Sami Frashëri, iluministi shqiptar
Sami e Naim Frashëri, në një letër dërguar mikut të tyre për arritjet në shkrimin e në lëvrimin e gjuhës shqipe, kanë thënë: “Armiqtë e kombit tonë, donin të na gënjenin ç’prej kohe se gjoja gjuha shqipe është një gjuhë e prishur dhe trashamane, se nuk mund të shkruhet, se s’ka gramatikë, se me të nuk mësohen shkencat e tjera. Por, në fund panë se shqipja u bë, u shkrua, u krijua alfabeti i saj, u hartua gramatika, u shtypën librat e shkencës, u përkthyen poezi të bukura prej çdo gjuhe të huaj. Me një fjalë u kuptua se ç’gjuhë e përsosur dhe e rregullt është shqipja”.
“Sendet më të shtrenjtë në botë”, shkruante Samiu, “janë nderi dhe atdheu. Ata që për dobi personale shkelin dashurinë e atdheut, ata shkelin njëkohësisht edhe nderin e tyre”.
Ishte 1 qershori i vitit 1850 kur erdhi në këtë botë Samiu, në një fshat të vogël në Shqipëri. Frashëri ishte vendi ku lindi.
Fëmijëria e Samiut nuk ishte fare e lehtë. Fati i tij i trisht ishte që mbeti herët pa prindërit, duke mbet jetimë tetë fëmijë: dy vajza dhe gjashtë djem.
Vëllai i madh, Abdyli, ishte ai që u desh të përkujdesej për fëmijët më të vegjël. Janina në atë kohë ishte kryeqytet vilajeti dhe si e tillë ofronte mundësi më të mira jetese. Kushtet e vështira ekonomike dhe kërkesat e fëmijëve bënë që Abdyli të largohet për në Janinë.
Kështu, Samiut iu dha një mundësi e mirë për të studiuar. Regjistrohet në gjimnazin “Zosimea”. Për shkak që tregoi aftësi të jashtëzakonshme në shumë disiplina, si matematikë, anatomi, gjeografi, kozmografi dhe histori të natyrës, u diplomua para kohe.
Si një mendje gjeniale që ishte, Samiu mësoi frëngjisht, italisht, persisht, arabisht, latinisht, si dhe greqishten e re dhe të vjetrën.
Puna e tij krijuese, me gjithë këto njohuri që posedonte, rrodhi për tri dekada pa u ndalë, duke nxjerr më të mirën nga vetja në dobi të kombit dhe kulturës.
Në Stamboll botoi romanin e tij të parë, atëherë kur Samiu ishte vetëm 22 vjeç. Krijimtaria e tij njeh më shumë se 60 vepra të botuara në gjuhën shqipe, perse dhe turke.
Samiut i dedikohet shkrimi i gramatikës shqipe të cilin e titullon “Shkronjëtore e gjuhësë shqip”, dhe po ashtu njihet edhe si hartues i alfabetit shqiptar.
Vepra më e madhe e shkruar në gjuhën shqipe nga Sami Frashëri është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”? Me këtë vepër Samiu shtroi pikëpamjet e tij në sferën historike, diplomatike dhe politike për një shekull më pas, ngjarje të cilat do karakterizojnë objektivat e tij në libër.
Por, ishte vepra “Kâmûs al-a’lâm” të cilës Samiu i kushtoi 11 vite, e që kur u botua nisi rrugëtimin në të gjitha bibliotekat më të mëdha të asaj kohe.
Samiu kishte një qëllim të vetëm: ngritjen e çështjes shqiptare në qarqet ndërkombëtare, për t’u bërë kështu njëri ndër personalitetet më të shquara të kombit shqiptar.
Shkroi shumë artikuj në gjuhë të huaja në të cilat përmendi lashtësinë e popullit shqiptar, sepse fakti që ishte nën zgjedhë të huaj dhe i mjeruar për shekuj e bënte Samiun që ta vuante këtë tragjedi të kombit.
Luftoi obskurantizmin mesjetar të monarkisë absolute dhe ishte në kundërshtim me praktikat dhe ligjet e Perandorisë Osmane të cilat, sipas tij kishin, ngulfatur qyterimin. Sipas tij, bota nuk mund të ishte ashtu siç e shpjegonin librat fetarë, ndaj theksonte se gjithë trupat qiellorë u shtrohen një ligji dhe një rregulli.
Pikëpamjet e Samiut u vlerësuan lart për kohën kur jetoi, sepse këmbëngulte që vetëm nëpërmjet dijes arrihen majat e qytetërimit. Sipas tij, kombi shqiptar – edhe pse i vogël – kishte dhënë shumë për kulturën botërore. Për të, thesarin më të çmuar e sillte përparimi – progresi njerëzor që do ta linte pas errësirën e krijuar prej shekujsh. E, kjo ishte faktike, sepse edhe pse populli shqiptar kishte dhënë shumë, assesi nuk rimëkëmbej nga zgjedha e huaj.
Idetë e Revolucionit Francez kishin nxitur mendimin kritik dhe revolucionar të Samiut. Veprat e Volterit, Dideroit e Zhan Zhak Rusosë kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë botërore, që Samiu i admironte tej mase.
Samiu theksonte vazhdimisht se Perandoria Osmane kishte mbajtur pezull civilizimin që filloi antikiteti, e që – sipas tij – duhej medoemos krijimi i një Shqipërie të re duke lënë anash prapambeturinë që e rrethonte dhe po ashtu krijimi i një Turqie të re me frymë evropiane.
Ishte kundër çdo ndasie fetare të cilat nga armiqtë e kombit stimuloheshin duke humbur identitetin dhe duke u tjetërsuar në kombësi tjetër për shkak të fesë. Samiu luftoi aq shumë problematikat të cilat vinin direkt nga manipulimi përmes fesë, e që ishin çdoherë në dëm të kombit shqiptar. “Shqiptari është shqiptar para se të jetë mysliman apo i krishterë”, thoshte ai, duke ngritur kështu idenë e kombit mbi idenë e fesë.
Mbylli sytë në Stamboll më 18 qershor 1904, për ta lënë pas veprën e tij shumë të madhe e cila i dha namin për të mbetur njëri ndër personalitetet më të mëdha shqiptare dhe jo vetëm.
Nderimi për Abdyl Frashërin është nderim për Atdheun
“Abdyl Frashëri ishte trim, e kishte syrin si shigjeta, ishte i matun dhe nuk i’a hidhte dot as mbreti as krajli, ishte i përmendur në penë dhe dije”- Faik Konica
Janë të rrallë burrat si Abdyl Frashëri që i kushtoi një jetë të tanë kombit, me dije, punë, maturi, largpamësi, luftë dhe sakrificë.
Toka jonë lindi gjigandë që lanë gjurmë dhe i lakmoi bota e që kulturat dhe popujt tjerë medoemos duan t’i përvetësojnë. Sot mund të themi që idetë e Abdylit për Shqipërinë morën jetë, sot jemi dëshmitarë të ngritjes së kombit tonë dhe rikthimit në origjinë, ku për gjysmë mileniumi u la anash, e u përndoq u luftua deri në zhdukje. Sot mund të jemi krenarë me gjithë vështirësitë, sepse kombi ynë është duke u bërë faktorë në Ballkan, sepse vetëm kështu do të arrihet një paqe afatgjate, e nënshkruar mbi gjakun, vuajtjet, mjerimin, torturën e këtij kombi sa të bekuar aq dhe fatkeq përtej kohërash.
Abdyli u lind me 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Deri në moshën 18-vjeçare jetoi në fshatin e tij të lindjes për t’u zhvendosur më pas në Janinë shkaku i punës. Me fillimin e Krizës Lindore, më 1877 erdhi në pah karakteri i Avdylit. Po atë vit formohet Komiteti Shqiptar i Janinës ku Avdyli zgjidhet kryetar, për t’u bërë hartues i projektit për mëvetësinë e Shqipërisë përmes kryengrites së armatosur antiosmane.
Qëllimi i tij ishte të merrte përkrahje nga Rivalët e Perandorisë Ruse, konkretisht shtetet evropiane të cilat dukej se kishin frikë nga mbizotërimi i Rusisë në Ballakan. Por, kjo përkrahje nuk erdhi ndaj shqiptarëve. Që nga korriku deri në dhjetor 1877 zhvilloi bisedimet me Athinën zyrtare për krijimin e një aleance politike shqiptaro-greke kundër Perandorisë Osmane, por rezultati doli i pafavorshëm pasi Athina nuk pranoi idenë e Shqipërisë së Pavarur në kufijtë e saj etnikë.
Në fundvit 1877, Abdyli ishte deputet i Janinës në Parlamentin e Dytë Osman. Në atë kohë ai zgjedhet kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll e që njihet si Komiteti i Stambollit.
Abdyl Frashëri konkludonte se nga prirjet ekspansioniste të Rusisë dhe interesat e fuqive perëndimore për ta mbajtur gjallë Perandorinë Osmane, po ashtu kafshimet e fqinjëve ballkanik për ta bëre copë- copë, krijimi i një shteti autonom shqiptar nën sovranitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, do të ishte zgjidhja më e përshtatshme.
Vilajeti i Kosovës dhe ai i Janinës ishin vendet ku Abdyli zhvilloi aktivitetet e tij politike dhe patriotike.
Ishte i palëkundur në kauzën e tij për autonominë e Shqipërisë. Ishte i pranishëm në të gjitha kuvendet të cilat ishin nën organizimin e Këshillit të Përgjithshëm nga Lidhja e Prizrenit ku më pas zgjedhet kryetar i komisionit për punë të jashtme. Më 1 nëntor 1878 merr pjesë në Kuvendin e Parë të Dibrës ku në mënyrë zyrtare iu kërkua Portës së Lartë ruajtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë në një shtet autonom të vetëm.
Në janar të 1879 organizoi Kuvendin e Prevezës ku kërkohej ruajtja e Çamërisë dhe mos aneksimi i saj nga Greqia. Po në pranverë të atij viti udhëhoqi delegacionin shqiptar të Lidhjes në turneun e Evropës ku kishin një kërkesë të vetme ndaj Fuqive të Mëdha ruajtjen e territoreve shqiptare dhe kërkesën e tyre për liri dhe autonomi.
Qeveria e përkohshme që u miratua nga Kuvendi i Dytë i Frashërit ishte projekt i menduar mirë nga Abdyli. Po ashtu priu Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës e cili shihte si arsye të vetme kryengritjen e armatosur për mbrojtjen nga pushtuesit.
Në Kuvendin e Dytë të Dibrës ai promovoi programin e Gjirokastrës gjë që nuk kaloi nga shumica, pas këtij zhgënjimi Abdyli kthehet në Kosovë ku së bashku me trimat dardanë vunë në funksion vendimet gjirokastrite. Më 1881 bëhet pjesë e Qeverisë së përkohshme në Prizren me qëllimin e vetëm pavarësimin e Shqipërisë dhe ruajtjen e saj nga armiqtë e kobshëm.
Me t’u shtypur Lidhja e Prizrenit, Abdyl Frashëri arrestohet nga gjyqi special Osman, ku dënohet me vdekje, por më pas dënimi i kthehet në burg të përjetshëm. Qëndroi tre vjet në burg dhe 20 muaj në internim dhe lirohet për arsye shëndetësore. Aktivitetin e tij patriotik e zhvilloi deri më 23 tetor 1892 në Stamboll ku edhe vdiq. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë më 1978 për t’u rivarrosur në tokën nanë të cilën e deshi më shumë se çdo gjë.
Ky burrë i urtë dhe trim hapi rrugën e vështirë për brezat që do vijnë dhe kështu lartësoi përjetë emrin dhe veprën e tij të madhe në shërbim të kombit. Dhe si i tillë mbetet që ta nderojmë dhe admirojmë personalitetin e tij, sepse nderimi për të është nderim për atdheun.