Pazari me dosje

Fjala e Albin Kurtit në Konferencën për 35 të Lëvizjes VETËVENDOSJE!Qeverisja me PDK-në shënon vazhdimin e agonisë për popullin e Kosovës. Nuk do të ketë kurrfarë shansi për luftim të krimit e të korrupsionit s’e lëre më për çështjet e tjera si zbutja e papunësisë apo reformat në arsim. Kolaboracionizmi i Isa Mustafës me PDK-në do t’i bëjë të korruptuarit edhe më të pasur, kriminelët edhe më të mbrojtur, të varfrit edhe më të mjerë, klasën e mesme edhe më të varfër, SHIK-un edhe më të fuqishëm, Mitrovicën edhe më të ndarë, Serbinë edhe më të pranishme.

Për pesë muaj rresht e kemi pamundësuar PDK-në. Kemi dëshmuar që është i mundshëm ndryshimi. Kemi dëshmuar që PDK-ja është pakica që e ka kapur shtetin. Asnjërin prej 63 deputetëve PDK-ja nuk ka arritur as ta frikësojë dhe as ta blejë. Kthesa e mbrëmshme sjell dëm të pallogaritshëm për Kosovën. Nuk do të ketë as hetim të privatizimeve të egra e as të pazareve me Serbinë. Do të ketë edhe më shumë gjëra të njëjta në rrugën e njëjtë të Thaçit.

Ditëve të fundit, ambiciet e pakontrolluara dhe apetitet e papërmbajtura për pozitën e Kryeministrit e rrënuan bashkëpunimin e koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në kuadër të luftës për t’ia ngritur pazarin vetes dhe për t’ia zbritur tjetrit, dy pretendentët brenda LAN-it e sollën mundësinë për takime e marrëveshje me Thaçin të cilën e maskonin me konsultime strukturash të partisë. Madje, nuk bëhet fjalë për pushtet partie por vetëm për pushtet personal sepse realisht nuk u diskutuan koalicionet por pozita e Kryeministrit. Mbrëmë te Presidentja vazhduan njësoj e ndanë qeverinë me thikë porsi tortën (po të ishin fëmijë, sepse, në fakt, Qeverinë e ndanë si plaçkë).

Për ne është e qartë se mbrëmë te Presidentja është bërë pazari me dosje: Isa Mustafa e amniston PDK-në dhe SHIK-un për krimet dhe korrupsionin kurse Ambasadorja amerikane ia ngrin ato 70 lëndë për krimet në komunë që mund të shpiejnë te përgjegjësia e Isa Mustafës. Vetëm dy ditë pasi që Ambasadorja ia përmendi publikisht Isa Mustafës ato 70 lëndë, ajo shkoi në vizitë te u.d. të kryeprokurorit të Kosovës, Sylë Hoxha. Porosia ishte e qartë.

Me vendimin e mbrëmshëm Isa Mustafa i ka hyrë rrugës së Behgjet Pacollit. Kryeministri në Qeveri me PDK-në e ka fatin e Pacollit kurse partinë e tij e pret fati i AKR-së. Nga PDK-ja kanë dalë edhe Jakup Krasniqi, Hydajet Hyseni e Lumnije Morina. Atje ka shkuar vetëm Ramiz Kelmendi. PDK-ja kurrë s’ka qenë më e keqe se tash dhe mu kësaj PDK-je iu bashkëngjit Mustafa.

Ne nuk e kemi votuar Isa Mustafën më 17 korrik për Kryeparlamentar. Gjithmonë e kemi marrë me shumë rezervë atë. Po ashtu, nuk i kemi besuar marrëveshjes deri kur është nënshkruar me 10 shtator, fundja atë që u patëm marrë vesh në mbrëmje me 16 korrik e anuloi në mëngjes me 17 korrik. Një marrëveshje të shkëlqyeshme si ajo e 10 shtatorit na e kanë rezistuar plot 3 muaj. Megjithatë, nuk jemi pishman: jemi të bindur që më mirë që kemi qëndruar kështu pesë muaj sesa e gjithë kjo të kishte ndodhur qysh në qershor.

Nga marrëveshja e mbrëmshme te Presidentja Jahjaga, janë inkurajuar strukturat e krimit dhe të korrupsionit. Mirëpo, ne atdhe tjetër nuk kemi. Duhet ta vazhdojmë luftën kundër tyre. Ne ju bëjmë thirrje të gjitha forcave kundër këtij pushteti dhe të gjithë qytetarëve që i duan ndryshimet të bashkohen me neve në përpjekjet në Kuvend e jashtë tij që sa më parë ta heqim qafe këtë regjim.

20 nëntor 2014

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>