“Intelektualët” Misionarë

Intelektualët MisionarëKur pas 4 vitesh vuajtje dënimi në burgun e Idrizovës u ktheva në Tetovë, kishte nga ata që kur më shihnin duke ecur rrugës, ndalonin makinën në mes të rrugës dhe dilnin nga makina për t’më përshëndetur dhe uruar daljen nga burgu. Por kishte edhe nga ata që hapur tregonin mospërfilljen, duke e kthyer kokën nga ana tjetër. Madje një nga reagimet që më bëri përshtypje, ishte reagimi i një profesorit tim, i cili më kishte dhënë frëngjisht në gjimnaz. Më pa në sy, më njohu, dhe me një mospërfillje, madje më shumë kisha thanë urrejtje, u kthye për të vazhduar të fliste me ca të tjerë.

Pak zgjati habia ime duke i bërë pyetje vetes: “Pse kjo urrejtje? Çfarë u kisha bërë unë këtyre?” Sepse shumë shpejt u vetëdijesova për faktin se ata nuk kishin gjë me mua, personalisht. Ata në fakt urrenin atë që unë përfaqësoja si ish i burgosur politik. Ata urrenin atë që babai im Nijazi Fanda, Vehbi Lushi, te dy ish të burgosur të Goli Otokut, Mehmet Gega dy herë i burgosur në burgun e Idrizovës, kishin përcjellur tek unë dhe vëllai im Fatmiri, i cili në atë kohë ndodhej akoma në burg në Spuzh të Podgoricës – mosnënshtrimin, konsistencën në qëndrime, këmbënguljen për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare e deri në gatishmërinë për sakrificë për këto të drejta.

Ishte kjo që urrente tek unë edhe profesori im i gjimnazit. Ai më vonë vazhdoi “karrierën” në pushtetin i cili më dënoi mua si 24 vjeçar, duke u bërë deputet, ministër, ambasador…

Kjo mu kujtua, sepse këtë profesorin tim, këto ditë e pashë të ulur në resht të parë, në promovimin e librit të Fadil Lushit Via Goli Otok!

Afrim Fanda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>