Qosja e ka quajtur vrasës Kryeministrin e ri të Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se Isa Mustafa është njeriu i cili udhëhoqi Prishtinën në kohën e Milloshevicit, shtypi dhe vrau protestuesit shqiptarë vetëm pse kërkon Republikë për Kosovën.
Madje, Qosja është marrë edhe me pozitën e Ministrit të Forcës së Sigurisë, duke thënë se kjo pozitë iu dha LDK’së, e cila sipas tij, ka bërë komprometim moral e politik mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.Lexojeni të plotë reagimin
U TMERROVA
U tmerrova të premten më 12 dhjetor, kur ish kryeministrin e Kosovës në detyrë, Hashim Thaçin, e pashë duke ia dorëzuar kryeministrinë, në tepih të kuq, kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës.
A e dinte Hashim Thaçi se kujt po ia dorëzonte kryeministrinë e Kosovës?
A e dinte Hashim Thaçi se Isa Mustafa ishte kryetar i Qeverisë së Prishtinës në kohën e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit!
A e dinte Hashim Thaçi se Isa Mustafa ishte Ministër i Qeverisë së Kosovës e cila në dhjetor të vitit 1989 e urdhëroi milicinë që të shuante tubimet protestuese të studentëve dhe të rinisë shqiptare, me ç’rast u vranë 32 protestues dhe u plagosën 70?
A e dinte Hashim Thaçi se kryeministrinë e Kosovës po ia dorëzonte njërit prej vrasësve të protestuesve shqiptarë, që po kërkonin Kosovën republikë?
A e dinte Hashim Thaçi se asnjë shtet i dinjitetshëm evropian nuk i bën kryeministra vrasësit e atyre që mbrojnë popullin prej dhunës së pushtuesit?
U tmerrova kur në Kuvendin e Kosovës u dëgjua se Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës iu dorëzua Isa Mustafës, partia e të cilit s’ka lënë mjet propagandistik pa përdorur me qëllim të komprometimit politik, moral e kombëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë Luftës e pas Luftës!
U tmerrova kur mendova se, paraardhësja e FSK-së, UÇK-ja, që u çua në luftë kundër pushtimit serb, kundër regjimit gjakatar të Sllobodan Millosheviqit, dhe shqiptarëve që ishin vënë në shërbim të tij, ndër të cilët ishte rreshtuar edhe zyrtari i lartë, Isa Mustafa, u tmerrova pra kur UÇK-ja e lavdishme iu dorëzua armikut të vet të dikurshëm, Isa Mustafës.
U tmerrova kur mendova se ish përfaqësuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, harroi se në këtë mënyrë po fyente rëndë UÇK-në e Luftës dhe po fyente rëndë Forcën e sotme të Sigurisë së Kosovës!
U tmerrova kur kryeministrin e porsazgjedhur të Kosovës, ish zyrtarin e Millosheviqit, Isa Mustafën, e dëgjova të thotë se detyra e parë e Kuvendit të Kosovës dhe e Qeverisë së tij është miratimi i ligjit për gjykatën e veçantë të Kosovës!
U tmerrova kur mendova se Hashim Thaçi duarhapur ia dorëzoi fatin e komandantëve të UÇK-së, në të vërtetë të krejt UÇK-së ish zyrtarit të Sllobodan Millosheviqit, kryeministrit të tanishëm të Kosovës, Isa Mustafës,
U tmerrova kur e dëgjova fjalimin programatik, mashtrues, të Isa Mustafës, në Kuvendin e Kosovës, në të cilin asnjëherë nuk e përmendi fjalën Shqipëri! Dhe si ta përmendte? Shqipërinë e futi shumë lehtë ai në thesin e tij politik me Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Greqinë, Bullgarinë – si vende të rajonit!
U tmerrova kur disa zyrtarë e jo zyrtarë i dëgjova duke thënë se Isa Mustafa s’duhet të jetë viktimë politike e jetëshkrimit të vet antikombëtar në kohën e terrorit më të madh të Millosheviqit!
U tmerrova se si të gjithë këta gojëtarë u pajtuan me viktimizimin politik të Fadil Hoxhës, të Veli Devës, të Xhavit Nimanit, të Ismail Bajrës, të Azem Vllasit e të shumë udhëheqësve të tjerë shqiptarë, që Milloshëviqi i qiti edhe prej Lidhjes së Komunistëve, sepse po trajtoheshin si nacionalistë shqiptarë, por s’po u pajtuakan me viktimizimin politik të zyrtarit të përkushtuar në regjimin e Rrahman Morinës, domethënë të Millosheviqit, Isa Mustafës!
A ka parimësi në gjykimet e këtyre njerëzve dhe a ka drejtësi në gjykimet e këtyre njerëzve?
Dhe, a mbrohet dinjiteti politik e shtetëror i Kosovës me gjykime të tilla? Jo, natyrisht.
U tmerrova kur mendova se asnjë anëtar i udhëheqjes së PDK-së dhe, sa më duket, asnjë anëtar i PDK-së, nuk e ngriti zërin kundër kësaj dhurate politike, fyese për Kosovën, që Hashim Thaçi ia fali Isa Mustafës!
Do të pajtohesha që çdo anëtar i LDK-së të bëhej kryeministër i Kosovës, por dinjiteti politik dhe shtetëror i Kosovës më bën të vendosur të mos pajtohem që kryeministër të jetë ish zyrtari i Rrahman Morinës, në të vërtetë i Sllobodan Millosheviqit, Isa Mustafa.
Ky njeri ia ka kthyer shpinën Kosovës në ditët më të rënda të popullit të saj shqiptar; ia ktheu shpinën Bllokut politik me të cilin gjatë gjashtë muajve shqiptoi aq fjalë komprometuese për PDK-në, kryetarin e saj dhe ish kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin.
A mos mendon Hashim Thaçi se ky njeri që ia ktheu shpinën Kosovës në ditët e saj më tragjike, që ia ktheu shpinën Bllokut me të cilin bëri betejë gjashtëmujore politike kundër tij, mos mendon, pra, Hashim Thaçi se ky njeri zëvendës i të cilit ka pranuar të bëhet, pas të cilit do ta shohim tani e tutje, s’do t’ia kthejë shpinën edhe atij.
Hashim Thaçi kishte zgjidhjen e dinjitetshme: kishte Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Jakup Krasniqin dhe Albin Kurtin, por Hashim Thaçi, sigurisht i këshilluar e i ç’këshilluar qysh s’duhet, u deklarua për zgjidhjen fatale!
Ai e harroi një të vërtetë që s’do të dëshiroja kurrë ta harronte: rënia e mjerë e zhvlerëson ngritjen e lavdishme!
Jam i tmerruar sot kur po i shoh të heshtur ish të burgosurit politikë, veteranët e Luftës, invalidët e Luftës, studentët e Universitetit Publik të Prishtinës – pasardhësit e studentëve të lavdishëm të vitit 1981 – të gjithë ata që Kosovës, me luftën e tyre çlirimtare, ia kthyen nderin e dinjitetin e humbur. Mos këta të merituar mendojnë se misioni i tyre ka marrë fund në vitin 1999?
Mos këta të merituar pajtohen me identitetin e tyre të sotëm – të ndryshuar!
Kam drojë, kam shumë drojë se këtë tmerrim do ta marr me vete përgjithnjë!