Deklaratë për Media e Visar Ymerit, e hënë, 2 shkurt 2015

Të mërkurën në ora 12 do të takohemi në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të marshuar deri te sheshi “Skënderbeu”. Aty pastaj do të vazhdojmë me protestën që ngulmon që të shkarkohet Aleksandër Jabllanoviqi dhe që Trepça të shndërrohet në ndërmarrje publike me status të veçantë, e cila do t’ia bartte Kuvendit të Republikës së Kosovës vendimmarrjen për Trepçën, do ta shpëtonte atë nga falimentimi, dhe do ta shtronte rrugën për investimet në të dhe rimëkëmbjen e saj e të ekonomisë së Kosovës.

Protesta është shprehje. Shprehja bëhet komunikim vetëm kur pala tjetër dëgjon. Dhe ka kuptim vetëm kur paraprakisht merremi vesh për premisën bazë. Përmes protestës qytetarët flasin. E qeveria duhet të dëgjojë. Është e pafalshme se si qeveria e Republikës së Kosovës nuk e dëgjon shprehjen e kërkesave të qytetarëve. Është e pafalshme se si ajo ka mirëkuptim për fashizmin e Jabllanoviqit e hegjemoninë e Vuçiqit, e në anën tjetër polici, kërbaç,plumba gome e gaz lotsjellës për qytetarët.

Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik e as sovranitet republikan e integritet territorial pa vendosmëri të krerëve institucionalë. Nuk mund të ketë Republikë të Kosovës po qe se për të vendosë Vuçiqi e Daçiqi, Qeveria e Serbisë. Kjo politikë reaksionare e hegjemoniste e Serbisë, e cila shqiptarët i vlerëson dhe trajton si egërsira, e resurset e Kosovës i do për t’i eksploatuar, do ta rrënojë Republikën e Kosovës. E Republika nuk do të ndërtohet kurrë duke e kërkuar pëlqimin e atyre, si dhe duke i mveshur me pushtet ata, që dojnë ta rrënojnë atë. Nuk mund të ketë Republikë të Kosovës, e rrjedhimisht as Kryeministër të Republikës, po qe se njëkohësisht ky Kryeministër nuk është posti fundamental ekzekutiv në vend. Mungesa e vullnetit për shkarkimin e Jabllanoviqit, duke u fshehur prapa ligjeve, mungesa e gatishmërisë për ta shndërruar Trepçën në ndërmarrje publike, duke u fshehur prapa pretendime të paqena për borxhe, e gërmojnë tokën nën ulësen e postit të kryeministrit. Dhe kështu e gërmojnë tokën nën këmbët e Republikës së Kosovës.

Populli i Republikës nuk do ta pranojë këtë.

VETËVENDOSJE!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>