Kush më mire se VMRO-DPMNE mund të shprehte vullnetin politik të “maqedonasve”, të cilët shtetin e ish -IRJM e konsiderojnë prone të tyre ndërsa shqiptarët pakicë e cila duhet dënuar për guximin që kishin për të luftuar në vitin 2001? Ndaj, për ata që nuk harrojnë dhe nuk janë të prirur për të ushqyer iluzione, fitorja bindëse e VMRO-DPMNE tek pala “maqedonase” nuk ishte fare e papritur! Ajo në fakt ka qenë fituesja në të gjitha zgjedhjet e fundit parlamentare.
Ndërkohë, në vendbanimet shqiptare në ish- IRJM, më 8 Maj tupanët gjëmonin gjithandej, duke festuar “fitoren” e partive të tyre, akoma pa përfunduar zgjedhjet parlamentare që mbaheshin bashkë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Festonin militantët e të gjitha partive shqiptare, të të dy fronteve rivale – Frontit Evropian, me në krye BDI-në, me mbi 20 vite në pushtet dhe VLEN, një grupim erdoganistësh, ish- deputetësh, ish- ministrash dhe ish- armiqsh, kohezionin e të cilëve e frymëzuan, mbështetën dhe siguruan shërbimet e Erdoganit dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Dhe vërtetë, të dyja palët “fituan”!
Fronti Evropian, në bazë të parimit jo kushtetues, ndaj dhe jo obligues për palën “maqedonase”, sipas të cilit fituesi tek blloku shqiptar fiton të drejtën për të “bashkëqeverisur” me fituesin në bllokun “maqedonas”, me 4 mandate deputetësh më shumë se pala rivale VLEN, fitoi “legjitimitetin” për të vazhduar mercenarizmin, korrupsionin dhe kriminalitetin brenda pushtetit, duke shërbyer, tani padronit të ri, gjegjësisht të vjetër – VMRO-DPMNE.
Ndërkaq, pala rivale VLEN edhepse humbëse në bllokun shqiptar, falë ndihmës së Erdoganit, Albin Kurtit, një ushtrie të tërë jeniçerësh të Qendrës për Civilizim Islam, Logosit, Shenjës… dhe preferencës së VMRO për këto parti, arriti t’ia zëri vendin BDI-së, për të vazhduar mercenarizmin, korrupsionin dhe kriminalitetin e përfaqësuesve shqiptarë në pushtetin, tani në duart e VMRO.
Por kush humbi në të vërtetë!?
Për fat të keq, humbësit e vërtetë janë qytetarët shqiptarë në ish- IRJM. Të shitur nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, të lënë në baltë, në mëshirën e shëbimeve të huaja dhe të brendshme, shqiptarët humbën për të satën herë rradhazi mundësinë që me rreth 30 mandate deputetësh, të kushtëzonin palën tjetër për ndryshime kushtetuese që do të avanconin statusin e tyre kushtetues, për t’u bërë plotësisht të barabartë me grupin tjeter etnik shumicë në shtet. Pse? Sepse, këto mandate deputetesh, ashtu si deri tani, përfaqësojnë interesa të ngushta të klaneve partiake, të shërbimeve të brendshme dhe të huaja… por për fat të keq, aspak interesat kombëtare të shqiptarëve në- ish IRJM!
Dhjetë ditë pas zgjedhjeve, respektivisht më 18 maj 2024, Zyra e Kryeministri Kurti njoftonte për takimin me përfaqësuesit e “VLEN”, me ç’rast kryeministri Kurti me paftyrësinë publike që nuk e kishim parë deri tani, ua uronte humbësve të zgjedhjeve “fitoren”, duke shkelur me të dy këmbët të gjitha parimet dhe të drejtat të cilat ai dhe LVV kishin proklamuar para shiptarëve, mes tyre atë më të rëndësishmen – të drejtën e shqiptarëve në ish IRJM për të vetëvendosur për fatin e tyre.
A ishte ky një veprim i papritur dhe per t’u befasuar i Albin Kurtit dhe LVV? E vërteta e hidhur është se jo! Është fakt se ata në asnjë moment nuk treguan as më të voglin interesim që fajin për nëpërkëmbjen e të drejtave kolektive të shqiptarëve në ish-IRJM, ta adresonin tek fajtori i vërtetë – kushtetuta unitare, e cila mirëmbahet nga përfaqësues politikë shqiptarë të korruptuar. Në vend të kësaj, zgjodhën të akuzonin anëtarësinë e një partie të tërë, dhe të anatemojnë më shumë se gjysmën e votuesve shqiptarë në ish IRJM. Pse? Sepse për fat të keq, motivi i vërtetë ishte ndërhyrja e njëanshme, preferenciale në zgjedhjet parlamentare në ish IRJM, në shërbim të partive erdoganiste të Afrim Gashit dhe Bilall Kasamit, për t’ua siguruar atyre pjesëmarrjen pa kushte në pushtet duke zëvendësuar BDI-në. Dhe, të themi të vërtetën, preferenca per këto parti nuk është e këtyre ditëve, e as është ideologjia dhe parimet që i bashkojnë LVV – në me këto parti.
Vizita e Albin Kurtit në Turqi pak ditë më parë dhe takimi i përzemërt me Erdoganin, prijësin famëkeq të diktaturës së islamit politik, vuri kapakun dyshimeve për motivet e mbështetjes kaq intenzive të VLEN. Me këtë rast, Albin Kurti shprehu mirënjohjen e thellë publike ndaj Rexhep Erdogan dhe shtetit turk për, siç deklaroi ai vet, “mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës”. E meqë në këtë botë asgjë nuk jepet falas, kundërshpërblimi që Albin Kurti i bëri Erdoganit, para se të takohej me te, ishte pikërisht mbështetja pa rezerva e VLEN, duke ia bërë shqiptarët e ish- IRJM dhuratë aleancës së islamit politik të Erdogan me ortodoksinë sllave të VMRO, në shërbim të Botës Serbe. Deliri i madhështisë i ushqyer nga nevoja e dëshpëruar e shoqërisë shqiptare për kulte personaliteti, në vend të kërkesës për llogaridhënie nga përfaqësuesit e saj politikë, dha “të drejtën” Albin Kurtit për të bërë pazare me territore shqiptare dhe për të vendosur se cila pjesë e kombit duhet të jetojë në liri, e cila duhet sakrifikuar, duke ia kthyer sullanit të Perandorisë Neootomane. E për këtë, kishte edhe arsyetimin dhe mbështetjen “shkencore” të këshilltarit më të afërt të tij, Hysamedin Feraj, i cili në librin e tij “Skicë e mendimit politik shqiptar”, kuptohet e botuar në LOGOS, masakrimin fizik, politik, ekonomik, arsimor, kulturor… të shqiptarëve nga ana e Perandorisë Osmane e përshkruan si periudhë lulëzimi për kombin shqiptar.
Por a do të kënaqet Erdogan me kaq? Mbetet të shohim!
Broçkullat e “luftës kundër BDI-së së korruptuar dhe kriminalizuar”, jo vetëm sa tentonin të mjegullonin dyshimet për motivin e vërtetë të Albin Kurtit dhe LVV, por ishin edhe dëshmia më konkrete e kapërcimit të atij kufiri moral, që ndan LVV-në parimore që në fillim luftonte hajdutërinë dhe tradhëtinë e krerëve të kriminalizuar të partive të dala nga lufta e UÇK, nga LVV-ja e katandisur sot në LVV-në që shpërfill, përbuz dhe përpiqet të defaktorizojë dhe luftojë çdo gjë, që jo vetëm përfaqëson, por edhe që ua kujton shqiptarëve luftën e drejtë të UÇK për liri dhe pavarësi. Ndaj, në vend se të inkurajojë dhe mbështesë anëtarësinë e BDI në luftën kundër krerëve të korruptuar, të kriminalizuar dhe të shitur, me zellin që “ndihmoi” Arben Taravarin për të përçarë ASH-në, Albin Kurti zgjodhi t’i godasë ata bashkë me një nga këta krerë të kriminalizuar, Izet Mexhitin, ish nënkryetarin e BDI, bosin e mafias urbane të Çairit. Zgjodhi t’i godasi bashkë me VMRO-në antishqiptare, e cila jo që nuk kërkoi kurrë falje për masakrat mbi popullsinë civile të shqiptarëve gjatë luftes së 2001-shit, por përkundrazi, premtoi elektoratit “maqedonas” edhe tribunal nderkombëtar për rigjykimin e luftëtarëv të UÇK-së. Pse? Sepse Afrim Gashit dhe Bilall Kasamit u duheshin Izet Mexhiti dhe Arben Taravari, për ta maskuar misionin e tyre të islamit politik të Erdoganit, me “kauzën” e frontit opozitar.
Nga ana tjetër, heshtja e anëtarëve të ndershëm të BDI, servilizmi, heqja dorë nga kerkesat dhe synimet e drejta të luftës së 2001, mosgatishmëria për kërkesë llogarie dhe për reformim të partisë për të vazhduar sot me luftë politike atë që ishte filluar me armë, e kishte shndërruar BDI-në në një bandë mercenarësh dhe mafiozësh, që pasuroheshin në kurriz të shqiptarëve, duke ju shërbyer politikave antishqiptare, here të LSDM-së, e herë të VMRO-së. Në mungesë të guximit, vetëdijes dhe gatishmërisë për reforma, shpresat ishin varur tek kulti i personalitetit i Ali Ahmetit, duke shpërndarë në rrjete sociale fotografinë e tij duke pirë “duhon” dhe humori primitiv i Artan Grubit.
E gjitha kjo, kishte ngjallur me kohë pakënaqësi dhe revoltë tek shqiptarët duke e bërë BDI-në pré të lehtë për partitë e islamit politik të Erdoganit, të ndihmuara nga LVV. Ndaj këto zgjedhje vetëm sa treguan se sa e sëmurë ështe BDI si parti – aq saqë u rezikua nga Afrim Gashi dhe Bilall Kasami. Zhvillimet e fundit në ish -IRJM, duhen parë si dëshmi se një politikë pa vizion dhe pa një strategji mbarëkombetare afatgjate sjell vetëm ndryshime kozmetike dhe nuk ofron zgjidhje afatgjate.
Koha e kultit të personalitetit, “mbinjeriut” të pakontestueshëm, të gjithdijshëm, të pagabueshëm, nuk gjen vend në politikën bashkëkohore të vendeve demokratike. Vetëm kërkesa e vazhdueshme e llogarisë prodhon përfaqësuese politikë që do t’i binden vullnetit politik të shqiptarëve dhe do të punojnë në shërbim të interesave të tyre.
Afrim Fanda