Prishtina dhe SHBA reagojnë për deklaratën e Vuçiçit

VucicDisa deklarata të Presidentit serb Vuçiç u interpretuan në Prishtinë si kërcënim për një pushtim të Kosovës. Por ambasadori amerikan Jeffry Hovenier, siguroi qytetarët e Kosovës se “të mos shqetësohen”

 

Një deklaratë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç,  që në Prishtinë u interpretua si një kërcënim se Serbia mund të kthehet me forcë në Kosovë, nxiti reagime të autoritetet kosovare.

Presidenti serb akuzoi Perëndimin, në një manifestim në Beograd për përvjetorin e trazirave të marsit të vitit 2004 në Kosovë, se po “synon poshtërimin e Serbisë dhe ta çojë përpara të preferuarën e saj Kosovën”.”Nuk ka problem, i doni ata, nuk do të na keni neve. I doni ata dhe doni t’i ndihmoni ata? Do të mbijetojmë”, tha Vuçiçi.

Ai vazhdoi me fjalët se “Por, jemi mjaft të mësuar dhe mjaft të zgjuar dhe të guximshëm, dhe kemi mësuar mjaft, kemi fituar përvojë të mjaftueshme pas gjithë asaj çfarë na keni bërë në 25 vjetët e shkuara, për ta pritur çastin më të mirë të mundshëm dhe për të luftuar për mundësinë tonë. Këtë nuk kemi përse ta fshehim nga askush”, deklaroi Vuçiç.

Presidentja Osmani reagon ashpër

I menjëhershëm ishte reagimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila i kundërshtoi ashpër këto deklarata duke theksuar se “Serbia vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja”.

“Serbia është shtet që kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e vet gjenocidale, është një shtet i cili ka kryer gjenocid, i cili ka kryer krime kundër njerëzimit dhe i cili ka kryer krime lufte e akoma fle mbi varreza masive”, tha Osmani.

“Kështu që më lejoni ta them troç, kushdo që e konsideron Serbinë si shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht është duke i ofenduar edhe viktimat e Serbisë së Milosheviçit, e cila është njëlloj siç ka qenë edhe para disa dekadave”, tha presidentja e Kosovës.

Për deklarimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, që  politikanë dhe analistë në Prishtinë i interpretuan si kërcënim për një pushtim të mundshëm të Kosovës, foli edhe ambasadori amerikan në Prishtinë Jeffry Hovenier. Ai i siguroi qytetarët e Kosovës se “nuk duhet të shqetësohen për ndonjë kërcënim ndaj sigurisë së tyre”.

“Mund të them që përkushtimi ynë për sigurinë e Kosovës, garancitë e sigurisë që kanë ofruar Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të forta si kurrë më parë. Ne flemë rehat sa i përket këtij kërcënimi. Mendojmë se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme dhe mendoj se populli i Kosovës duhet të flejë rehat, sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prani të madhe këtu, që është e gatshme të bëjë gjënë e duhur”, tha ambasadori Hovenier.

Sidoqoftë, Kosova dhe Serbia kohët e fundit kanë ashpërsuar retorikën ndaj njëra tjetrës dhe për këtë, komuniteti ndërkombëtar po bën përpjekje që të ulë serish në një tavolinë diskutimi palët në kuadër të dialogut për të zbatuar një marrëveshje për normalizim të raporteve të arritur një vit më parë.

Në diskutimin për dinarin në Bruksel konfirmohen fakte

Çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit të Serbisë, ishte pjesë e diskutimeve gjatë takimeve të martën që kryenegociatorët e Kosovës diskutuan në Bruksel me ndërmjetësit ndërkombëtar. Në këtë takim, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të dërgohen propozime rreth dinarit dhe për to, të diskutohet në një takim të radhës që mbahet të hënën e 25 marsit. I ngarkuari i BE për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se nga takimi i së martës, ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte, ndërsa, sa përket zbatimit të marrëveshjes bazë, ai tha se “ajo duhet të adresohet vetëm në nivel të liderëve”.

“Ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte dhe u pajtuam që të vazhdojmë diskutimin tonë për këtë çështje të hënën e ardhshme në Bruksel, bazuar në propozimet konkrete dhe realiste që palët pritet t’i paraqesin paraprakisht. Në të njëjtën kohë, takimi tregoi gjithashtu se zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe mënyrat shtesë se si të zyrtarizohet ajo, do të duhet të adresohen në nivelin më të lartë në një takim të liderëve nën kujdesin e Dialogut”, shkroi Miroslav Lajçak në profilin e tij facebook.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>