Maqedonci flet në RTK për marrëveshjen me MKE për Fabrikën e Municioneve

maqedonciMinistri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci e ka vlerësuar jetësim të objektivit nënshkrimin e marrëveshjes për funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve me kompaninë turke të industrisë së municioneve, MKE, e që sipas tij është edhe pjesë e strategjisë së sigurisë së Kosovës, por edhe e strategjisë së mbrojtjes.

 

“Është një element shumë i rëndësishëm në fuqizimin e mbrojtjes në përgjithësi, veçanërisht në fuqizimin e kapaciteteve ushtarake të Republikës së Kosovës, por edhe kapaciteteve tjera, sepse me Fabrikën e Municionit, ne krijojmë një vetëqëndrueshmëri në aspektin e furnizimeve me municione, sidomos në kohën kur bota po përballet me mungesë të tyre si pasojë e luftërave të fundit, veçmas asaj në Ukrainë. Vlerësoj se është një hap tejet i rëndësishëm që ka bërë vendi ynë në këtë aspekt”, ka theksuar ministri Maqedonci në një intervistë në Lajmet Qendrore në RTK.

Ai ka thënë se qëllimi i kësaj fabrike është prodhimi i municioneve për vete.

“Objektiv primar i kësaj fabrike është që të krijojë qëndrueshmëri për institucionet tona, duke përfshirë ushtrinë, policinë dhe institucionet tjera që e përdorin armatime dhe që i përkasin standardeve të NATO-s. Pastaj në bashkëpunim edhe me partnerët tjerë do të shikojmë mundësinë që të eksportohen këto armë edhe jashtë vendit, duke pasur parasysh se ky brend do të jetë kosovar dhe këto sisteme e këto municione janë sipas standardeve të NATO-s dhe do të jenë të pranueshme për të gjitha ushtritë e vendeve të NATO-s”, ka nënvizuar Maqedonci.

Tutje ministri i Mbrojtjes ka thënë se në këtë fabrikë do të prodhohen dy lloje të municioneve.

“Do të prodhohen municione që përdorim në FSK dhe në Policinë e Kosovës, por edhe armë të tjera që përdoren nga njësitë e këmbësorisë në të gjitha ushtritë e vendeve të NATO-s. Fillimisht është menduar të prodhohen municione 5.56 milimetra, që është një municion standard për armët e këmbësorisë si dhe municioni 7.62 milimetra, që është municion që përdoret në mitrolezët e lehtë, pasi këto municione janë ato që më së shumti shpenzohen”, ka shtuar Maqedonci.

Ai ka thënë se sistemi i makinerisë është konvertues dhe kësisoj do të ketë mundësi të integrohen edhe forma dhe makineri tjera për prodhimin e municioneve të ndryshme.

Lidhur me paqartësitë rreth lokacionit të Fabrikës së Municionit dhe nëse ajo mund të jetë në ish-fabrikën e municionit të gjuetisë në Prekaz, ministri ka thënë se nuk mund të japë shumë detaje, por sipas tij është e qartë se projekti për rregullimin e kompleksit memorial në Prekaz përfshinë brenda tij edhe ish-fabrikën e municionit të gjuetisë.

“Normalisht shumë prej informacioneve që përmban kontrata dhe vet koncepti ynë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes nuk do të mund të bëhen publike, por do të bëhen publike në kohën e duhur. Besoj se për një afat të shkurt do të kemi në funksion Fabrikën e Municionit. E thash edhe më herët për shkak të ndjeshmërisë së informacionit do të jetë e pamundur të ndajë gjithë informacionin që përmban kontrata sepse ajo është e klasifikuar. Por, do të jetë në një afat shumë të shkurtër, në krahasim me afatet që kërkohen për t’u ndërtuar këto lloj fabrikash. Ne, këtë kontratë po e bëjmë me një prej gjigantëve të industrisë ushtarake turke, që është MKE, që është një kompani shtetërore, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë dhe që ka një traditë përafërsisht 500-vjeçare të armëve, me hapjen për armët moderne gjatë viteve 50-ta”, ka theksuar Maqedonci.

Ndërsa, lidhur me laboratorin për dronët, ai ka thënë se ky është një projekt tjetër.

“Hapja e laboratorit për dizajnimin e dronëve do të jetë një projekt i veçantë, ku ne do të bashkëpunojmë me vendet partnere. Në këtë rast me shumë gjasë nuk do të jetë Turqia, por ndonjë vend tjetër”, është shprehur ministri.

I pari i Ministrisë së Mbrojtjes ka hedhur poshtë  çdo pretendim se nënshkrimi i marrëveshjes së sotme për Fabrikën e Muncionit ka të bëjë me fushatën parazgjedhore.

“Jo nuk ka të bëj aspak. Ne me kompaninë shtetërore turke MKE, kemi zhvilluar diskutime disa viteve. Më saktësisht para disa muajve kemi pranuar një letër-qëllimi, e cila ka pasqyruar prezantimin e kësaj kompanie që të bashkëpunojë me ne, në ndërtimin e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes dhe në vazhdimësi ka pasur diskutime. Normalisht se pas diskutimeve erdhi koha e realizimit”, ka përfunduar Maqedonci.

rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>