëna të botës. E pra nëse Norvegjia u bë mund të bëhemi dhe ne”.

Kryeministri Rama tha se me paratë e vjedhura nga hajdutët e energjisë elektrike, vendi do kishte përfituar më shumë shkolla të reja, rrugë dhe spitale, prandaj sqaroi, ai nuk kemi luksin që t’i tolerojmë

“Ne nuk kemi luksin t’i heqim vetes 150 shkolla të reja në vit dhe të bashkëjetojmë me hajdutët, t’i heqim vetes 100 km rrugë dhe të pranojmë se nuk do bëhen se do vidhen me një arsye, të mos ndërtojmë 6 spitale se duhet ti vjedhin hajdutët e energjisë. E kemi krejt të pamundur, s’kemi se si të pranojmë se gjithçka që ne së bashku ia paguajnë invalidëve para dhe tetraplegjikëve të jetë e barabartë me atë që na e vjedhin hajdutët e energjisë elektrike”, tha Rama.

Sipas tij, asnjë qeveri nuk e ka bërë këtë reformë duke menduar për zgjedhjet, por shtoi se më 23 qershor ai e mori mandatin për të bërë zgjedhjen e duhur që Shqipwria të ndryshojë faqen.

“Reforma nuk është bërë asnjëherë sic duhet, të gjithë e kanë shtyrë se ka zgjedhje. Ne në këtë detyrë nuk jemi për tu rizgjedhur me çdo kusht por që Shqipëria me çdo kusht të ndryshojë faqe, të bëhët shtet, të rritet ekonomikisht për tu bërë një vend normal, i bazuar në pasuritë që ka, për të garantuar mirëqenie dhe begati. Nuk mund ta bëjmë po të bashkëjetojmë me këtë humbje, që në 4 vitet e ardhshme mund të na japë fitim”, shtoi ai.

Sipas Ramës, “Sot me shumë rëndësi ka që policia të përfshihet në këtë operacion njësoj si për krimet në territor, siç i konsiderojmë ndërtimet pa leje”

Më tej, kryeministri shtoi se opozita i ka dalë në mbrojte hajdutëve. “Opozita merr në mbrojtje hajdutërinë, fillon nga CEZ a thua se CEZ-in e sollëm ne dhe humbjet i sollëm ne, a thua se atë privatizim të dështuar e bëmë ne”.

Ndër të tjera, Rama hodhi poshtë edhe akuzat e bashkisë për prishje selektive të ndërtimeve në kryeqytet. “Opozita flet edhe për ndërtimet pa leje për prishje selektive. Ne e mbajmë mend që bashkia drejtohet nga ata, është e lehtë që për çdo objekt që konsiderohet i lënë aty nga zgjedhja selektive mund të shkohet dhe të bëhet prishja. Në shumë raste ne kemi fakte që kanë ndërtuar në trotuar dhe për këtë kanë marrë legalizime dhe tapi”.

Kreu i ekzekutivit i bëri apel të gjithë sistemit të drejtësisë të bëhet bashkëpunues në këtë reformë të nisur që sot dhe të ndëshkojë me 3 vite burg çdo person që kapet duke vjedhur energji elektrike dhe me 5 vite bashkëpunëtorët e tyre, brenda OSHE, ashtu siç thotë ligji.

“Duhet të shkojmë përpara patjetër. Drejtuesit e drejtësisë, Prokurorisë, Gjykatave, të zbatojnë normën e miratuar nga Kuvendi. Nuk ka më gjobë, por 3 vjet burg kush kapet duke vjedhur energji dhe 5 për ata që bashkëpunojnë brenda OSHE. Janë dy dënime që gjykatat ti zbatojnë siç janë shkruar. Se si një gjykatës mund të rilidhë energjinë për konsumatorë që kompania i konstatoi si shkelës, duke e zhytur kompaninë në borxhe dhe duke e detyruar t’i lidhë energjinë shkelësit, në vend që ta fuste në burg, këto janë raste që mbeten për tu studiuar”, tha Rama.

Rama u shpreh besimplotë që ky operacion do dalë me sukses, pasi siç përmendi ai “e nisim nga hajdutët e mëdhenj”, ku veçoi pellgun Tiranë-Durrës, tek i cili është përqendruar 60% e problemit.

“Të forcojmë sistemin e shpërndarjes, do vijojmë me procesin e menaxhimit të kompanisë në kuptimin e marrjes së një strukture të huaja menaxhimi. Zgjidhja e problemit nuk është rritja e çmimit të energjisë, fasha më shumë se mbrojtje e familjeve në nevojë është kthyer në maskë për më të fortët. Është tek fasha që ne do synojmë të çelim rrugën e reformës për të çelur një drejtësi më të fortë. Luftë të përditshme me hajdutët jashtë dhe brenda sistemit të OSHE. Le të fillojmë kudo aty ku janë burimet më të mëdha”, apeloi Rama.

GJIKNURI: TË SHMANGIM KOLAPSIN, AKSIONI TERAPI E NEVOJSHME KUNDËR TUMORIT
Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri theksoi domosdoshmërinë e aksionit kundër abuzuesve me energjinë elektrike, për të shmangur kolapsin e sistemit energjetik. Në takimin e zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, Ministri Gjiknuri tha se përfshirja e forcave policore në këtë aksion mund të duket e panatyrshme, por sipas tij, situata e krijuar është një emergjencë, për përballimin e së cilës nevojitet mbështetja e organeve të drejtësisë.
“E ardhmja e sektorit energjetik varet edhe nga veprimet jetike që do të ndërmarrim në muajt në vijim. Roli i organeve të drejtësisë është kyç.
Sektori energjetik ka plagë të thella, të trashëguara të cilat na kanë sjellë në këtë pikë ku jemi. Ajo çka pret publiku nga ne është se pas kësaj terapie aq të nevojshme çfarë perspektive do të ketë sektori energjetik. Ne gjetëm një kufomë energjetike. Duhet të shmangim kolapsin, ky aksion është terapi e nevojshme kundër këtij tumori.”- deklaroi ministri Gjiknuri.

Ministri i Energjetikës theksoi se përveç qytetarëve, përgjegjësi për vjedhjen e energjisë kanë edhe persona brenda kompanisë, (faturistë, elektricistë), që siç tha ai duhet të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit.

Ndër të tjera, ministri Gjiknuri nënvizoi se duke ndryshuar modelin e tregut, do të bëhet e mundur që HEC-et private të shesin energjinë direkt dhe të mos mbeten barrë mbi KESH-in.

“HEC-eve do t’ju sigurojmë të gjitha të drejtat që kanë nga kontrata por nuk do të jenë më një mbibarrë mbi KESH. Duke ndryshuar modelin e tregut, duke bërë që HEC-et private të shesin energjinë direkt dhe të jenë të parat në radhe sa herë ka nevojë për energji. Do të shlyejmë detyrimet e prapambetura të HEC-eve private.”- deklaroi Gjiknuri.

AHMETAJ: REFORMA E DOMOSDOSHME PER ZHVILLIMIN EKONOMIK
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj, mori pjesë sot në konferencën energjetike me temë: “Takim kombëtar. Mbrojtja e energjisë dhe lufta ndaj krimit urban dhe mjedisor, sfida të përgjegjësisë publike”.

Ministri Ahmetaj u shpreh gjatë fjalës së tij se reforma në sistemin elektroenergjetik është e domosdoshme për të çliruar zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa pohoi se 150 milionë euro humbasin çdo vit nga vjedhja e energjisë elektrike.

“I gjithë prodhimi i Kaskadës së Drinit tretet në det pa dhënë asnjë efekt në zhvillimin ekonomik. E pra, thelbi është pikërisht te kjo gangrenë që duhet mbyllur njëherë e përgjithmonë”, u shpreh Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Më tej, Ministri Ahmetaj tha se vjedhja e energjisë elektrike është një krim në kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe i bëri thirrje sipërmarrjes se nuk mund të realizojë fitim nëpërmjet mospagesës së energjisë.

“Besoj qe ky takim është një moment historik. Kur t’i kthehemi mbrapa do të krenohemi që kemi filluar një epokë të re jo thjeshtë për sistemin apo sektorin energjetik të vendit, por për gjithë zhvillimin ekonomik. Energjia elektrike ka mbi 20 vite që është gangrenë, qoftë për qytetarin, qoftë për zhvillimin ekonomik. Po shihja më vëmendje të gjithë shifrat dhe të gjithë luhatjet që kanë ndodhur me sistemin elektroenergjetik në 22 vite dhe më bëri përshtypje që kulminanca e asaj që sot vazhdon të jetë traditë, e vjedhjes së energjisë elektrike, e abuzimit të një pjese në kurriz të qytetarit, klientit dhe konsumatorit të ndershëm, ka kulmuar në 1997 dhe aty papritmas u kujtova që kjo është një skemë piramidale që duhet zhdukur nga trupi i ekonomisë shqiptare. Po, sistemi elektroenergjetik shqiptar ka funksionuar si një skemë piramidale dhe unë vërtet jam shumë i kënaqur dhe i lumtur që sot ne kemi vendosur të bëjmë kthesë”, tha ai.

Sipas ministrit “150 milionë euro humbasin çdo vit nga vjedhja e energjisë elektrike! Shkrihen, treten në lumenj dhe përfundojnë në det, për shkak të vjedhjes, keqmenaxhimit dhe korrupsionit. Imagjinoni që i gjithë prodhimi i Kaskadës së Drinit tretet në det pa dhënë asnjë efekt në zhvillimin ekonomik. E pra, në diskutimin tonë për rritje apo ulje të çmimit, nuk është aty thelbi. Thelbi është pikërisht te kjo gangrenë që duhet mbyllur njëherë e përgjithmonë”.

TAHIRI: SHQIPËRIA INFORMALE DHE PALIGJSHMËRIA DUHET TË MARRIN FUND
“Shqipëria informale dhe paligjshmëria duhet të marrin fund njëherë e mirë, ndaj Policia e Shtetit do të jetë në krye të detyrës për ta bërë të mundur”. Kështu deklaroi sot Ministri i Punëve të Brendshme, Samir Tahiri, gjatë takimit të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, ndërsa theksoi se ka ardhur koha që energjia elektrike të mos trajtohet më si mall pa zot.

“Nëse dëgjoni që do ju thonë se po ndërtojmë një shtet policor, kuptoni që janë ata që deri dje nuk bënë shtetin kur ishin në pushtet. Ne thjesht vendosëm bashkë me qytetarët në 23 qershor të zbatojmë ligjin që ishte në fuqi edhe kur ne nuk ishim në krye të këtij vendi. Pavarësisht se ka gjyqtarë që e kanë kthyer në pazar dhënin e drejtësisë, kjo nuk duhet të na dekurajojë. Kush ndërton pa leje, kush pret pyjet, kush vjedh energjinë në mënyrë sistematike nuk duhet të ketë të njëjtat të drejta me qytetarët që e zbatojnë ligjin.”- deklaroi ministri Tahiri.

CIPA: POLICIA E SHTETIT NË KRYE TË DETYRËS EDHE NË KËTË AKSION
Kreu i policisë së Tiranës, Ardian Cipa deklaroi gjatë këtij takimi se edhe në këtë rast, Policia e Shtetit do jetë në krye të detyrës, për të bashkëpunuar me punonjësit e OSHE-së dhe Prokurorinë në evidentimin e rasteve të vjedhjes së energjisë elektrike.

Cipa tha se, “Kemi një plan të posaçëm mbi evidentimin ndërprerjen dhe hetimin e personave apo subjekteve private që vjedhin energjinë. Ky është një proces që konsiston në raportimin e punonjësve të OSHE për personat që vjedhin energjinë, për linja të dyta ata do të evidentojnë abonentët e rregullt, ata pa kontrata si dhe vjedhësit. Bashkëpunim edhe me policinë për të hetuar dhe arrestuar këta persona”, shtoi ai.

Sipas Cipës, “Policia e Shtetit do të jetë në krye të detyrës, rikthejmë autoritetin e shtetit dhe përmirësojmë financat”.
(d.b/er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>