Putin: Rusia e gatshme të përdorë armët bërthamore nëse kërcënohet sovraniteti ose pavarësia e saj

PutinPresidenti Vladimir Putin tha se Rusia është e gatshme të përdorë armët bërthamore, nëse ekziston një kërcënim për shtetësinë, sovranitetin ose pavarësinë e saj, duke shfaqur shpresën se Shtetet e Bashkuara do të përmbahen nga veprimet që mund të shkaktojnë një konflikt bërthamor.

 

Deklarata e presidentit Putin ishte një tjetër paralajmërim i hapur për perëndimin para zgjedhjeve presidenciale të kësaj jave në të cilat ai është i sigurt se do të fitojë një mandat tjetër gjashtëvjeçar.

Në një intervistë me televizionin shtetëror rus të publikuar herët të mërkurën, presidenti Putin e përshkroi presidentin amerikan Joe Biden si një politikan veteran që i kupton plotësisht rreziqet e mundshme të përshkallëzimit dhe tha se ai nuk mendon që bota po shkon drejt një lufte bërthamore.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se forcat bërthamore të Rusisë janë në gatishmëri të plotë dhe “nga pikëpamja ushtarako-teknike, ne jemi të përgatitur”.

Presidenti Putin tha se në përputhje me doktrinën e sigurisë, Moska është e gatshme të përdorë armët bërthamore në rast të një kërcënimi për “ekzistencën e shtetit rus, sovranitetin dhe pavarësinë tonë”.

Udhëheqësi rus e ka përsëritur gatishmërinë e tij për të përdorur armët bërthamore që nga fillimi i agresionit në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Kërcënimi i tillë më i fundit u bë gjatë fjalimit të tij mbi gjendjen e kombit muajin e kaluar, kur ai paralajmëroi perëndimin se thellimi i përfshirjes në luftimet në Ukrainë do të rrezikonte një luftë bërthamore.

I pyetur gjatë intervistës nëse ka menduar ndonjëherë mbi përdorimin e armëve bërthamore në fushën e betejës në Ukrainë, Putini u përgjigj se nuk ka pasur nevojë për këtë.

Ai shprehu gjithashtu besimin se Moska do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë dhe mbajti të hapur derën për bisedime, duke theksuar se Rusia do të mbajë territoret e “fituara” dhe do të kërkojë garanci të forta nga perëndimi.

Presidenti Putin tha se një shtim i sulmet me dronë ukrainas thellë brenda Rusisë kohëve të fundit, është pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar zgjedhjet presidenciale tre ditore të vendit, të cilat fillojnë të premten dhe të cilat ai do t’i fitojë me shumicë, duke u mbështetur në kontrollin e rreptë mbi skenën politike të Rusisë që ka vendosur gjatë qeverisjes së tij 24-vjeçare.

Autoritetet ruse raportuan një tjetër sulm të madh nga dronët ukrainas herët të mërkurën. Ministria e Mbrojtjes tha se mbrojtja ajrore rrëzoi 58 dronë në gjashtë rajone. Një nga dronët goditi një rafineri nafte në rajonin Ryazan, duke plagosur të paktën dy persona dhe duke shkaktuar një zjarr. Një tjetër dron është rrëzuar teksa po i afrohej një rafinerie pranë Shën Petersburgut.

Ukraina, ndërkohë, raportoi më shumë sulme ruse herët të mërkurën.

Një sulm rus vrau dy persona dhe plagosi pesë të tjerë në qytetin Myrnohrad në rajonin lindor të Donetskut, rreth 30 kilometra larg vijës së frontit, sipas guvernatorit Vadym Filashkin. Ekipet e shpëtimit vendas arritën të nxirrnin një vajzë 13-vjeçare nga rrënojat e një pallati që u godit nga një raketë ruse.

Një ndërtesë pesëkatëshe në qytetin verior Sumy, u godit nga një dron i hedhur nga Rusia gjatë natës dhe 10 persona u shpëtuan nga rrënojat, duke përfshirë tetë të plagosur, sipas administratës rajonale.

Në qytetin e lindjes së presidentit Volodymyr Zelensky në rajonin qendror Dnipropetrovsk, numri i të vrarëve nga një sulm me raketa ruse natën e kaluar arriti në katër, tha guvernatori Serhii Lysak. Ai tha se 43 persona u plagosën në Kryvyi Rih, duke përfshirë 12 fëmijë.

“Çdo ditë qytetet dhe fshatrat tona pësojnë sulme të ngjashme. Çdo ditë Ukraina humbet njerëz për shkak të së keqes ruse”, tha presidenti Zelensky.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>