Derisa në Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Këshilli i Përgjithshëm po zgjidhte kryetarin e ri për 5 vitet e ardhshëm, me ç’rast u rizgjodh Bujar Spahiu me 82 nga gjithsej 92 vota, jashtë ambienteve të medresesë po protestonin ithtarët e Erdoganit, duke e akuzuar kryetarin dhe gjithë Këshillin e Përgjithshëm të KMSH si “gjylenistë”. Në shikim të parë, për çdo shqiptar, qoftë besimtar mysliman apo jo, duket e habitshme se ç’punë kanë myslimanët shqiptarë dhe KMSH-ja me rivalitetin POLITIK në mes të Taip Erdogan dhe Fetullah Gulen!? Çfarë ka të bëjë ky rivalitet politik i sotëm në Turqi me fenë që buron mbi 1400 vite më parë, në Arabinë Saudite!? Por në fakt, lufta kundër “gjylenistëve” në bashkësitë islame, institucionet arsimore, dhe në institucionet e tjera të shqiptarëve, është një strategji sa perfide aq primitive, sa e fshehur, aq e hapur, arrogante dhe agresive e Erdogan dhe ithtarëve të tij, për ta shtënë në dorë organizimin fetar dhe arsimor të shqiptarëve. Lufta e imponuar kundër “gjylenistëve”, si “rrymë” e papranueshme, e cila duhet luftuar nga besimtarët shqiptarë, automatikisht imponon Erdoganin dhe “erdoganizmin” si alternativë të vetme të pranueshme për myslimanët shqiptarë. Parullat e erdoganistëve “jashtë gjylenisët nga KMSH” nënkupton dhe imponon parullën “brenda erdoganistët në KMSH”. Marrja në dorë organizimin fetar/mysliman të shqiptarëve, është vetëm hapi i parë, për të marrë pushtetin politik në dorë dhe për të krijuar shtetet kukulla të Ankarasë në zemër të Evropës.
Nëse Erdogan dhe ithtarët e tij, Shqipërinë e dalë nga një periudhë e gjatë ateizmi ideologjik, me martesa “të përziera” mes shqiptarëve myslimanë, ortodoks dhe katolikë, e konsiderojnë terren të vështirë, hapin e dytë, pra marrjen nën kontroll të organizimit politik, tanimë e shohim në veprim në hapësirën politike të shqiptarëve në ish IRJM. Ekspansionizmi politik turk qindravjeçar përmes fesë, tani po rrumbullakoset me tentativën për të marrë nën kontroll organizimin politik. E gjitha kjo, për fat të keq, me indiferencën e shtetit shqiptar dhe miratimin dhe mbështetjen e LVV dhe qeverisë së Kosovës.
Ikonografia nacionaliste militante turke në fotot e mëposhtme është vetëm një klikim larg nga pamja e parë farsë, që servohet në profilin në FB të njërit ndër eksponentët kyç në Lëvizjen Besa.
Kur ti shtojmë kësaj edhe mobilizimin e krerëve të Lëvizjes Besa dhe Alternativa, në përkrahje të rikandidimit të Recep Taip Erdogan për president të Turqisë, në maj të vitit të kaluar, dhe deklarimin me këtë rast të nënkryetarit të LB, Fatmir Limani, se luftërat bëhen për fe e jo për komb, bëhet më se e qartë agjenda e islamit politik e këtyre partive,. Për fat të keq, këto parti të islamit politik, të cilave etja për pushtet bashkoi edhe Izet Mexhitin dhe Arben Taravarin, sot përfaqësojnë “opozitën” shqiptare, e cila për “kauzë” të vetme ka zëvendësimin e BDI në pushtet, luftimin e bixhozit, sepse është haram, dhe kandidimin për president të Arben Taravarit.
Afrim Fanda