Post mortum Ligjit për lustrim

Shpetim PollozhaniStojan Andov ishte kryetar i Parlamentit të Maqedonisë, që nga viti 1991-1994 dhe për herë të dytë deri në vitin 1999. Sikur Andovi me kompanjonët e tij, të ishin pakës më vizionarë dhe më të drejtë ndaj shqiptarëve, ne të gjithë sot do të ishim shumë më mirë.

Nuk do ta kishim tmerrin e Ladorishtit, Bit Pazarin, as Gostivarin, as Brodecin e as Kumanovën (mendohet për burgosje të ,,terroristëve” në Kumanovë në vitin 2010) dhe shumë tragjedi të tjera. Andovi ka qenë kryetar i Parlamentit edhe në vitin 2000-2002. Ai është kryetar i Komisionit për të drejtat e njeriut pranë Parlamentit të Maqedonisë. Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë, që ky njeri të ketë reaguar kur shkilen të drejtat e njeriut. Thamë se Andovi paraqitet edhe si protagonist, edhe si antagonist. Paraqitja e Andovit, anëtar i Këshillit Ekzekutiv Federativ të Jugosllavisë dhe funksionet e shumtë në sistemin komunist për shqiptarët ka qenë tragjedi, kurse sot paraqitja e tij është një farsë. Them farsë, pasi ka qenë në shumë pozita të larta. Me autorësinë e Propozim ligjit për lustrim, ai i gëzoi disa shqiptarë që duan të shohin ëndrra me sy çelë. Së pari, Ligji për lustrim, nuk u soll nga dëshira e madhe e maqedonasve. Rezoluta për dënimin e krimeve të komunizmit, Rezoluta për t’u kërkuar falje viktimave të komunizmit, nuk janë rezultat i demokratizimit të shoqërisë maqedonase, por ato u sollën pas presionit të faktorit ndërkombëtar.

Ligji për lustrim do të dështojë për shkak se i nënshtrohet ligjit themelor të Dialektikës së filozofit të madh, Hegel, i cili thotë: çdo dukuri që lind si rezultat i kundërthënieve, vetë kundërthëniet e shkatërrojnë një ditë. Rusia (Bashkimi Sovjetik) dhe shumë shtete të tjerë të krijuar artificialisht, iu nënshtruan këtij ligji. Do të kisha qenë i çmendur, në rast se do të kisha besuar se këto garnitura politike maqedonase do ta jetësojnë Ligjim për lustrim. Si mundet që kjo klasë politike maqedonase t’i lustrojë ata që ua bënë shtetin. I bënë qytetarë, me fakultete e universitete. I bënë me shtet dhe me dinjitet. Na e luajnë dajakun multietnik kur t’u dojë kokrra e qejfit. Mjaftë ishte farsa e quajtur Ligji për lustrim. Ndokush u zbavit, ndokush u tremb për vdekje. Kodoshët le të flenë gjumë, se për katër vjet (ligji u miratua në mars 2007) që kur është sjellë Ligji, vetëm Trendafili (ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese) e pësoi, jo si rezultat i funksionimit të Ligjit, por për të vetmen arsye se si Gjykatës i Gjyqit Kushtetues, Gruevskit ia rrëzoi disa ligje. Do të jetë mirë që anëtarëve të Komisionit për lustrim, pushteti t’u japë nga tre rroga dhe t’i falënderojë për ,,punën“ e bërë. As që mundeshin të bëjnë më shumë, pasi pushteti vetëm kaq deshi. Farsa mbaroi.

Ky tekst u botua në Gazetën KOHA të 12 janarit 2011. Përse isha i sigurt se Komisioni për lustrim do të kalojë si shurra e pulës. Normat dhe standardet për formimin e këtij Komisioni ishin me baza partiake. Të gjitha partitë angazhuan anëtarët e vetë për të pasur kujdes mos vallë ia ngulin njëri tjetrit. Nuk u respektuan normat dhe rekomandimet e ndërkombëtarëve që ky komision të konstituohet nga profesionistë dhe disidentë. Komisioni në fjalë, edhe pse gërvishti dhe pluhurosi disa individë, ne sot nuk kemi një shoqëri as më të demokratizuar dhe as më progresive, por është duke ndodhur e kundërta. Komisionarët vetëm se ia krujtën kurrizin njëra-tjetrës. Sipas kryetarit të Komisionit, zotit Axhiev, i cili më duket si një gjel që ka çelur në dhjetor, qenkan përpunuar 30 mijë persona dhe qenkan lustruar 300 persona si bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete në dëm të qytetarëve. Përveç Sllobodan Bogoevski, ish drejtor i DSK, nuk dëgjuam asnjë, ama asnjë lustrim të vërtetë. Partitë ia mbrojtën dhe ia lanë duart njëri tjetrit, në mënyrë të përkryer, ashtu sikurse që i kishte porositur punëdhënësi i tyre. Shumë pupla e pakës mish, kishte thënë mileti. Përfaqësuesit shqiptarë në këtë Komision nuk e shkrepën as edhe një herë. A është vallë e moralshme që për hir të zgjidhjes së papunësisë të ndonjë shqiptari, të quhet përfaqësim e drejtë i shqiptarëve? Pirolla u qoftë, i mbrojtën në mënyrë të përsosur kodoshët shqiptarë, duke mos e lustruar asnjërin. Si është e mundur, që nga oborri i shqiptarëve nuk doli asnjë kodosh pas viteve të nëntëdhjeta? Të gjithë e dimë se janë me qindra kontrabandistë e matrapazë të kyçur në politikë, të cilët manipulojnë dhe administrojnë me votën e shqiptarëve. Si është e mundur që nuk e nxorën asnjë kodosh partiak që punon për Mijallkovin? Si është e mundur që  90% e të lustruarve të jenë nga opozita? Si është e mundur që Axhievi ngeli kryetar i përjetshëm i Komisionit për lustrim, edhe pse ligji thotë se në çdo gjashtë muaj, me rotacion do të zgjidhen anëtarët e Komisionit?  Si është e mundur që anëtarët shqiptarë të Komisionit nuk e shkrepën as edhe një fushqetë (petardë), nuk e dhanë as edhe një intervistë për ata në emër të të cilëve morën rroga të majme? Lan dora byth, e thotë mileti. Puna e Komisionit është një veprim, i cili i ngjan një portreti të shkruar me pluhur përmbi ujë. Në disa shkrime të mëparmë kam theksuar se Komisioni për lustrim është një farsë dhe se duhet të shuhet sa më shpejtë. Buxheti i harxhuar për rroga, zyra dhe shpenzime materiale, do të mundej t’i ushqejë me bukë skamnorët e Çairit dhe të Dizhonit për aq vite sa ,,funksiononte” ai. Si është e mundur që Komisioni disa vite ,,punonte”  pa anëtarët e opozitës maqedonase, kurse opozita (besnike deri në varr) dhe pozita shqiptare punonin si dy telat e çiftelisë.

Komisioni për lustrim (u bë për rahmet), ishte një komision i dështuar që nga lindja (u mbush zullumi, u këput litari). Ai nuk bëri asgjë, vetëm se i përbalti disa njerëz, emrat e të cilëve nuk i mban mend askush dhe, të cilët u shpëlanë pas dy rënieve të shiut. E drejta vonon, por nuk harron, mirëpo kush ia pa hajrin e kush ia pa sherrin kësaj punë. Sherrin ia pamë ne shqiptarët, pasi po na udhëheqin individë që na i plaçkisin të drejtat tona, duke i shkelur ato dhe duke bashkëpunuar me shërbimet sekrete. Dikush thotë se u lustruan shumë maqedonas. Ky lustrim në shoqërinë maqedonase peshon sa një qime në lëkurën e një kau. Atyre u punojnë qindra institute dhe institucione që e kultivojnë kulturën, artin dhe shkencën maqedonase, kurse ne, ku jemi ne. Ne na mbyti tenderbegu. Ne na duhet një festë nacionale në të cilën do të festojmë varrimin e tenderbegut. Tenderbegu dhe tenderbegasit janë armiqtë më të mëdhenj se të gjithë armiqtë tanë së bashku. Atë ditë që do t’i varrosim tenderbegasit, atë ditë shqiptarët do ta heqin kataraktin e syve. Ne kemi vlera, aty pranë jush janë, të heshtur dhe të përbuzur. Nuk duhet shumë mend, duhet vetën ta hiqni pluhurin nga sytë dhe t’i shihni. Le të mos bëhemi kunguj që të na hajë edhe një gomar. Epo, kush ia ka fajin deles që ia marrin qengjin, e mjelin dhe në fund, ia thajnë lëkurën mbi tra? Fajin e ka delja që është dele. Kush ia ka fajin një kau, i cili është më i fortë se pesëmbëdhjetë njerëz dhe, një fëmijë ia fut kërpeshin? Ne duhet të futemi në pusin tonë dhe t’i bëjmë një dezinfektim të fortë, duke djegur gërqele në te. Derisa nuk e pastrojmë pusin tonë të kontaminuar, ne do të pimë ujë të ndotur dhe, Brodecët, Bit Pazarët, Gostivarët dhe Kumanovat (kush e ka radhën, ndoshta unë, ti ose ai pranë teje), do të na përsëriten çdo herë kur të ketë nevojë nipi i hyzmeqarit që ka lindur në çiflikun e Ramiz Beut në Sarandinë të Përlepes, në Janinë ose në Florinë. Ne bëmë qindra kompromise. Pullazi nuk mbulohet me ombrella-kompromise. Ne na duhen kirurgë, të cilët e dine që përpara se të bëhet një prerje, duhet të sterilizohet ambienti që prerja- operacioni, të jetë i suksesshëm. Poshtë tenderbegasit dhe miljallkovistët, të cilët edhe një katund e rrafshojnë në rast se e do ligji. Sikur të vareshim nga Grujo dhe lukunia e tij, ai edhe dy lëkura do të nxirrte nga shqiptarët. Gruevistët, edhe ajrin do të na e jepnin me racion, pasi këtu çdo gjë është ,,makedonsko”. Rrofshin kirurgët, pasi vetëm ata ia lidhin kokën kësaj katrahure. (Shpëtim POLLOZHANI)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>