Diaspora shqiptare në SHBA sërish ka shprehur shqetësime lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni.Një grup veprimtarësh të diasporës me origjinë nga Maqedonia të bashkërenduar me ish-kongresimin shqiptaro – amerikan Joseph DioGuardi, ditëve të fundit janë takuar me kongresmenin amerikan Dana Rohrbacher i cili njihet si një mik i madh i shqiptarëve.
Në këtë takim janë shprehur shqetësime, duke theksuar se shqiptarët në Maqedoni janë në gjendje të rëndë dhe se vazhdimisht po rritet diskriminimi i tyre, dhe majorizimi i të drejtave kombëtare.
Një nga veprimtarët Destan Aliu theksoi se ka kërkuar nga kongresmeni Rohrbacher që të marrë parasysh gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni dhe mosrealizimin e të drejtave të tyre. Ai nënvizon se nga kongresmeni amerikan ka kërkuar që çështja e shqiptarëve në Maqedoni dhe respektimi i të drejtave të tyre të ngritet edhe në Kongresin Amerikan.
“Të gjitha partitë shqiptare janë korruptuar dhe janë në shërbim të plotë të partive maqedonase, populli nuk mundet ta durojë dhe ta ndalojë këtë. Alteranative e vetme për Maqedoninë është federalizimi i saj. Kërkuam nga kongresmeni Rohrbacher të ndërmarrë hapa për ta parandaluar këtë gjendje e cila mund të dalë nga kontrolli në çdo moment. Shqiptarët duhet të kenë të drejtën për Parlament dydhomësh federal, buxhetin e garantuar dhe të drejtat e tjera. Marrëveshja e Ohrit, për të cilën vetëm po flitet, është e varrosur nga vetë institucionet atje dhe këtë duhet ta pranojnë të gjitha partitë dhe politikanët atje”, theksoi veprimtari i çështjes kombëtare Destan Aliu, një i burgosur kërçovar, i cili jeton në SHBA.
Ai u ndal edhe tek zhvillimet e fundit lidhur me daljen në dritë të fatit të shqiptarëve ortodoks që janë të asimiluar dhe të frikësuar për të shprehur të drejtën e tyre të deklarimit të identitetit kombëtar.
“Ata janë rreth 350 mijë shqiptarë ortodoksë që jetojnë në Maqedoni, të asimiluar dhe të frikësuar për të deklaruar identitetin e tyre të vërtetë kombëtarë. Ata kërkojnë përkujdesje, integrim dhe siguri. Por edhe praktikimi i fesë së tyre qoftë edhe një kishë e vetme shqiptare”, deklaroi Aliu.
Edhe veprimtari Nazim Alimi theksoi se shqiptarët në SHBA janë të shqetësuar për situatën që po ndodhë në Maqedoni dhe se gjitha shqetësimet i janë shprehur kongresmenit Rohrbacher.
“Kemi pasur një bisedë vëllazërore, kemi pasur përkrahje dhe mirkuptim nga kongresmeni Rohrbacher. Kemi folur për çështjen shqiptare në përgjithësi, e sidomos atë në Maqedoni. Ne jemi takuar edhe me kongresmen të tjerë për çështjen shqiptare. Është e kotë, në Ballkan nuk mund të ketë qetësi përderisa sjanë çliruar dhe nuk janë realizuar të drejtat e shqipëtarëve”, tha Nazim Alimi një veprimatr i palodhur për çështjen kombëtare shqipëtare.
Në këtë takim sipas pjesëmarrësve, kongresmeni amerikan është shprehur se mbështetet çdo e drejtë e shqiptarëve për liri, demokraci dhe barazi në trojet e tyre etnike. Këto mesazhe janë shprehur edhe nga ish-kongresmeni Joseph DioGuardi, i cili ka paralajmëruar aktivitete intensive për çështjen e shqiptarëve në Maqedoni, duke alarmuar institucionet amerikane. (B.S/INA)