Yulia Navalnaya, e veja e kritikut të ndjerë të Kremlinit Alexei Navalny, u ka bërë thirrje të mërkurën ligjvënësve evropianë ta hetojnë lidershipin rus, të cilin ajo e cilësoi si një “grup të organizuar kriminal” i udhëhequr nga presidenti Vladimir Putin dhe aleatët e tij.
Duke folur në Parlamentin Evropian më 28 shkurt – gati dy javë pasi burri i saj u shpall i vdekur në një burg të Arktikut, ku po kryente dënim me burgim për akuzat që mbështetësit e tij dhe Perëndimi i cilësojnë si të rreme – Navalnaya tha se një hetim për rrjedhën e parave në Perëndim do t’i dërgonin ligjvënësit evropianë drejt e te Putini.
“Ju nuk keni të bëni me një politikan, por me një mafioz të përgjakshëm. Putini është lider i një grupi të organizuar kriminal. Kjo përfshin helmuesit dhe vrasësit, por ata janë thjesht kukulla. Gjëja më e rëndësishme është njerëzit e afërm të Putinit – miqtë e tij, bashkëpunëtorët, dhe mbajtësit e parave të mafias”, tha ajo.
“Ju, të gjithë ne, duhet patjetër ta luftojmë grupin kriminal. Dhe, inovacioni politik këtu është të përdoren metodat e luftimit të krimit të organizuar, jo gara politike. Jo shqetësimet përmes deklaratave, por kërkimi i bashkëpunëtorëve të mafias në vendet tuaja, i avokatëve dhe financierëve të cilët po e ndihmojnë Putinin dhe miqtë e tij t’i fshehin paratë”, shtoi ajo.
Vdekja e Navalnyt në një burg të largët të Arktikut u raportua më 16 shkurt, duke nxitur pikëllim dhe zemërim të madh në Rusi dhe nëpër gjithë botën, pasi autoritetet ruse nuk kishin pranuar t’ia dorëzonin familjes trupin e Navalnyt duke i rritur dyshimet për shkaktarin e vdekjes së tij.
Zyrtarët rusë thanë se shkaktari ishte sindromi “vdekje e papritur”.
Navalnaya e ka akuzuar Putinin drejtpërdrejt për vrasjen e burrit të saj, i cili ishte ndër kritikët më të zëshëm të tij.
Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat se ka gisht në vdekjen e Navalnyt, ndërsa Navalnaya është zotuar se do ta vazhdojë punën e bashkëshortit të ndjerë për zbulimin e korrupsionit në Rusi dhe përpjekjet për liri, demokraci dhe të drejtat e njeriut, të cilat Putini i ka kufizuar gjatë sundimit të tij mbi 20-vjeçar.
Putini – i cili ka një pagë zyrtare vjetore prej rreth 140.000 dollarësh – është akuzuar se ka mbledhur një pasuri që nga disa vlerësohet se kap shifrën e 200 miliardë dollarëve, dhe se u ka shpërndarë miliarda dollarë aleatëve më të afërt, përmes një rrjeti të komplikuar të entiteteve financiare.
Ekipi i Navalnyt më 2022 publikoi hollësi të cilat i kishte zbuluar për një superjaht në vlerë 700 milionë dollarë, për të cilin tha se i takonte Putinit.
Në fillim të vitit 2021, ekipi i Putinit kreu një hetim i cili nxori në sipërfaqe një pronë në vlerë 1.35 miliard dollarë në Gjirin e Gelendzhikut në Detin e Zi, i cili dyshohet se u ndërtua për Putinin.
Putini vazhdimisht i ka mohuar akuzat se ka grumbulluar pasuri. Në deklaratën e të hyrave dhe aseteve nga viti 2020, ai e shënoi një banesë modeste, tri vetura të epokës sovjetike, dhe një rimorko të vogël kampingu të dhuruar nga babai i ndjerë.
“Putinin nuk mund ta lëndoni me një rezolutë tjetër, apo me një varg sanksionesh që nuk dallojnë nga ato të kaluarat. Nuk mund ta mposhtni atë duke menduar se ai është njeri i parimeve, i cili ka moral dhe rregulla”, tha Navalnaya, duke bërë thirrje për veprime më efektive kundër rrjedhës së parave të elitës udhëheqëse.
“Nëse doni vërtet ta mposhtni Putinin, duhet të bëheni novator. Dhe duhet të mos jini të mërzitshëm më”, theksoi ajo.
rel