“Kriza e sotme e të shprehurit shqip!” Analiza e akademikut Artan Fuga: Mos duhet të presim të çmendemi të gjithë, për të nisur edukimin e komunikimit digjital?!

Artan FugaKriza e sotme e të shprehurit shqip!

 

Në kushtet e anomisë sociale së tranzicionit dhe teknologjisë numerike!

Rrjetet sociale e kanë ndryshuar shumë gjuhën dhe të shprehurit në shqip, ashtu sikurse përdoren në jetën e përditshme. Nuk është çështja te njerëzit, dhe komunikimet e tyre në rrjetet sociale, por edhe në portalet profesionale.

Mbi të gjitha ka një përdorim të shtuar të fjalëve që shënjojnë gjëra të papritura, të pazakonta, skandaloze.

Këto janë të tipit “asteroidi që do të shkatërrojë botën po afrohet”, “Vullkani do e fusi njerëzimin në katastrofë”, “Bie Mbape nga froni”, e të tjera e të tjera.

Po kështu ngjarje të zakonta, pothuajse banale, ose njerëz të zakonshëm paraqiten si hyjni. “Legjenda e futbollit”, “Bota e artit në zi nga ndarja e piktorit të shquar”, “Ikona e kësaj apo asaj fushe” , etj. “Ku je o legjendë!”

Ka një ndarje të frikshme midis kuptimit të një fjale dhe objektit që shenjon. Kështu flitet për ndonjë universitet privat sikur është Harwardi, ndërkohë kur dihet niveli i tij, flitet për mjedisin në qytet si jeshil kur dihet se është beton i gjallë, flitet për parkingje kur dihet se shumica janë terrene me baltë, flitet për këtë dhe ata dhe fjala merret për realitet.

Eshtë shtuar gjuha e sharjeve pa asnjë argument, ku sigurisht figura publike hedhin baltë mbi njeri tjetrin. Terma si “hajdut”, “kriminel”, “bandit”, etj., janë bërë si përkëdheli.

Është rritur çarja semantike kuptimore e fjalëve në raport me të njëjtin objekt. Disa e quajnë të njëjtën gjë me disa fjalë, të tjerë me të kundërtën e tyre.

Disa e quajnë tuneli më i mirë në botë, të tjerë e quajnë një vrimë në mal, disa plazhet më të bukura në botë, disa i quajnë si zona me urbanizëm skandaloz.

Ndodhitë nuk përshkruhen me fjalë të zakonshme dhe adekuate të shqipes, por me fjalë të huaja grandomane : “Gazetari filan hedh bombën”, “analisti filan i ve zjarrin debatit në studio”, “një ngjarje e jashtzakonshme ka ndodhur sot në Rroskovec”, hajde gjeje se ç’mund të ndodhë e pazakontë atje, “blindohet blloku”, se kalojnë dy makina policie, etj, etj.

Fjalitë habitore, urdhërore, gjykimet vetëlavdëruese, shprehjet vetëkonfirmuese, prediktuese, po qarkullojnë me shumicë.

“Do e shohesh si do të përfundosh!” “Unë kam shpëtuar Shqipërinë.” “Unë kështu e unë ashtu!” “Birra ime”, “karriera ime”, “ura që ndërtova unë”, “Unë ju futa këtu”, “unë e ringrita qytetin tim,” etj.

Plazhet tona më të bukura në botë.

Qyteti ynë qendër e kulturës evropiane.

Ne zhvillojmë nanoteknologjinë!

Monumente gjuhësore të vetvetes! Njeriu e ka humbur cipën!

Gjykimet prediktuese të shprehura në fjali gati urdhërore, sikur njeriu di fatin e tij, gjithandej. “Unë do fitoj zgjedhjet”, “ti do të futesh në burg”, “ai do të na fusë në Evropë fiks në vitin 2430”, e kështu me radhë.

Gjuha e kafshëve po quan njerëzit, sikur jemi në kopësht zoologjik. “Ti je derr”, “ne jemi dele”, “ai është tigër”, “çfarë gjarpri paske qenë”, “ik or bajgë”, “or mut”, etj. Fekale gjithandej. “Cfarë i ke gjithë këto pordhë?”

Gjuha ka humbur fjalitë në kushtore, gjithçka është gjykim prediktiv pohues i shkallës së parë. “Java tjetër do të jetë me shi!” “Ndeshjen me Islandën e fitojmë!” “Do të shkojmë në botëror!”

Kjo shfaqet edhe në gjuhën e komunikimit të përditshëm, ku përemri vetor njëjës ose shumës në vetë të parë pra, është gati hyjnor, kurse i vetës së dytë njejës ose shumës është vetë djalli.

“Se unë kështu”, “se unë ashtu”, “se ne kështu”, “se ti je kështu”, “ju jeni ashtu”. “Se ne se ju!”

Momentet e heshtjes në komunikim po zvoglohen, fol sa më shumë, superpozim fjalish, ndërprit fjalinë e njerit tjetrit: “Unë vajta të blej domate, pusho, se ti je hajdut domatesh, ik more komunist, spiun je ti, sa lekë ishte kilja e domates.”

Një absurd komunikimi që ka përçudnuar fjalitë duke i bërë logjikisht absurde.

Gjuha e trupit merr zotërim mbi gjuhën e folur, “ta vesha”, “ta ngjesha”, “të bëfsha këtë, ta bëfsha atë”, “mos më shih ashtu”, “më vjen anash”.

Fol dhe mos dëgjo, dil nga tema, hidhu sa andej këndej, coje bisedën atje ku je superior ndaj tjetrit, flit për gjëra që nuk i di, “kush do ta fitojë luftën në Ukrainë, po në Ramallah”, “po ç’do bëhet me presidentin korean”, gjithçka gjithçka futet në gojën e gjithkujt.

Dalje nga konteksti i marrëdhënies mes të folurit dhe shqisave. Në vend të flitet për kontekste konkrete, zgjerohet e folura metafizike deliruese. “Zoti e tha”, “Ka Zot”, “Njeriu është prishur, fajin e ka tiktoku.”

Shkakësia ka dalë nga shinat. Fjalitë shkakësore në pikiatë logjike. “Fajin e ka populli”, “shkaku është i popullit që populli vuan”. “Ikin në emigrim se vidhen votat.” “Je këtu se je kushëriri i filanit!” “Ngrohja globale po vret arinjtë e bardhë.”

Fol pa lidhje, dil nga tema, hidhu sa në një degë te tjetra.

Mos dëgjo fol. Gjuha shkatërron marrëdhënien mes veshit dhe gojës. Hap gojën si çorap, bëj sikur dëgjon.

Argumenti gjuhësor i tjetrit kur është i fortë merret si fyerje. Beteja dhe fitoret orale kanë rëndësi.

Tjetër gjuhë kur tjetri është përballë, dhe tjetër kur ikën! “Je i madh!” – kur je përballë, “Debili i dreqit” – kur ikën!

Qindra procese për t’u studjuar si ndërveprim mes gjuhësisë, komunikimit, mediave, sociologjisë, epistemologjisë së komunikimit.

Gjuhën e përçudnon sot komunikimi publik. Publikja shkatërron komunikimin duke shpartalluar pastaj edhe gjuhën private.

Ku je Ludvig Witegnestein hajde, se ne jemi laborator për të na studjuar, sa kohë që veten tonë nuk kemi kohë ta studjojmë.

Gjuha ka fituar si telefoni funksionalitete të tjera. As Stalini nuk i ka shpjeguar dot, jo më ndonjë akademik që duket se ka dalë nga BUNKARTI!

Bunk, bunk, dëng dunk!

Gjuha është bërë mjet moskomunikimi, mjet manipulimi i tjetrit, mjet vetëvlerësimi!

I folurit përballë një publiku virtual, kur tjetri është në distancë, i shprehuri gjuhësor kur mundet ta fshehësh unin tënd, pra të flasësh si anonims, të gjitha këto e kanë shkalafitur gjuhën, të shprehurit, psiqikën e njeriut.

Komunikimi publik po shkatërron hapësirën publike, fut në kaos të gjithë shoqërinë, sikundër hapësira publike e shkatërruar po shkatërron të shprehurit publik po se po, por edhe atë që quhet gjuhë private.

Edhe kur njeriu flet me vete, infektohet nga i shprehur në publik, shan me vete, lavdëron veten me vete, çfarë mendon tani me vete nuk mendon pas një sekonde, deliron me vete.

Publikja pasi shkatërron komunikimin social, i kthehet vetes dhe e dërmon. Pastaj vetja e dërmuar del me jatagan në dorë dhe shkatërron publiken!

Dhe kur konstaton të gjitha këto, thua : Mos duhet të presim të çmendemi të gjithë ku nuk mban më, për të nisur edukimin për një komunikim dixhital që po na shkatërron!

Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>