Sindromi i vdekjes së papritur tek foshnjat, një dukuri e rrallë dhe dërrmuese, prek rreth 400 familje amerikane në vit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Aron Ranen, njofton nga Nju Jorku se rezultatet e dala nga një studim i ri i Universitetit të Nju Jorkut ofrojnë një shpresë të re për të zbuluar shkakun pas humbjeve tragjike të fëmijëve të vegjël.
Çifti Beagan është një prej shumë familjeve amerikane që përballen me humbjen e pashpjegueshme të fëmijës. Vajza e tyre Rosie u nda nga jeta në moshën dyvjeçare.
“Rozi ishte plot jetë, një vajzë e vogël shumë e lumtur që bënte shaka gjatë gjithë kohës. I pëlqente të ishte e rrethuar nga familja e saj”, tregon për Zërin e Amerikës nëna e saj, Laura Beagan.
Charles Beagan është babai i vajzës së vogël që humbi jetën në kushte të pashpjegueshme.
“Ajo ishte bota jonë dhe e gjithë jeta jonë sillej rreth saj”.
Ajo që filloi si një mbrëmje e zakonshme për familjen Beagan përfundoi në tragjedi, kur trupi i pajetë i Rosie-t u zbulua herët në mëngjes.
“Hyra në dhomën e saj për ta parë dhe vura re se ajo nuk po lëvizte dhe e preka me dorë në shpinë. E kuptova se ajo nuk po reagonte dhe e dërguam menjëherë në spital”, tregon babai i saj, Charles Beagan.
Pavarësisht se e dërguan urgjentisht në spital, mjekët nuk mund ta përcaktonin shkakun e vdekjes së papritur të vogëlushes Rosie.
“Specialisti mjekësor na kontaktoi brenda dy ditësh, dhe natyrisht gjetjet fillestare nuk tregonin shkakun”, tregon babai.
Mes makthit më të rëndë të çdo prindi, familja Beagan kërkon të dijë shkaqet. Një studim i fundit nga Universiteti i Nju Jorkut, ku mori pjesë edhe familja Beagan, mund të ofrojë pak të dhëna. Hulumtuesit shqyrtuan filmimet e kameras së dhomës së gjumit të vogëlushes Rosie dhe të disa fëmijëve të tjerë. Ata zbuluan një shkak të mundshëm të vdekjes së tyre të parakohshme, konvulsione të njëpasnjëshme brenda një kohe të shkurtër.
Zëri i Amerikës bisedoi me zonjën Laura Gould, hulumtuese në Universitetin e Nju Jorkut.
“Të pesë videot e regjistruara pa ndërprerë tregojnë konvulsione përpara se pamjet filmike ofrojnë prova se nuk ka më shenja jete. Pamë që konvulsionet ishin të shkurtra, më pak se një minutë. Ishte diçka e re dhe shokuese për të gjithë hulumtuesit e përfshirë”.
Laura Gould, drejtuese e hulumtimit, humbi tragjikisht vajzën e saj në moshën 15 muajshe nga i njëjti fenomen mjekësor.
“Vdekja e fëmijës është tmerri më i madh për një prind. Fatkeqësia të bën të humbasësh gjykimin gjatë kësaj periudhe dhe tronditesh kur merr vesh se analizat nuk tregojnë shkaqet e vdekjes. Ideja e vazhdimit të jetës pa e ditur kurrë shkakun e vdekjes së vajzës më bëri që t’i futem kësaj rruge”.
Konvulsionet e vërejtura në regjistrimet me video së bashku me rezultatet e autopsisë, mund të kontribuojnë që mjekët të mësojnë më shumë dhe ndoshta të dalin me një mënyrë për të parandaluar tragjedi të ngjashme.
“A ka diçka që mund të studiojmë nga mostrat e autopsisë për të identifikuar çrregullimet tek ata fëmijë? Rezultatet mund të ndihmojnë për të kuptuar shkaqet dhe identifikuar fëmijët që rrezikohen. Kamerat për bebet kanë shërbyer si një provë e rëndësishme për hulumtimet”, thotë zonja Gould.
Përdorimi në masë të gjerë i kamerave në dhomat e gjumit të fëmijëve ka ofruar një fije shprese mbi zbulimin e shkaqeve të asaj që njihet si sindromi i vdekjes së menjëhershme dhe të papritur të fëmijëve.
voa