…
32.Unë dija ta luftoja nacionalizmin shqiptar
Demonstratat e studentëve në Kosovë, në vitit 1981, i dhanë leje të plotë policisë jugosllave për të vepruar lirshëm mbi shqiptarët që shquheshin qoftë edhe me më të voglën shenjë të nacionalizmit dhe irredentizmit. Shqiptarët u shndërruan si në lepujt e egër të Zhedenit të cilët duhej mbytyr sapo të dalin në shënjestër. Me qindra orë ligjerata u zhvilluan në trajnimin e njerëzve specialë që do ta luftonin këtë murtajë e cila po i kanosej shoqërisë jugosllave dhe po i tundte vetë themelet e ish-Jugosllavisë. Shoku Tito kishte vdekur kurse gjithnjë e më fuqishëm këndohej kënga “Druzhe Tito mi ti se kunemo, da sa tvoga puna ne skrenemo”! Ne, pro jugosllavët, këtë këngë e kishim moto të jetës, e kishim lutje të ditës, e kishim parim dhe përcaktim jetësor.
Në KQ të LKM-së u soll vendimi që në këtë aksion të gjërë të përfshiheshin edhe hoxhallarët, sepse ndikimi ynë ishte i madh. U ftuan disa hoxhallarë me ndikim në trajnim por, nuk kaloi asnjëri, madje të gjithë u bënë me nishan, u bënë të dyshimtë, sepse në ligjeratat e tyre ishin tepër të butë, tepër anemik, si ato melaqet që i hapin dyert e xhenetit dhe që i thonë xhenetlinjëve, hajde, urdhëroi, urdhëroni në xhenet! Para xhematit, sidomos para shqiptarëve në xhami, karshi egërsirës së tyre duhej të flitej me egërsinë edhe më të ashpër, karshi tyre duhej demonstruar tërë fuqia e pushtetit jugosllav, me zë të lartë e me gjeste duhej mbjellë frikë e jo butësi. Unë u përzgjodha si njeri më i ashpër, si njeri i përshtatshëm, sepse derisa në orë kursi mbaja prova si të luftohet nacionalizmi dhe seperatizmi shqiptar, më bëhej sikur nxirrja flakë nga goja, fjalët më dilnin si të zjarrta, sikur nuk nxirrja fjalë por gaca, prush. Kurse Kire Fuzofski bërtiste: “Taka “zharko”, taka, davaj zhar… zhar… zhar…”
Shoqata “Ilmije” që funksiononte në kuadër të BFI-së dhe e themeluar nga KQ i LKM-së, u caktua që të jetë bartëse e organizimit të mbajtjes së ligjeratave nëpër organet e BFI-së si dhe nëpër xhamitë e vendit. Nuk ishte aksion i lehtë. Intervenimet policoro-ushtarake jugosllave në Kosovë, pamjet trishtuese që erdhën nga atje, por edhe proceset gjyqësore që vazhdun pastaj kundër udhëheqësve të demonstratave të Prishtinë e gjetiu, kishin pezmatuar mbarë shqiptarët, prandaj edhe nuk ishte e lehtë të dilje para xhematit shqiptar e të flisje kundër asaj lëvizje që në fakt ishte projekt i imperializmit amerikan për ta shkatërruar Jugosllavinë. Prandaj, kërkova dhe ma mundësuan që të paisesha me armë dhe me leje, m’u dha liria e plotë që, nëse vetëm më shikon shtrembër ndonjë irredentist shqiptar ta vrisja në vend, si derrin e egër. Arma në brez më jepte siguri, më jepte forcë, ma shtonte flakën dhe prushin kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.
Çuditërisht, në të gjitha organet e BFI-së kam hasur në kolegë e hoxhallarë që ma përkrahnin programin, askush nuk e thoshte më të voglën fjalë. Bashkë futeshim nëpër xhami, ku xhemati i hapte sytë katër kurse unë shpërtheja vrullshëm kundër të gjithë atyre avanturierëve që po ëndërronin për prishjen e Jugosllavisë. Nuk kishte bërë vaki më herët që nëpër xhami të dëgjoheshin duartrokitjet frenetike të xhematit. Në fund të ligjeratave, sikur ishte bërë traditë që tashmë të bërtisnin “Ju-go-sllavia, ju-go-sllavia… Sulo, Sulo…” Edhe pse nuk e kishin atë motivacion të thirrjeve “zharko… zharko”, me të cilat shpërthente Kiro Fuzofski kur më dëgjonte, megjithatë, edhe thirrjet “Sulo… Sulo”, seç më bënin krenar dhe të pathyeshëm në rrugën e Titos.
Natyrisht, përveç revoles, me vete merrja edhe një shumë të konsiderueshme të dinarëve që m’i jepte me bollëk Kiroja, sepse hasja në shumë xhemat që kishin probleme të rënda sociale. Dhënia e një dinari e shtonte simpatinë për Jugosllavinë. Natyrisht, një dinar atyre e dhjetë për vete. Nuk kishte nevojë të raportohej se kah shkonin ato dinarë, me rëndësi të më shihnin dikush se po ndaj pare, sepse e dija që në mesin e xhemateve kishte plotë spiunë që po e përcillnin punën time dhe që raportonin madje edhe te Kiro Fuzofski. Parja ta zbardhë fytyrën. Kur nuk e ke paranë e ke urrejtjen e Zotit…
- Paraja është çelësi i paqes
“Paraja është çelësi i paqes”, kështu thotë një hadith i Pejgamberit s.a.v.s. të cilin e gjejmë të interpretuar nga Buhariu. Këtë hadith shpesh e kisha dëgjuar edhe nga ministrat e ndryshëm kuvajtianë. Deri sa studioja në Kuvajt, jo njëherë Iraku e ngacmonte, madje edhe kryente invazion ushtarak në shumë pjesë të Kuvajtit. Ne studentët vetëorganizoheshim duke protestuar kundër kësaj sjellje kafshërore të Irakut, gjegjësisht të Sadam Hyseinit. Çuditërisht, Sadami e njihte për din ose Titon ose dollarin. Këtë e dinin edhe vetë qeveritarët mbretëror të Kuvajtit. Vinin në Universitet e na thonin: “Mos u shqetësoni, e dijmë se çka dëshiron Sadami me këtë invazion ushtarak. Tani ia mbushim gushën me dollarë dhe për 24 minuta do ta japë urdhërin për tërheqje”! Kështu edhe ndodhte. Kuvajti e blinte paqen me dollarë amerikanë. Ja pra ku vërtetohej hadithi i Pejgamberit a.s. se “paraja është çelës i paqes”!
Sa herë që më duheshin para për t’i zbutur shqiptarët egërsirë, ia thosha këtë hadith Kiros. Ai ma kuptonte hallin dhe menjëherë vepronte, duke m’i mbushur xhepat. Shyqyr Zotit, në aspekt të pareve, gjatë tërë jetës më ka ecur mirë, kurrë nuk më ka munguar me bollëk. I harxhoja shumë lehtë, sepse duhej të shtroheshin dreka e darka, duhej ta ofroja gjithësecilin, ta shoh e ta analizoj mendmin e secilit për nacionalizmin dhe irredentizmin e shqiptarëve. Një herë e pata pyetur Kirën, çka nëse të gjithë shqiptarët e Jugosllavisë, mbi 3 milion sa ishin, çka nëse të gjithë bëhen irredentistë, t’i vrasim të gjithë!? Jo, më pat thënë Kira, edhe ne do të bëhemi irredentistë dhe do të përzihemi me ata, kështu që, nuk do të dihet më se kush është patriot e kush tradhëtar. Krejt Jugosllavia do të bëhemi irredentistë dhe, ne që i luftojmë ata pastaj do t’i drejtojmë kah irredentizmi i vërtetë dhe serioz! Kurrë nuk e pata kuptu motërqimin!
Një ditë, deri sa po nisesha për një ligjeratë diku nga Vallandova, Kiroja më thotë të kem kujdes se do të vëzhgohem nga një kundërzbulues i KOS-it. Ashtu ndodhi, ishte një nënkolonel nga ata trupat malazezë, i gjatë dhe i ashpër, nënkolonel Spasojeviqi. Para ligjeratës sime kundër irredentizmit shqiptar koloneli gati u shndërrua në kokërr meli, u mblodh e u zvogëlua, u zverdh e iu varën mustaqet si gjethet malore të pishës së vyshkur. Në fund, erdhi dhe më dha dorën duke më thënë: “Vetëm edhe një kështu si ti ta ketë Jugosllavia, nuk ka se çka i frikohet ardhmërisë së vet”! I thashë: “Në shërbim të popullit dhe atdheut”! Këmbënguli që të hanim një darkë! Nuk e refuzova dhe, bëra mirë, sepse, në fund, dola fitues unë. Pasi më pyeti se për çfarë kisha nevojë, sepse ishte në gjendje të më ndihmonte dhe, pasi ma solli muhabetin rreth ushkuri, i thashë, si në shaka: “Vallai, e kisha bërë kabull ndonjë nuse për babain tim, i ka vdekur gruaja dhe nuk po durohet! Plak por po e do”! Doli nga restoranti dhe pas nja 15 minutave erdhi me një femër të re. Më pëlqeu, nuk di a më ishin lodhë sytë nga tymi i cigares e nga vera, por, më pëlqeu, tek ajo pashë një nikoqire të mirë. Si përfundim, vendosa t’ia sjell babait. Kur e pa babai në oborr të shtëpisë, desh më vrau, më bërtiti: “hiqe këtë lanet nga oborri o pis, kjo qenka e re, kjo do burrë e jo plak si unë”! “Hë bre babë”, i thashë, “çka ke ti, nëse do burrë jam këtu, i dal në susret”, i thashë si në shaka dhe ia mbatha deri te dera e oborrit. Ika prej tij i cili vrapoi pas një thupre për të na ndjekur të dyve. E mora turken dhe m’u kujtua hoxha i Sllupçanit! Një ditë më parë isha takuar me te dhe, deri sa po ecnim nëpër një livadh, para na doli një tufë dhenësh të cilave u rrinte përpara ogiçi i hatashëm. Pa na vërejtur fare neve nisi t’u kërcej dhenëve. Mbaroi punë me njërën, pastaj i kërceu tjetrës e kështu me radhë. Në atë moment hoxha tha: “Uh, si nuk më bani Allahu dash e të kënaqesha duke iu këcy deleve!” Desh na ranë brinjtë duke u qeshur. Ja, thashë, vetëm ai do të mund ta bëjë zap këtë “faishe”! U nisa për në Sllupçan. Nuk di se si u durova pa e përla edhe unë atë «fatkeqe»! Kah ferku i mëngjesit arrita në Sllupçan dhe para xhamisë e prita hoxhën, i cili, sapo më pa e diti nga larg se i kisha kurdisur diçka të këndshme. Ik, më tha, të mos na shohë xhemati. Ai në shtëpi me nusen e re, unë për në shtëpi. Disa javë më vonë hoxha kishte hetuar se ajo nuk ishte turke por «xhipkë», e kishte dëbuar!
- Si mu bë paraja din e iman! Estejkfurullah!
Jo rastësisht thonë, mos e lë fëmijën për të hequr për asgjë, sepse kur të rritet, ajo që i ka munguar më së shumti do t’i bëhet ves! Vetëm në familjet e varfëra ka hajni e vjedhje të mëdha, sepse vjedhjet i kryejnë adoleshentet të cilët, sapo të rriten pak, ndjejnë nevojën për ta pasur paranë në xhep dhe nisin e operojnë nëpër shtëpi. Kështu kisha bërë edhe unë dikur.
Tashmë nuk mund ta kaloj një ditë pa e fituar paranë, në çdo mënyrë. Nëse nuk ma jepte Kiro Fuzofski (sepse shpesh dinte të bëhej me një vesh, kinse nuk po dëgjon) atëherë mend më dilnin për ta gjetur ndonjë mundësi për të ardhur deri te dinari. Përmes hoxhës se Sllupçanit u njohtova me Hafëz Ilmiun e Hotlës dhe, nisa të merrem me duhanin hotlan. Ky duhan kërkohej shumë, por edhe shitësit e këtij duhani ndiqeshin më keq se kriminelët. Kishte njësi speciale në kuadër të policisë që merrej me ndjekjen e shitësve të duhanit dhe, po të zunë ata nuk bënte punë as Kiro Fuzofski dhe as Kiro Gligorovi (i cili më vonë do të bëhet Kryetar i Maqedonisë).
Kënaqesha kur e fitoja paranë duke rrezikuar. Seç më dukej vetja edhe fitimtar edhe triumfus. Kështu, fitimin e parave nisa ta nxjerr edhe nga shitja e druve. Kjo punë ishte mjaft e rrezikshme, me rrezikshmëri të dyfishtë. E para, deri sa e prenim dhe deri sa e nxirrnim në rrugë drurin dhe, e dyta pastaj nga «shumarët»! Me qindra metra drunj kam shitur. Natyrisht, shumicën e metrave të drunjve m’i bënin gati miqtë e mi, shokët të cilët mrekulloheshin me cilësitë e mia, në të gjitha aspektet e jetës. Trim po, i zgjuar po, i aftë po, i shkathët po, nanqimë po…
Kur jemi te drunjtë më duhet të nënvizoj diçka që më ndodhi këto ditë, pas zbardhjes së paketit të dytë të “bombave” të Zajevit. Më erdhi një mik i imi prej sigurimit shtetëror e më tha se, e paska dëgju një telefonatë timen me një nga ish muftijtë, të cilit i pata thënë që të ndikojë te “odbornikët” e një katundi dhe mos të na pengojnë që ta presim një mal të madh që ishte vakëf i ynë. E ky farë pisi, jo që nuk më dëgjoi por nisi edhe të më shesë moral: “si bre haxhi reis ta presim vakëfin. Po ti e di se si veprohet me sheriat në të tilla raste të vakëfit”, dëndëra-mëndëra. Pisi, ma shoi një bisnes të hatashëm. Kurse miku im inspektor më tha se nuk do ta zbardhin atë bisedë, sepse ai ish myftiu do të dilte mbrojtës i vakëfit e unë shkatërrues.
Dhe, një prej mënyrave të fitimit ishte edhe nga pajtimi i ngatërresave që i bëja. Aty ku nuk pajtoheshin me hadith e me Kuran, në ndihmë ua sillja ndonjë polic kaur dhe, sapo miratoheshin familjet, menjëherë ua merrja lekët, sepse e dija që, nëse nuk e djeg shqiptarin në xhep, të harron menjëherë ty dhe, me ty edhe ndihmën tënde. Kështu ndodhi edhe me dy familje në fshatin Greçan. Kryefamiljari i pasur dhe i fuqishëm kishte spiunuar komshiun e vet të varfër se kishte armë. Vinë policia, e rrahin dhe e pranon se e kishte një revole të gjyshit të vet. Ia marin revolen dhe sapo ikin, fakir fukarai i kërcënohet kryefamiljarit të pasur se do ta vrasë. Meqë ky ishte mik i strukturave policore, më luten që të shkoj e t’i pajtoj sepse ia kishin merakun bashkëpunëtorit të tyre. Shkova, u mundova me hadise, me ajete, me hiqaje por, ë-ë, kot, nuk ma morën hiç në dorë. Atëherë, e thirra në ndihmë Zoki policin, i cili, sapo i hyri në oborr fukarasë, gati i zhveshi pantallonat. E thirrëm edhe kryefamiljarin e pasun dhe i detyruam që të merreshin ngryk. Bashkarisht i shkuam pastaj zotniut për t’ia hëngër një drekë. Sapo u kot pak Zoki, i mbështetur në shilte, pas drekës, ju thash të dyve: “Ky kauri po bëhet kinse po fle sa t’ju them që, tani, menjëherë të dilni jasht e të sillni pare, t’m’i fusni në xhep pa bërë zë, e unë duhet pastaj me ia dhënë atij. Mos të guxoni t’ia fusni atij në xhep se ju mbyt krejt!“ Kësisoj, diku pajtoja ngatërresa e diku shkaktoja ngatërresa, sepse duhej të kishte ngatërresa që unë të fitoja ndonjë dinar.
- Shkrimet e mia kundër irredentizmit shqiptar
Kurë nuk arrita ta kuptoj se prej nga buronte tek unë tërë ajo energji negative kundër shqiptarëve irredentistë e seperatistë. Po si nuk patën më të voglin insaf për Jugosllavinë. Të gjitha indikacionet e shërbimeve sekrete flisnin se ata i kishin hyrë punës për ta rrënuar Jugosllavinë, për të cilën baballarët tanë kishin derdhur aq djersë e gjak. Të gjithë që i kontaktoja, me të gjithë që e kaloja ditën dhe natën, ma mbushnin mendjen se me mijëra herë më shumë kishte shqiptarë që e donin Jugosllavinë në krahasim me irredentisët. Kjo ma shtonte urrejtjen deri në zhdukje të tyre. Kjo m’i arsyetonte të gjitha mjetet dhe metodat që i përdorja në luftë kundër këtij irredentizmi e seperatizmi. Nuk besoj të kenë fshehur nga unë ndonjë qëndrim, sepse, të gjithë ishim të sinqertë, të gjithë angazhoheshim për ruajtjen e shtetit të përbashkët të vëllazërim-bashkimit tonë. Se nga dolën pastaj të jenë të gjithë shqiptarët e mundshëm për Kosovën Republikë dhe për Shqipërinë e Madhe këtë kurrë nuk arrita ta kuptoj.
Menjëherë pas demonstratave të para në Kosovë, po ndjeheshin lëvizje edhe në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët po ngacmoheshin sidomos nga studentët e kësaj ane që po studionin në Prishtinë. Dy persona u përzgjodhëm dhe na i ndanë detyrat të cilat duhej kryer me besnikëri, me devotshmëri dhe me përkushtim. Unë u angazhova që të ndikoja tek shtresa e teologëve por edhe ta kontrolloja këtë komunitet, ndërsa profesor Sefedin Sulejmani u angazhua të ndikonte dhe të ushtronte kontroll mbi stafin akademik dhe mbi studentët shqiptarë të kësaj ane. Profesori Sefedin e pati më të lehtë, sepse edhe ishte i gojës por edhe i kalemit. Dinte të shprehet por edhe të shkruante. Në vitet ’80 ai tashmë kishte mbi 50 vepra të shkruara, nga sfera e filozofisë dhe marksizmit, ndërsa unë isha tamam tokmak! Çuditërisht nisën të botohen deklarata të mia por edhe shkrime në emrin tim. Çfarë gëzimi i papërshkrueshëm kur gjeja ndonjë shkrim të botuar me emrin tim. E merrja gazetën, e fusja nën sqetull dhe i bija poshtë e lartë rrugëve të Bit Pazarit. Nisa të shikohem si një person mjaft atraktiv, vizionar dhe marksist i përkushtuar. Edhe hoxhë edhe marksist – kjo e bënte madhështor qëndrimin tim prej komunisti të përkushtuar. Më vitin 1987, në Takvimin e BFI-së që e përgatiste për botim Shoqata “Ilmije”, e cila historikisht më tepër ka qenë organ i Lidhjes Komuniste se sa i BFI-së, botova shkrimin tim mbi irredentizmin dhe seperatizmin shqiptar si dhe për përcaktimet imediate të të gjithë teologëve në rreshtimin e tyre për kalitjen e mëtejmë të vëllazërim-bashkimit jugosllav. Vetëm ky shkrim u mbajt mend nga ana e shqiptarëve, kurse unë kisha botuar edhe dhjetra të tjerë që po botoheshin nëpër biltenet policore dhe ushtarake nëpër republikat e vendit dhe zonat ushtarake të Jugosllavisë. Botoheshin sepse isha mjaft atraktiv, merresha si shembull: një teolog mysliman si angazhohet në ruajtjen e vlerave të socializmit jugosllav. Më përkrahnin mua në këtë front, sepse në Kosovë hoxhallarët hala nuk ishin të verifikuar, kurse në Bosnjë, pas lëvizjes “Vëllezërit Myslimanë”, hoxhallarët po shikoheshin si tradhëtarë e si të rrezikshëm. Ndër hoxhallarët më të respektuar boshnjak ishte Ahmet Smajloviqi, kryetari i tyre. Më kujtohet kur e ftuam në hapjen e Medresesë sonë, të “Isa Beut”! Ishte i gjatë, i bardhë, me mollza të faqeve pak në të kuqe, i veshur mirë, pedant, me një xhube flakë të bardhë. Seç e kishte një krenari të tepruar. Kjo nisi t’ia ngacmojë nervat Mulla Ilazit, myftiut të Kumanovës. “Uh, që ia kisha mrrotë njëherë”, tha Nulla Ilazi! I them, “mblidhe veten myfti. Gjynah e besa edhe haram zinaja, aq më tepër me meshkuj!” “Jo për lezet o Mulla Sulë, por për ibret, për hakaret”, ma ktheu ai duke u dridhur nga përpjekja për ta mbajtur të qeshurën që desh e plasi.
Po thuajse prej të gjithë niveleve të Lidhjes Komuniste e kisha të siguruar përkrahjen për zgjedhjen time eventuale në krye të BFI-së. Kishte mbetur që vetëm të punoj sa më shumë në terren, me hoxhallarët e me “odbornikët” e xhamive. E kisha vendosur që, ose do të ma garantonin përkrahjen ose të gjithë do të përfundonin nëpër burgje. Po vinte koha e pushtetit tim!
- Edhe unë si Kira! Tashmë me aletet e mia
Kiro Fozufski, inspektori më i përgatitur në radhët e UDB-së për përndjekjen e seperatIstëve dhe irredentistëve shqiptarë, tashmë kishte krijuar një besim të fuqishëm në mua. Po ndjehej i habitur por edhe pak i lodhur nga gatishmëria e aq shumë shqiptarëve për të raportuar vullnetarisht tek ai. Një herë ma shprehu dyshimin, duke menduar se, mos irredentistët shqiptarë po dilnin më të aftë se UDB-a dhe se qëllimisht po u dërgonin sa më shumë shqiptarë të raportojnë, me qëllim që t’ua tollovisin trutë! Prandaj, më luti që t’ia eliminoja nja dy si më të besdisshëm, dy shqiptarë që natë e ditë ishin në gjendje t’ia mbajnë bolet në duar. Njëri ishte nga Kondova, me nofkën
«Teglla», për shkak të xhamit të syzave të tij që dukeshin si fundi i kavanozit (Zejnullah Fazliu), e tjetri ishte nga Morana, me nofkën «Mandolina», sepse kur e raportonte ndonjë informatë e nxirte si tingujt e telave të çakorduara të mandolinës (Azem Morana)! «Teglla» do të dëshmoheshte si më i zellshëm dhe më bashkëpunëtorë, nuk do të ndjehet i ofenduar që të më raportojë mua çdo ditë e unë një herë në javë te Kiro Fuzofski, kurse «Mandolina» do të jetë më kryeneç, më i poshtër, ai kurrë nuk do të pranojë të bashkëpunojë me mua, por, drejt e me shkijet e Draçevës e të Autokomandës. Pisi kishte nisur të më konsideronte si rival të tij, më shihte si konkurrent, e jo si epror të vetin. Prandaj edhe kurrë nuk arrita t’ia jap ndonjë deyrë por as të marr ndonjë informacion prej tij. Kjo më pat shtyrë që të betohem në vete që tan jetës të merrem me të, ta poshtroj ku të mundem e t’ia nxi fytyrën në çdo mexhlis ku do ta takoj.
Në Kondovë jetote njëfarë Haxhi Enveri, i ardhur nga rrethi i Gjilanit, i burgosu politik dhe, irredentist i papërmirësueshëm. Pa dyshim, nga rrahja e tepërt që e kishte hëngër nëpër stacionet policore, kishte luajtur pak mendësh, nuk ishte sagllam. Prandaj e kishim më lehtë për ta mjelur, si lopën e lidhur për kërpeshi. “Teglla” e kishte detyrë për ta përcjellë natë e ditë. Dikur, për shkak të afrimit me këtë hoxhe katundi por edhe me hoxhallarë të ndryshëm, kur iu bënë fëmijët për shkollë, nisi të propagojë nevojën e futjes së mësim besimit fetar islam nëpër shkollat normale. Kjo i pengonte shumë “Tegllës”, sepse kishte frikë se, nëse politika zyrtare do të pajtohej me një angazhim të tillë idiotik, atëherë do të mëshileshin të gjitha mektebet e hoxhallarët do të ngelnin pa një burim finansiar prej nga u pikte ndonjë dinar. Çdo ditë raportonte vetëm për Haxhi Enverin, kurse një herë madje edhe e shprehu hidhërimin e vet te Kiro Fuzofsi se pse nuk merreshin kurrfarë mase kundër këtij farë haxhie. “Sinko”, iu pat drejtuar Kiro “Tegllës”! Nuk ka asgjë të keqe nëse mësimbesimi fetar futet nëpër shkollat shtetërore. Ku është kjo e mirë! A e di ti se sa vende pune do të hapeshin për hoxhallarë e për popa!”, ia pat pritur Kiro. Teglla, sapo dolëm jasht, më pat thënë: «U bo Kira me ua mbajt gajlen hoxhallarëve, e ne po luajmë majtap me ta» Hajde se për majtap janë hoxhallarët, pse a mos paske dashtë me i çu në parlament, a», ia pata kthyer unë me shumë pezëm.
- Si ua mora zemrën katundarëve të Moranës
Morana, për shkak të emrit, të cilin për mbiemër e mbante një nga nacionalistët më të shquar shqiptar në Maqedoni, Azem Morana, ishte gjithmonë në shënjestër të pushtetit komunist. Po ky pushtet vite shumë më përparë ishte përkujdesur që nga ky fshat të dalë një tjetër Azem Morana e që do të ishte bashkëpunëtorë i ngushtë i UDB-së pra, spiun. Përmes këtij spiuni do të devalvohej patrioti ndërsa moranasit do të ulnin kokën përgjithmonë.
Megjithatë, seç e kishin një krenari këta katundarë, një krenari dhe një trimëri që më pengote edhe mua. Nuk duroja të më shesin trimëri mua që tashmë po njihesha anembanë Maqedonisë si Sulë trimi, si “Sulo junakot”!
Një ditë, në mbledhje të KQ të Qytetit të Shkupit, u ngrit në këmbë një delegat, më duket se ishte nga Draçeva dhe, nuk la gjë pa folur kundër banorëve të Moranës. “Këta katundarë, edhe lopët i stërvisin të jenë nacionaliste dhe, si të tilla shkojnë e ju bëjnë presion katundarëve më lojalë të socializmit, banorëve të Studeniçanit, ju futen nëpër ara dhe, këtyre banorëve socialistë nuk ju mbetet gjë tjetër përveçse të shpërgulen”, tha ky farë delegati! Menjëherë e kuptova se këtë shpifje e kishte nga Azem Morana i pafytyrë.
Nuk u durova pa u hedhur përpjetë, jo për t’i mbrojtur banorët e Moranës sa për ta mbrojtur dinjitetin e socialistit të mirëfilltë. Si more, ju thashë, aq qenka socializmi i kotë sa edhe lopët po lejuaka të kalojnë në nacionalizëm. Çka është ky ofendim kaq i madh. Lopa është lopë dhe ajo as që di se cilat ara janë të Moranës dhe cilat të Studeniçanit. I luta të mos tallen kështu dhe të kenë kujdes se si e përceptojnë komunizmin. Ja, unë do të dal në atë terren dhe do t’i detyroj vetë katundarët të më tregojnë se cila lopë shtiret si nacionaliste, do ta therrim në vend!
Nëntë vite rresht për Ramazan shërbeva në Moranë. Të gjithë e dinin se çfarë hoxhe isha. Për më të madhin kijamet nuk lejova të më ndërrojnë nga ky katund. Jo për gjë por, thjesht, për drekat dhe darkat që i përgatisnin aq mirë dhe me aq bollëk. Nëse nuk ndërhyja unë, frikohesha se do të ndërhyjë koperativa dhe do t’i tufëzojë të gjitha kafshët dhe do të më duhej të hiqja dorë nga ky katund. Kësisoj, shumë shpejt u përhap lufuta ime që kisha zhvillar në KQ të qytetit për bagëtinë e këtij katundi dhe, tashmë më prisnin si shpëtimtar i tyre. Kisha arritur një ujdi me ta. Ju kisha thënë se këtu në katund ka spiunë që flasin për këta bagëti si për nacionlaista të mëdha, prandaj, do të ishte mirë që në çdo muaj të therrej nga një kafshë e madhe apo në çdo javë nga një kafshë e imët, edhe atë në shenjë të kapjes së tyre duke pretenduar të merren me nacionalizëm. Kësisoj, edhe Lidhja Komuniste e Jugosllavisë do të binden se moranasit janë vigjilentë por edhe unë do të dhihesha duke hëngër mish. Gratë moranëse, edhe pse naive e katundare të thjeshta megjithatë, drekat dhe darkat dijnë t’i përgatisin si asnjë grua tjetër në botë.
Tashmë, në Moranë shumë lehtë plaste sherri. Sa herë që shkoja duhej të lëshonim një dhi nga sheshi i katundit dhe në cilin oborr do të futej dhija, aty shkoja për drekë apo për darkë. Natyrisht, therrje e madhe bëhej në atë katund. Shpesh nga një këmbë lope ia çoja edhe Kiro Fuzofskit sa herë që kisha nevojë t’ia tërhiqte dyzginat pisit, Azem Moranës, i cili kurrë nuk arriti të më duronte. Moranën nisa ta lavdëroj shumë. Morana po lavdërohej edhe prej të gjithë komunistave të Maqedonisë, more edhe të Jugosllavisë. Eu, kur t’i zuri pastaj inati studeniçanasit! Banorët e Studeniçanit nuk duronin që të ngelnin mbrapa moranasëve me sajgi. Kështu, m’u shtua edhe një sofër tjetër. Studeniçani e Morana punonin vetëm për mua. E pra, kishin për kë të punonin, për Sulë komunistin që më kishin të gatshëm për çdo nevojë të tyre. Kështu, për pak vite, deri nga viti 1990, Studeniçani e mbante rekordin në shumë sfera: rekord për analfabetizëm, rekord për asnjë femër me shkollë të mesme, rekord për fetarë fanatikë por edhe rekordin e të qenurit komunista të devotshëm. Kjo si duket i bëri që të nxjerrin spiunë edhe më të rreptë se Azemi i Moranës. Megjithatë, të gjithë silleshin rreth meje. Kështu i kishte urdhëruar i madhi Kire Fuzofski!
…