DIOGUARDI ËSHTË LEGJENDË E GJALLË

Për Z. Xhozef Dioguardin për herë të parë dëgjova në vitin 1987, nga Zëri i Amerikës, nga një transistor i punuar enkas për tu fshehur në pajisjet e burgut të Idrizovës, në kohën kur Kongresi Amerikan solli një Rezolutë të ashpër kundër shtypjes së shqiptarëve në ish Jugosllavi.Jeta deshte, që unë ta pres Z. Dioguardin në Qafë Thanë. të vitit 1992. Ai vinte nga Shqipëria, ku kishte qenë me një grup Senatorë dhe Kongresmen Amerikanë. Tashti më ish Kongresmeni Dioguardi, ishte organizator dhe i printe delegacionit të Kongresit Amerikan për ta bindur Stejt Departamentin të investojë në politikën Amerikane për çështjen e shqiptarëve në këto troje.
Z. Dioguardi me delegacionin kishte probleme me policinë me të aritur në Qafë Thanë. Hotelet ,,Biser,, dhe ,,Drim,, nuk deshin ti akomodojnë, pasi ishin të informuar për qëllimin e tyre. Kongresmenët dhe Senatorët Amerikanë, i vendosëm në shtëpiat tona. Qëllimi parësor i ardhjes së delegacionit Amerikan ishte Referendumi për Autonomi territoriale dhe politike të shqiptarëve në Maqedoni, i cili u mbajt në vitin 1992 dhe u shpall në Strugë Republika e Iliridës. Vizitën e parë Delegacioni Amerikan e bëri në fshatin Llabunishtë të Strugës, për të vazhduar në Kërçovë, Dibër, Gostivar, Tetovë dhe Shkup, për të përfunduar në Kosovë dhe në Mal të Zi. Më vonë Serbia ia ndaloi hyrjen në Jugosllavi.
Për jehonën dhe rëndësinë e delegacionit Amerikan, shkrojtën kronikat e kohës. Kjo vizitë kishte karakter shumë dimensional. Amerika e dha një mesazh të fortë se do të jetë në anën e lirisë dhe demokracisë për shqiptarët dhe e dyta ua nxori lepurin nga barku shumë shqiptarëve.
Pas ardhjes së delegacionit Amerikan, të kryesuar nga Z. Xhozef Dioguardi, pasoi ardhja e edhe disa zyrtarëve të lartë amerikanë në Kosovë dhe filloi një interesim më i madh i Departamentit të Shtetit për çështjen shqiptare. Janë edhe disa qindra aktivitete politike, demonstrata, memorandume dhe tubime përkujtimor dhe humanitare që janë të regjistruar në Arkivin e LQSHA.
Z Dioguardi është figurë emblematike e Lëvizjes kombëtare të shqiptarëve në Amerikë. Ai ishte anëtar i Kongresit Amerikan në vitet 1985-1988. Për punën e bërë në Kongresin Amerikan, janë disa qindra orë incizime, të cilat munden të gjinden në faqen zyrtare të Lidhjes Qytetare Shqiptato-Amerikane.
Z. Dioguardi flet dhe vepron përtej një shqiptarë të lindur dhe të rritur në mes të tokave shqiptare. Edhe pse, Arbëreshit shqiptar, Lobi Serb në Amerikë i ka ofruar miliona dollarë, që ai të tërhiqet nga politika antijugosllave edhe pse disa herë e kanë kërcënuar edhe me jetë, atij nuk i ka luajtur qepalla e syrit që të vazhdojë të punojë për lirinë e popullit të vetë. Ai me kontributin dhe qëndrueshmërinë e tij ua ka kaluar qindra politikanëve shqiptarë, të cilët bëjnë selfie me Metodij Shatorov Sharllon dhe e hanë bukën e djersës së tij dhe të shumë veprimtarëve dhe të dëshmorëve.
Z. Dioguardi ka bërë të pamundurën për ta afirmuar çështjen e shpëtimit të Hebrenjve nga ana e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku nuk u eliminua asnjë Hebre, në dallim nga Maqedonia, e cila kishte disa mijëra hebre, të cilët popullata vendase dhe jo ,,okupatori,, bullgar ua dorëzoi nazistëve, të cilët i dërguan nëpër kampet e përqendrimit në Gjermani
Z. Xhozef Dioguardi ka dhënë kontribut të madh në formimin e Lobit shqiptar në Amerikë. Po ky zotëri, me shqiptarët i afroi legjendat e Kongresit amerikan si: Bob Doll, Eliot Engëll, Tom Llantosh. Gillman dhe shumë të tjerë, të cilët, natyrisht me veprimtarët shqiptarë atje, e bindën Departamentin e Shtetit Amerikan që ta mare në dorë çështjen shqiptare.
Kongresmeni Tom Llantosh, ishte I pari që e solli Rezolutën e parë në vitin 1992, me të cilën bota dëgjoi për shqiptarët dhe për gjendjen e tyre të mjerueshme. Që nga kjo Rezolutë, e cila bazohej në raportin që delegacioni Amerikan, i kryesuar nga Z. Dioguardi ia dorëzoi Kongresit Amerikan, politika Amerikane mori një kahje tjetër.
Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka një aktivitet kolosal për çështjen shqiptare. LQSHA, ka një arkiv madhështor dhe më habit fakti që si është e mundur që sot kemi disa tema doktorature që e trajtojnë një kufomë, sikurse që është Marrëveshja e Ohrit dhe nuk kemi asnjë punim doktorature për punën kolosale të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane. LQSHA
Browse Pages të WWW AACL.COM, ka qindra dokumente dhe incizime të aktiviteteve dhe të Seancave Dëgjimore të çdo vjeti, duke filluar nga viti 1987. Në të gjitha këto Seanca Dëgjimore, të cilat mbahen në Kongresin Amerikan, në Sektorin e Evropës Juglindore, konkretisht për trojet shqiptare, Z. Dioguardi është referuesi kryesor për çështjen shqiptare. pa lënë anash edhe Zonjë Shirley Dioguardi dhe shumë veprimtarë shqiptarë. Vetëm të shihni se me sa emocion dhe zemërbardhësi Z. Dioguardi e mbron çështjen shqiptare në Amerikë, do të mendojnë se flet ajka e kombit shqiptar. Z. Dioguardi flet me zemër. Ai e ndjen atë që e thotë. Ai vuan për shqiptarët që ende nuk po e jetojnë lirinë e merituar.
Stili dhe emocionet që I paraqet Z. Dioguardi mi kujtojnë diskutimet që I kanë bërë Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina nëpër kancelaritë e Evropës , përpara dhe pas konferencave të Londrës dhe të Parisit, para dhe pas vitit 1912.
LQSHA, me video dhe filmime të ndryshme e ka sensibilizuar të gjithë botën për çështjen shqiptare. Nuk ishte e rastit, që gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998, shumë amerikanë u paraqitën vullnetarë për të luftuar për shqiptarët. Këtë opinion në Amerikë e krijoi edhe LQSHA.
Në botë ka disa dhjetëra popuj më të mëdhenj se shqiptarët, mirëpo Lobi shqiptar Lidhja Qytetare Shqiptare –Amerikane, është ajo që organizon për çdo vjet në muajin shtator seance dëgjimore. Në këto Seanca Dëgjimore, gjithnjë është prezent Kryetari I komisionit për politikë të jashtme pranë Kongresit Amerikan .
Në seance Dëgjimore të 17 shtatorit të vitit 2014, ishin udhëheqësit më të rëndësishëm të sektorit të Kongresit, për Evropën Jug-lindore, ata e kanë çelësin në dorë sa I takon Komitetit për Politikë të Jashtme. Ed Royce-kryetari I Komisionit për punë të jashtme pranë Kongresit ,,Emericus Ileana Ros-Lehtenin, Kryetarja e Nënkomitetit për Evropën, Zonja Rohrabacher dhe zyrtarë të tjerë të Kongresit. Këtë Seancë Dëgjimore, si gjithnjë, edhe këtë vjet e organizoi Lidhja Qytetare shqiptaro-Amerikane.
Amerika është shtet me nishane. Kur dikush thirret të dëshmojë në komisionin për politikë të jashtme pranë Kongresit, kjo do të thotë se ti je dikush, dhe ky dikush është Lobi shqiptar, në krye me Z. Shirli dhe Xhozef Dioguardi, natyrisht me bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë.
Në Seancën Dëgjimore të 17 shtatorit 2014, Zonja Shirli Dioguardi ishte shumë shqiptare dhe këmbëngulëse në mbrojtjen e çështjes tonë. Ajo tingëllon më mire se të gjithë pushtetarët shqiptarë së bashku. Ajo e mbron me këmbëngulje çështjen shqiptare në Maqedoni pasi edhe ajo si edhe i shoqi, Z. Dioguardi e kanë në shpirt popullin shqiptar. Në Seancën dëgjimore të 17 shtatorit të mrekullueshëm ishin edhe Z. Destan Aliu, ish I burgosur dhe dhuruesi I kodrës ku u ndërtua Memoriali Nëna Shqiptare në Zajaz, Agim Aliçkaj, ishte zjarr i gjallë, Lirim Ahmeti zhveshi lakuriq glasën politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni dhe shumë të tjerë që nuk mundem të përmendi në një shkrim gazetaresk.
Është koha e fundit që shqiptarët të përqendrohen në forcimin e Lobit shqiptar në Amerikë-LQSHA, e jo të formojnë Lobe rivale. Amerika nuk njeh dy Lobime, por vetëm një. Kush ka dy ,nuk ka asnjë. Duhet përveshur mëngët ,pasi të gjithë kongresmenët e vjetër filoshqiptar nuk janë më. Duhet forcuar Lobin me kuadro të rinj, shqiptaro-amerikanë të arsimuar, se vetëm në këtë mënyrë do të eliminohen mbeturinat e UDB në Lobin shqiptar.
Amerika nuk është një vend ku mundesh të zësh një mik, duke I paguar pesë qebapë në një kafene. Dioguardi, ose veprimtarët tanë, nuk ulen në kafene ku një kafe kushton një dollar. Ne duhet t’ia vëmë gishtin kokës. Një kafe e një kongresmeni, kushton sa një kafene e jona. Amerika funksionon ndryshe nga Ballkani
Lobi duhet të jetë NJË dhe vetëm NJË. Partitë politike shqiptare, kudo që janë, të shpallen subjekt non grata të Lobit. Dobësimi I Lobit filloi që ditën e parë, që kur partitë politikë lëshuan pipthat e oktapodit në Amerikë. Partitë politike synojnë pushtetin,Ato kanë Platforma Politike mjegulluese. Ato nuk e kanë thelbësore çështjen kombëtare, sikurse që e ka LOBI, por gjendjen e vetë materiale dhe statusin shoqëror, këtë e ka vërtetuar praktika, dhe kjo punë nuk do koment.
Uroj që në seancën e ardhshme dëgjimore në Kongresin Amerikan, në 17 shtator të vitit 2015, të gjithë shqiptarët e Amerikës, pa mare parasysh se cilit grupimi I takojnë, të përfaqësohen me një zë. Kjo është një dhe kërkesa e vetme e Shoqatës së të Burgosurve Politik Shqiptar, Shpëtim Pollozhani, kryetar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>