Vuçiç: SHBA do t’i vendos sanksione industrisë serbe të naftës për shkak të pronësisë ruse

Juzni tokPresidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të premten në mbrëmje se Shtetet e Bashkuara pritet t’i vënë sanksione “brenda pak ditësh” Industrisë së Naftës së Serbisë, për shkak se kompanitë ruse janë pronare të shumicës së aksioneve.

 

Industria e Naftës e Serbisë (NIS), shumica e aksioneve të së cilës u takojnë kompanive ruse Gazprom Neft dhe Gazprom, është furnizuesja e vetme e Serbisë me gaz dhe pronarja e të dy tubacioneve që transportojnë gaz nga Rusia për në Serbi.

“Sanksione do të vendosin edhe britanikët, por kjo do të thotë të gjithë. Ky është ndoshta një nga lajmet më të rënda”, tha Presidenti Vuçiç gjatë një interviste në kanalin proqeveritar Informer, duke paralajmëruar se sanksionet mund të hyjnë në fuqi nga një janari i vitit 2025.

Zëri i Amerikës në gjuhën serbe i kërkoi Departamentit amerikan të Shtetit dhe Departamentit të Thesarit një koment lidhur me pohimet e presidentit serb, por nuk pati një përgjigje të menjëhershme.

Serbia e cila zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ruan marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

“Unë mendoj se kjo është pjesë e trysnisë më të gjere gjeopolitike ndaj Rusisë”, tha Presidenti Vuçiç, duke theksuar se sanksionet ndaj NIS-it do të ishin një goditje e rëndë për Serbinë, e cila është duke negociuar një marrëveshje të re me Rusinë për furnizim me gaz, meqë marrëveshja aktuale skadon në mars të vitit 2025.

Ai theksoi se do të jetë me rëndësi të dihet nëse do të ketë një “periudhë përshtatjeje” dhe nëse situata mund të zgjidhet duke ulur përqindjen e pronësisë ruse në NIS.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>