Shkruan: Bejtullah Sadiku
Ne shqiptarët, me shekuj jemi të shtypur deri në palcë, të shfrytëzuar e të grabitur tej mase, të tjetërsuar e konvertuar me kushtëzime sistemesh e politikash ditore të sunduesve ma të egër, megjithatë kemi bërë hapa të mëtejmë të ndryshimeve e zhvillimit, e mbamë disi hapin me popujt tjerë, që janë llogaritur e akoma llogariten si ma të civilizuar. Në këto hapësira zhvillimore, nuk do të thotë se s’ka pas gabime e lëshime, ku si pasojë janë reflektuar në ngecjen prapa te të gjitha ato procese zhvillimore, që akoma sot e kësaj dite na mungojnë, a për të cilat shoqëria shqiptare mundohet ti fitoj e realizoj njëherë e përgjithmonë.
Ku qëndron problemi i (mos)funksionimit e i (mos)realizimit?
Si duket, ideator, intelektual,akademik e njerëz të shkencës kemi bë mjaft, ndoshta më tepër edhe se sa na duhen e kemi nevojë si shoqëri shqiptare. Secili nga këto profile të ndryshme thotë diçka, jep, shkruan, tregon, analizon, jep ide e projekton etj., etj. Mos-mbështetja e gjithë kësaj, mos-financimi i tyre, në fund na ngelin në letër, të parealizuara, të papërfunduara, gjysmake, të humbura e kështu me radhë si diçka të pa vlerë, ku rezultati I suksesit mbetet barazi me zero.
Të nderuar intelektual të të gjitha profileve, teori e retorikë kemi me vagonë, por realizim të tyre s´na mbushet as një valixhe mesatare?!…
Koka dhe tru intelektual prodhojmë, por me pa-punësimin e tyre dhe me mosplotësimin e kushteve të tyre si kuadro profesionale e shkencore, i degradojmë dhe lëmë në shpresë të pritjes pa mbarim, sa që rrugëdaljen e kërkojmë në vendet ku respektohet truri profesional e intelektual (shiko Gjermani) e vende tjera.
Pra, në shoqërinë tone shqiptare është duke u tejkaluar koha e kuadrove si SASI, është koha e kuadrove si CILËSI, dhe atë e veprimit, punë e krijimtari praktike e profesionale.
Në pragmatizmin filozofik dhe filozofinë pragmatike, si drejtime filozofike, është e njohur edhe vetë fjala “pragma”, që do të thotë “vepër”, I cili drejtim është themeluar në Amerikë, nga përfaqësuesit John Dewey, Charles Perice dhe William James. E përmenda këtë drejtim dhe këta përfaqësues jo rastësisht, ngase duke ndjekur këtë shembull, krahas ndjeshmërisë së ndonjë krize, Amerika akoma e mban flamurin botëror si superfuqi ekonomike, politike e strategjike të nivelit dhe rangut botëror.
Ndoshta do ishte absurd krahasimi ynë për të shkuar me këto hapa, por akoma më absurd do ishte po nuk ndjekim hapat e tillë, që bile në shekullin XXI, mos të na ngel kush me barkun e uritur, duke kërkuar lëmoshë e gjë sendi nëpër kantinat e mbeturinave të të pasurve.
Me të drejtë thotë edhe eksperti i shkencave psikologjike e ushtarake Aurel Dasareti, citoj: “duhet të jemi sa ma pragmatik”. Po, por mos të habitemi, ne edhe të bëhemi pragmatik e pragmatistë, nuk do të thotë të krahasohemi, por në kushtet tona dhe mundësitë tona personale, atë që e themi, atë që e planifikojmë dhe projektojmë, t’i kërkojmë vetes llogari e përgjegjësi, ashtu që, në afat të caktuar kohor të realizojmë sendet dhe gjërat që i planifikojmë e synojmë.