Policia e Kosovës në një komunikatë shtesë për aksionin e zhvilluar sot në veri, ku u mbyllën gjashtë filiale të të ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore”, ka njoftuar se është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave.
“Operacioni policor i realizuar sot në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë; Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinarë, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Në njoftim theksohet se në filialet e kësaj “banke” janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre.
Gjashtë filiale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’ në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndryshe, ky aksion është zhvilluar nga Policia e Kosovës, pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, si Njësia e Inteligjencës Financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës.
rtk