Veriu, pa prodhime vendore

Derisa në jug të Mitrovicës dhe përgjithësisht në Kosovë, produktet e prodhuesve të Serbisë vazhdojnë të mos bojkotohen nga qytetarët dhe tregtarët, edhe përkundër thirrjes së Agjencisë Kosovare të Biznesit, në veri të Mitrovicës nuk mund të gjendet as edhe një produkt i vetëm kosovar.Në këtë pjesë, ku dominon kontrabanda me të gjitha llojet e mallrave, nuk mund të gjendet madje as “Birra Peja” e as “Vipa Çips” i kompanisë “Pestova”, të njohura në rajon dhe në Evropë për cilësi dhe kualitet të lartë. Aty-këtu në dyqane, markete dhe në depo të mallrave ushqimorë, mund të gjenden produkte të prodhuesit të njohur turk “Ulker”, por edhe produkte të Maqedonisë e të Malit të Zi. Birra e Beogradit dhe ajo e Nikshiqit, por edhe birra të prodhuesve sllovenë, konsumohen dhe shiten në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërsa pijet alkoolike janë kryesisht të prodhuesve të Serbisë. Edhe qumështi dhe produktet e qumështit të prodhuesve serbë dominojnë në dyqane dhe markete në pjesën veriore të Mitrovicës. Sidomos vend të rëndësishëm zënë qumështi dhe produktet e qumështit “Dukat”, të cilët serbët i konsiderojnë më cilësore në tregun serb.

Vaj ushqimi, në pompa të benzinës

Vaji ushqimor i prodhuesit “Dijamant” Zrenjanin është i pakonkurrencë në tregun serb dhe në veri të Mitrovicës, por ka edhe lloje të tjera të vajit, sidomos të prodhuesit “Sombor” i Vojvodinës. Në veri të Mitrovicës akoma është funksionale një depo për shitje me shumicë të produkteve të “Dijamantit” të Zrenjaninit. Përveç vajit, aty shiten edhe margarina, lloje të ndryshme të majonezave dhe tëlyen i bimëve i këtij prodhuesi. Vaji “Dijamant” shitet edhe nëpër pompa të benzinës dhe çmimi për një litër vaj i këtij lloji është 1 euro, ndërsa në jug ky lloj i vajit shitet për 1.8 euro. Milica Mikiq, pronare e një dyqani të vogël tregtar që gjendet në zonën e “Poletit”, thotë se me mallra ushqimor të të gjitha llojeve furnizohen nëpër depo të ndryshme në veri, por edhe nga njerëz që merren me furnizimin e dyqaneve me artikuj ushqimorë. “Janë njerëz të caktuar që vijnë dhe ofrojnë mallin. Ne i blejmë me çmime që ata i kanë dhe kur i kalkulojmë çmimin shitës, atëherë në përgjithësi çmimet dalin më të ulëta”, thotë ajo, duke mos treguar se për çfarë arsyeje çmimet dalin më të ulëta. Ajo ka rrudhur krahët, në pyetjen, nëse mallrat që i blejnë nga këta njerëz hyjnë pa doganë?

Hyjnë pa u kontrolluar

Ndërkaq, pronari i një dyqani tjetër, Zoran Milentijeviq, në dyqanin e të cilit shiten prodhimet të plastikës, thotë se me këtë lloj malli furnizohet në Fushë Kosovë. “Këtu kam mallra të plastikes dhe i shes, sipas asaj “gjithçka 1 euro’. I shndërroi në dinarë dhe kështu bëjë tregti. Pothuajse, gjithë mallin e marr në Fushë Kosovë, i kam njerëzit e mi, janë miq shqiptarë që më ndihmojnë”, thotë ai. Mallrat ushqimorë që kontrabandohen nga Serbia hyjnë në Kosovë në afërsi të pikës kufitare në Jarinje, nëpërmes të një rruge alternative që anashkalon pikën kufitare dhe nuk kontrollohet nga policia. Por, mallrat hyjnë edhe nëpërmes pikës kufitare dhe kalojnë pa u doganuar, pasi që jo rrallë, doganierët i “mbyllin sytë” dhe në këtë mënyrë kamionët me mallra kalojnë pa iu nënshtruar taksave doganore.

Rroba të kontrabanduara

Në veri të Mitrovicës hyjnë dhe shiten edhe produkte të tekstilit, që kontrabandohen nga Mali i Zi dhe vendet tjera të rajonit. Ka aty edhe mallra nga Turqia, Bullgaria, Hungaria, e tjera vende. Kontrabanduesit më të mëdhenj të këtyre mallrave dhe të naftës janë kompania dhe partnerët e Zvonko Veselinoviqit. Pothuajse i gjithë veriu i Mitrovicës dhe i Kosovës furnizohet me mallra të tekstilit dhe me naftë nga bosi i kontrabandës në veri, Zvonko Veselinoviq. Me Veselinoviqin dhe partnerët e tij, janë të lidhur edhe kompani në jug të vendit. Nafta kontrabandohet dhe hyn në Kosovë kryesisht në zonën e pikës kufitare të Bërnjakut, një rrugë alternative që anashkalon pikën kufitare, buzë liqenit të Ujmanit e që nuk kontrollohet shumë nga policia.

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it, por edhe ato të EULEX-it kishin bërë përpjekje ta mbyllin këtë rrugë, por ajo gjithherë ishte hapur. Para pak kohësh, një autobot me naftë, duke ikur nga policia, ishte rrokullisur dhe kishte rënë në liqenin e Ujmanit. Një litër naftë “Euro Dizel” në pikat e karburanteve në veri shitet me çmimin prej 1 eurosh, ndërsa nafta e thjeshtë me çmimin prej 85 centë. Edhe një litër benzinë në këto pika karburantesh shitet për 1 euro. Çmimi i një litre naftë dhe i benzinës në jug është 1.24 euro dhe ai shkon edhe deri në 1.30 euro. Në anën tjetër, në jug të Mitrovicës dhe në komunat e rajonit, Skenderaj e Vushtrri, pothuajse në të gjitha marketet, dyqane dhe në tregun e hapur, shiten dhe tregtohen mallra të prodhuesve të Serbisë. Janë aty të gjitha llojet e keksit, të çokollatave, detergjentet e artikuj të tjerë që prodhohen në Serbi, ndërsa qumështi dhe produktet e qumështit janë të prodhuesve kosovarë. Pos mallrave të prodhuesve serbë, në markete dhe dyqane në jug ka mallra të prodhuesve maqedonas dhe të Shqipërisë.

Është interesant të thuhet se edhe pemët që shiten në tregjet e jugut janë të Serbisë. Kumbullat dhe dardhat e Serbisë blihen në pjesën veriore të Mitrovicës me çmimin prej 0.40 eurosh, përkatësisht 0.70 euro, ndërsa shiten në tregjet e jugut me çmimin prej 1 euro, përkatësisht 1.50 euro. Serbët, ndërkaq i janë gëzuar faktit që shqiptarët nuk i janë përgjigjur thirrjes së Agjencisë Kosovare të Biznesit për bojkotimin e prodhimeve serbe. Ata kanë bërë një hulumtim, siç shkruajnë mediet në veri, dhe kanë konstatuar se rrjeti i marketeve ETC është përplot mallra të prodhuesve serbë. Ato citojnë një konsumator shqiptar (A. N.), i cili ka thënë se atij i intereson vetëm kualiteti. “Secili njeri ka të drejtë në mendimin e vet dhe të drejtën që të blejë atë që i pëlqen e unë blej vetëm atë që më pëlqen. S’më intereson kush e ka prodhuar, por vetëm a është kualitet”, ka thënë ai, sipas medieve serbe në veri. (zeri)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>