Kur të shkojë sot në Bosnje-Hercegovinë e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton do të zhvillojë gjithashtu bisedime krize. Edhe në shtetin ballkanik ka protesta dhe shteti ndodhet përpara dështimit.Kjo nuk çon asgjëkundi, mendonte ministrja e Jashtme e SHBA-së Condoleezza Rice, kur në 2005 duhej të negocionte me udhëheqjen shtetëore të Bosnjes për një reformë kushtetuese të shtetit ballkanik. Në bisedimet në Ministrinë e Jashtme të SHBA nuk kishte ardhur vetëm një president, por tre: një kroat, një serb dhe një mysliman bosnjak. Sa herë që Rice merrte fjalën duhej t’u drejtohej me emër të treve dhe pastaj t’i jepte secilit kohë për një përgjigje, shkruan Rice në kujtimet e saj.
Përpjekjet e saj për një reduktim të strukturave të komplikuara dhe ineficiente të pushtetit mbetën pa sukses. Gjithsesi situata nuk ishte përkeqësuar, do të konstatonte Rice në 2009, me largimin nga Ministria e Jashtme. Ashtu si Rice kanë dështuar ndërkohë shumë politikanë, diplomatë dhe ekspertë.
Tre presidentë, 11 kryeministra
Sot shtetin ballkanik me rreth katër milionë banorë e qeverisin jo vetëm tre presidentë, por edhe 11 kryeministra dhe 11 qeveri me gjithsej më shumë se 100 ministra. Në krye qendron një qeveri e dobët qendrore, e cila duhet të mbajë bashkë republikën e serbëve “Republika Srpska” dhe Federatën boshnjake. Kjo e fundit përbëhet nga dhjetë kantone. Këto struktura duhet të reflektojnë larminë etnike dhe fetare të Bosnje-Hercegovinës ku jetojnë ortodoksë serbë, myslimanë boshnjakë dhe katolikë kroatë. Por mbi të gjithë qendron dhe Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, aktualisht austriaku Valentin Inzko. Ai mund të shkarkojë titullarë, të krijojë autoritete të reja dhe të miratojë apo shfuqizojë ligje. Një rezolutë e OKB-së i jep atij mandatin për të gjitha këto. Paraardhësit e Inzkos i kanë përdorur këto kompetenca kush më shumë si britaniku Paddy Ashdown e kush më pak si gjermani Christian Schwarz-Schilling.
Një marrëvëshje paqeje që nuk bën për kushtetutë
Baza është marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, që u negociua nën drejtimin e diplomatit amerikan Richard Holbrooke me palët në konflikt, të cilat ishin që prej vitit 1992 në një luftë që u kushtoi jetën më shumë se 100.000 vetëve. Si marrëveshje paqeje Dejtoni ishte i suksesshëm, por si kushtetutë shumë e komplikuar, deklaroi Inzko pak kohë më parë për gazetën austriake “Kurier”.
Armëpushimi mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve rezistoi. Bosnja mbeti një njësi i vetme territoriale. Por bashkësia ndërkombëtare e humbi nga sytë krizën e Ballkanit dhe një zhvillim i mëtejshëm i marrëveshjes së Dejtonit nuk pati rezultat. Rendi i paqes sipas marrëveshjes së Dejtonit nuk i përgjigjet dëshirave të vërteta të popullsisë. Serbët duan të shkëputen sa më shumë të jetë e mundur me Republikën e tyre Srpska. Edhe kroatët kërkojnë më shumë mëvetësi, ndërsa myslimanët synojnë më shumë centralizim. Elitat politike kanë zënë ndërkohë vend në strukturat e krijuara dhe kontrolluara nga jashtë.
Një monstër burokratike e papërballueshme financiarisht
Ajo që duhej të krijonte drejtësi mes bosnjakëve, kroatëve dhe serbëve, në fund nxiti nacionalizmin dhe krijoi një monstër burokratike, të cilën shteti thjesht nuk mund ta përballojë financiarish. Të paktën 40 për qind e boshnjakëve punojnë në sektorin shtetëror. Deputetët sipas të dhënave të agjencisë Reuters fitojnë 3500 euro në muaj, ose dhjetë herë më shumë se paga mesatare në vend.
Veç kësaj politikanët kujdesen që të favorizohen jo vetëm pjesëtarët e etnisë së tyre, por edhe miqtë dhe familjarët. Kështu sektori shtetëror përshkohet tej për tej nga korrupsioni dhe nepotizmi. Kush kërkon të bëjë tregti pa u shqetësuar duhet të paguajë ryshfet, shkruan eksperti për Ballkanin Dushan Reljic në faqen e internetit të Fondacionit për Shkencë dhe Politikë në Berlin. Privatizimi i ekonomisë degradoi në një aksion plaçkitjeje. Sistemi i drejtësisë është shumë i dobët për ta ndaluar këtë.
Front mes përfituesve dhe humbësve
Elita politike nuk pranon të heqë dorë nga këto struktura. Ajo gjithashtu identifikohet po aq pak sa edhe populli me shtetin e përbashkët. Bllokimi i reformave është ndërkohë aq i madh sa afrimi me BE-në dhe anëtarësimi i planifikuar po rrezikohen gjithnjë e më shumë. Vjeshtën e kaluar BE u detyrua të përgjysmonte mbështetjen financiare për 2013. Kështu elita në periudhë afatgjatë po i bën varrin bazës së vet. Investime në ekonomi nuk ka thuajse fare. Në vend të kësaj vazhdon deindustrializimi i vendit. Mungojnë vendet e punës dhe një terren pjellor për ngritjen e sipërmarrjeve.
Kështu u rrit frustrimi tek ata të cilët nuk përfitojnë si p.sh. veteranët e luftës nga shërbimet sociale dhe për shkak të mungesës së kontakteve nuk kanë asnjë shans për një vend pune në sektorin publik.
Në fillim të shkurtit u ndez shkëndija. Një protestë që vazhdonte prej kohësh kundër një pronari fabrike në Tuzla, u përhap në gjithë vendin dhe u transformua në dhunë. Në këtë rast frontet janë popullsia e penalizuar nga zhvillimet negative dhe elita politike. Por presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, i shfrytëzoi trazirat për të kërkuar shpërbërjen e federatës së shtetetve.
Reformë apo shpërbërje
Përballë mungesës së vullnetit politik për reforma duket se po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje nëse struktura e papërfunduar e një shteti do të funksionojë ndonjëherë. Në pikëpyetje është kështu edhe nëse do të dalë llogaria e BE-së e cila pret që një pranim në një strukturë më të lartë si Unioni, të zbehë dallimet në interesa mes bosnjakëve, kroatëve dhe serbëve, ashtu si pati ndodhur me shtetin e ish-Jugosllavisë. Kështu shumë ministra të jashtëm të BE-së mbrojnë tezën se Bosnje-Hercegovinës i duhet dhënë një perspektivë më e shpejtë anëtarësimi në BE për të çuar përpara reformat përpara se në tetor zgjedhësit të votojnë për presidentët dhe parlamentet e reja. Ministri i Jashtëm britanik William Hague i quajti protestat e popullsisë një “thirrje për zgjim”.
Komisioneri i BE-së për zgjerimin Stefan Füle të martën bëri megjithatë të ditur se konsultimet e tij dyditore me politikanë të lartë nga Bosnje-Hercegovina kishin qenë “thellësisht zhgënjyese”. Për këtë arsye ai i kishte dhënë fund përpjekjeve të tij. Perspektivat për Bosnje-Hercegovinën duken të zymta. Ose do të bëhet e mundur me trysninë e popullit dhe një sforcim shumë të madh një reformë me themel e marrëveshjes së Dejtonit, ose kërcënon shpërbërja e Bosnje-Hercegovinës. Kjo do të ishte pikërisht ajo çka iniciatorët e marrëveshjesh përreth Richard Holbrooke u përpoqën të shmangnin në 1995. (dw)