Jo me bombat e Kryetarit të opozitës por edhe me topat e Sulltan Hamitit në rast se gjuajmë, nuk do ta zgjojmë nga gjumi pozitën dhe ndihmësin e saj ,,opozitën,, shqiptare. Nuk ngeli më asnjë vlerë morale e pushtetarëve, ky është kiameti. Kryetari i ,,dërzhavës,, e shkarkon zëvendës drejtorin shqiptar të shërbimeve sekrete dhe partia shqiptare në pushtet, nëpërmjet të një komunikate e informon opinionin se nuk pajtohet me këtë punë. Po kush e pyet varësen e çelësave (BDI) se kur duhet të niset dhe kur duhet të fiket makina.Ish ushtarëve të UÇK, u plasi durimi dhe u tubuan para selisë së Partisë së tyre njerkë. Edhe kësaj radhe ua lanë kokën me akull. Natyrisht, aty ishte deputeti i ,,zgjedhur,, i Strugës, Zv. Kryeministri, Musa Xhaferi i Zajazit, i cili u dha tri herë më shumë premtime se sa do tu kishte dhënë Komandanti i atyre. Nuk e dinë ata se politika e tharton karakterin e ,,njeriut,,. Edhe guri mban peshë të madhe, por edhe ai e ka një kufi. S,ka më keq, se kur të shpërthen bomba në dorë.
Duke u nisur nga fakti që kjo qeveri është duke i armatosur me armë ofanzive dhe më moderne vetëm njësitet elitare të policisë dhe të ushtrisë, dhe e ka lënë pas dore pajisjen me armatime moderne ushtrinë dhe duke e marr parasysh gjendjen politike të momentit, nuk më habit fakti në rast se një ditë zgjohemi nën pushtetin e një Junte policore, natyrisht në ,,dobi të popullit dhe të ruajtjes të rendit kushtetues,,. Policia dhe shërbimet sekrete (buxheti për policinë dhe për shërbimet sekrete ,është dhjetë herë më i madh se buxheti për ushtrinë) janë nën kontroll të drejtpërdrejtë të partisë në pushtet VMRO, që do të thotë: Partia e Brendshme Revolucionare Maqedonase. Është revolucionare, pasi sipas doktrinës së VMRO, revolucioni për një Maqedoni me Selanikun e Korçën brenda, akoma nuk ka mbaruar. VMRO si partner të koalicionit me BDI-në e ka edhe Partinë TMRO, që do të thotë: Partia Ilegale Revolucionare Maqedonase. Kësaj punë në kohën e Revolucionit të Xhon Turqve të Rinj, (1908) i thonin: Jashasën Hyrijet-Shashërdi Milet (rroftë republika u trullos populli)
Duhet theksuar se në njësitet elitare policore, sikurse që janë: Ujqit, Tigrat, Luanët, Skorpionët, Njësiti i blinduar Pancir, Gjashtë drejtoritë civile për zbulim dhe për kundërzbulim, tre Shërbimet Sekrete të ushtrisë dhe në disa dhjetëra Institute dhe institucione që merren me çështje të sigurisë, prania e shqiptarëve matet me një ose dy përqind.
Zëvendës ministrat dhe as ministrat shqiptar (kompetent) sikurse që është Ministri i Drejtësisë dhe Zv. Ministri i policisë , as që informohet ose konsultohet për aksionet e Njësiteve speciale të policisë ose të ushtrisë. Kjo është konstatuar disa herë nga deklarata shumë kontradiktore të përfaqësuesve shqiptarë dhe të atyre maqedonas në polici. Gjatë këtyre njëzet e pesë viteve, gjithnjë ka pasur nga ndonjë zëvendës ministër të punëve të brendshme shqiptar, por gjatë të gjithë aksioneve të policisë, qoftë të asaj të rregullt ose të njësiteve speciale , shqiptarët i ka zënë në gjumë.
Jo që shqiptarët nuk respektohen si partnerë të koalicionit, por ata injorohen , përbuzen dhe nënçmohen, kurse ata vazhdojnë të qëndrojnë të kapur për pushteti si i piri për gardhi. Një herë koalicion, për të gjithë jetën koalicion, njëlloj si mjellmat.
Brenda ,,dërzhavës,, po vlon skena politike. Pothuajse është burgosur lideri i opozitës. Pushteti e akuzon liderin e opozitës për të gjitha matrapazllëqet që i ka bërë vetë; sikurse që janë; përgjimet, partizimin e administratës, kontrolli ndaj gjyqeve dhe të gjithë instituteve dhe të institucioneve të shtetit. Keqpërdorimi i qindra milionë Euro për projektin qesharak ,,Shkupi 2014,,, për burgosje dhe eliminim të kundërshtarëve politikë . Pozita e akuzon opozitën se për dhjetë vjet të sundimit të kësaj pozite, është dyfishuar borxhi i jashtëm. Opozita dhe shqiptarët akuzohen për dështimin e regjistrimit të popullsisë dhe të pronave në vitin 2010, i cili ,,dështoi,, pasi partia në pushtet e konstatoi se i doli hileja në shesh, ku në një vend me dy milionë na dolën një milion e tetëqind mijë votues, nga të cilët treqind mijë fiktivë. Shqiptarët dhe opozita kanë faj që pushteti nuk ka një regjistër qendror të zgjedhësve, që të mos mundet i njëjti person të votojë në disa vendvotime, natyrisht me dokumentacione falso, sikurse që u vërtetua mënyra se si votonin banorët e Liqenasit, të cilit Sali Berisha ia ndërroi emrin në Pustec. Fshati digjet plaka krihet. Për pothuajse burgosjen e liderit të opozitës, i cili është kulaç nga i njëjti brumë si pozita kur janë në pyetje shqiptarët, PDSH është futur në çintjane, kurse BDI, kërkon të respektohet Prezumpcioni i Pafajësisë, sikurse në rastin e ,,Monstrumit,, dhe shumë proceseve të tjerë të montuar.
Partia shqiptare në pushtet BDI, bashkë me nëndegën e vetë PDSH dhe jaranët e tyre në Kosovë, si duket janë në rrugë të mbarë që ta zgjidhin çështjen shqiptare. Forca më vitale dhe promotori i zhvillimeve shoqërore, ekonomike dhe politike, po largohet me të madhe nga trojet e veta. Mos u habisni, në rast se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të mundemi më të zgjedhim prefektin shqiptar në Strugë ,në Dibër dhe në Kërçovë. Ky është rezultati i gjumit të BDI dhe nëndegës së saj PDSH. Opozita e vendit dhe shqiptarët që nuk kanë qasje te grazhdi, janë fajtorë që ,, dërzhava,, është në vendin e 123, sa i takon lirisë së 35ve. Partia shqiptare në pushtet dhe nëndega e saj, PDSH nuk e vënë aspak në zjarr ujin se në Luginën e Pollogut helmohen me materie radioaktive qindra dhe mijëra qytetarë, se pronari rus mundet aty të asgjësojë edhe materie radioaktive. Ministër i Ekologjisë është një shqiptar,edhe prefektja e Tetovës është shqiptare. Si është e mundur kur një popull i i tërë është ngritur në këmbë për ta mbyllur Vrasësin ,Jugohrom, këta nuk luajnë as me gishtin e vogël. ,,Dërzhava,, është e dyzeta për nga shërbimet shëndetësore nga 40 vende të Evropës. Sa u takon lirive dhe të drejtave të njeriut ,, dërzhava,, është në një listë me Angolën, Kolumbinë dhe Afganistanin, diku nga vendi i 123.
Edhe kësaj radhe miqtë tanë ndërkombëtarë ishin konsekuent në deklaratat e tyre, njëlloj sikurse me Procesin e montuar ,Monstra,. Ata thanë se duan të shohin një proces të drejtë dhe konsekuent, njëlloj si gjithë të tjerët. Është i freskët Procesi për vrasjet te liqeni i Smilkovcit afër Shkupit, ku në një proces të montuar , pesë shqiptarë u dënuan me burgim të përjetshëm, edhe pse nuk u gjet as arma e krimit, as dëshmi konkrete, as gjurmë të vrasësve, as motivi, as ndonjë lloj mjeti me të cilin ,,është kryer,, krimi. Argumenti kryesor i pushtetit ishte Dëshmitari i Mbrojtur. Pushtete diktatorial, gjithnjë do të gjejnë edhe njëqind , dëshmitarë të mbrojtur në rast se e do nevoja. Edhe me rastin e procesit ,,monstra,, përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtarë i dhanë deklaratat e njëjte sikurse me rastin ,,PUÇ,, që do të thotë Grusht shteti. Të gjitha këto ndodhin në një kohë kur ministër i drejtësisë është shqiptar-fatkeqësisht kuadër i BDI, për të cilin kisha një respekt të madh. Në vend po ndodhin edhe vlimet me ri-testimet e nxënësve , studentëve dhe të profesorëve. Ministër i Arsimit është gjithashtu një kuadër i BDI, thonë se është një inxhinier i xehetarisë. Çfarë norme pedagogjike, metodike ose didaktike njeh një inxhinier i xehetarisë, i cili është në krye të një ministrie me 14 sektorë ku pothuajse nuk ka asnjë shqiptar. Kush do ti ushqejë me informata ministrat shqiptarë në rast se nuk kanë bashkëpunim me drejtorët e sektorëve, të cilët sipas instruksioneve dhe informatave që i kam i bojkotojnë, natyrisht që punën ta kryejnë sekretarët dhe shefat e sektorëve, ku të gjithë janë joshqiptarë.
Stejt Department, Komiteti i Helsinkit dhe të gjithë organizmat e tjerë të vendit dhe të huaj, që merren me të drejtat e njeriut, alarmojnë për një situatë të tensionuar në vend. Fajtorë të mëdhenj në këto rrethana janë edhe BDI, të cilët ia mbrojnë mizat Gruevskit bashkë me nëndegën e saj PDSH , e cila e pengon bashkimin ose ndonjë fitore të opozitës, por jo edhe për shumë gjatë. (rasti i Gostivarit, kur PDSH ndihmoi që për Prefekt të Gostivarit të zgjidhet kuadër i BDI, që nuk është aspak normale, mirëpo ky votim ka qenë pazari me Shërbimet sekrete të vendit. Disa ditë përpara zgjedhjeve të fundit lokale Kryetari i PDSH u kap me presh në dorë në një takim sekret me Shefin e Shërbimeve Sekrete të ,,dërzhavës,,).
Shqiptarët nuk duhet ta shohin ardhmërinë e vetë duke ikur në dhe të huaj. Toka e jonë është pjellore, e bukur dhe e begatë, natyrisht , për ata që e duan punën gjithnjë ka një mundësi. Dielli lind për të gjithë.
Strugë, 04 shkurt 2015 / Shpëtim Pollozhani