“Për ata që më pyesin si u bë që dikur e përkrahja BDI-në dhe drejtuesit e saj, e sot i kritikoj ata: e shkruara mbetet dhe, unë as mundem dhe as dua ta fshehë të vërtetën se kam investuar shumë në promovimin e drejtuesve të BDI-së! Madje disa libra të mi, ata i mbanin në zyrat e tyre, si të vetmin argument për veprimin e drejtë politik! Dhe e di se të gabosh në vlerësim dhe të ngresh mite të rrejshme, është mëkat, por mëkat edhe më i madh është të heshtësh kur e ke zbuluar se nuk ia ke dal me kohë ta njohësh ujkun e maskuar në qengj! Shkurt e shqip: edhe sikur të kthehej koha mbrapsht, do e bëja të njëjtën: do i përkrahja koncept e reja politike, duke besuar se njeriu duhet të jetë mbi mesataren injorant, që t’i përsërisë gabimet e pararendësve të vet! Nuk kam qen dhe kurrë nuk do jem paragjykues, andaj nga ta dija unë, për shembull, se drejtuesit e BDI-së, janë aq kokëtula sa do na kthenin në kohën e Rankoviqit dhe se ata nuk e kanë kuptuar as më elementaren: se pa pasur shtet, nuk mund të kesh pushtet! Ndoshta ka, por unë nuk jam nga ata, që qysh në vitin 2001, të kem mundur të besoj se drejtuesit e UÇK-së, të asaj UÇK-je që na e ktheu krenarinë e munguar, do guxojnë e do munden, që për pak pushtet dhe për disa përfitime personale, të shkelin mbi një vlerë me të cilët do duhej të mburreshin të gjithë gjeneratat tona të ardhme, ato gjenerata që kjo parti i dëboi nga vendlindja! Andaj ma gjeni një shqiptar, që e ka ditur qysh asokohe, se këta që në krye të BDI-së i solli emblema madhështore e UÇK-së, do na çojnë drejtë ‘Sopotit’, ‘Brodecit’, likuidimit të Harun Aliut me shokët, ‘Monstrës’ , deshqiptarizimit të Maqedonisë nëpërmjet projekteve si ‘Shkupi 2014’, vrasjeve nëpër degët partiake, drejtë Natës së Tradhtisë së Madhe në Kumanovë…. Dhe për ata që nuk e dinë: kthjellja ime ka filluar para dhjetë viteve, e jo sot, kur është e turpshme të mos jesh kthjellur dhe të mos e kesh kuptuar se, ata që dikur i pritëm si kalorës mbi kalë të bardhë, sot duhet t’i përcjellim ashtu siç u takon të pabesëve dhe heronjve gënjeshtarë – si heronj mbi gomar!”, shkruan Kim Mehmeti.