Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Televizionin Shqiptar, ka folur për humbjet e mëdha territoriale, që sipas tij, do t’i pësojë Kosova me Asociacionin e Komunave
Kurti ka deklaruar se Asociacioni është i ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë dhe se Kosova vazhdimisht që nga paslufta është copëtuar.
“Produkti ynë çlirimtar po gjymtohet tërë kohën. Serbia ndoshta do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por pasi që Kosova ta njohë Serbinë brenda Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
“Politikanët tanë janë servilë ndaj ndërkombëtarëve, por edhe ndaj Serbisë. Ata kanë ambicie të mëdha individuale, por shumë të vogla në aspektin kombëtar”, tha ish-lideri i VV-së.
Kurti ka deklaruar se ka ardhur koha kur shqiptarët e Kosovës e Shqipërisë, duhet të fillojnë ta shohin vetën si pjesë të një kombi.
“Kosova dhe Shqipëria duhet të fillojnë ta parafytyrojnë vetën si pjesë të një kombi. Besoj edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, populli është shumë më tepër për bashkim shqiptar, sesa janë elitat politike. Prandaj udhëheqësit tanë duhet ta ndjekin popullin në këtë rast, s’kanë nevojë t’i prinë atij, ka deklaruar Kurit.
Ai tha se shqiptarët më nuk kanë nevojë për aleat të ri, por për krijim aleancash me aleatët ekzistues.
“Ne nuk kemi nevojë për aleatë të ri, SHBA, Gjermania dhe Turqia, këta janë aleatë. Në Ballkan mund të kemi aleat, Bullgarinë, Kroacinë dhe Bosnjën”.
“Por ne kemi nevojë për aleancat të reja, ushtarake, ekonomike. Cili është kuptimi që jemi aleat me SHBA-të dhe nuk kemi mundur të negociojmë për të pasur ushtri”, tha ai. (rtk)