“Unë nuk e përkraha caktimin e një date për pranimin e tyre në BE”, ka deklaruar kancelarja Angela Merkel, pas samitit të mbajtur në Slloveni. Vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas saj, mund të anëtarësohen atëherë kur i plotësojnë kushtet. Plotësim kushtesh e ndërtim vlerash evropiane ka kërkuar edhe kryeministri Kurti, kur është pyetur për ndarjen e 30 miliardë eurove për vendet e rajonit në shtatë vjetët e ardhshëm. Jo vetëm ai, por edhe të tjerë zyrtarë të BE-së e shohin me shqetësim afërsinë e Serbisë me Rusinë e Kinën
“Nuk duhet të ketë fonde të BE-së, pa vlera të BE-së”, ka thënë ai. “BE-ja nuk duhet të heqë dorë nga natyra e saj transformuese, për atë transaksionale”.
Ndonëse Komisioni Evropian ka aprovuar 30 miliardë euro (35 miliardë dollarë) për shtetet e Ballkanit Perëndimor, që do të shpenzohen përgjatë shtatë vjetëve të ardhshëm, BE-ja nuk ka caktuar një datë të saktë për zgjerimin, gjë që kërkohej nga shtetet aspiruese, si dhe nga disa shtete anëtare. Kjo ka qenë pika, e cila është refuzuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.
“Unë nuk e përkraha caktimin e një date për pranimin e tyre në BE”, ka deklaruar Merkeli, që ka shtuar se anëtarësimi duhet të ndodhë me plotësimin e kushteve.
Ajo e ka bërë të qartë se zgjidhja e ngërçit Kosovë-Serbi nuk është diçka e lehtë, edhe pse palët kanë përparuar, por ende mbetet diçka modeste.
“Nuk është e lehtë zgjidhja e këtij problemi, por janë bërë disa hapa të vegjël në drejtimin e duhur. Procesi i Berlinit ka pasur një efekt vërtet pozitiv në rajon dhe kjo vihet re në bashkëpunimin e këtyre vendeve me njëri-tjetrin. Projekti më i fundit dhe më i ri është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal, edhe pse jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar për çdo detaj. Ne biseduam me Serbinë, Bosnjën dhe Kosovën për kapërcimin e çështjeve dhe problemeve të pazgjidhura”, tha Merkeli.
Kjo ka ngritur shqetësimin që qasja e ngadalshme ndaj zgjerimit të BE-së mund të hapë rrugën për rivalët e bllokut meqenëse disa shtete, përfshirë këtu Serbinë, kanë lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.
“Është shumë e rëndësishme që këtyre shteteve t’iu bëhet e qartë se sa shumë kujdesemi për ta”, u tha të mërkurën gazetarëve presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Ne jemi partneri i preferuar i tyre”.
E kryeministri Kurti ka përsëritur qëndrimin e tij që BE-ja për t’u bërë Evropë duhet të zgjerohet me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Ne duhet të ndërtojmë BE-në në vendet tona, por kemi nevojë për ndihmë nga jashtë”, është shprehur Kurti, ndërsa ka rikujtuar se kanë kaluar tre vjet qëkur Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë.
“Unë inkurajoj liderët skeptikë në BE që të jenë në dijeni për progresin e arritur në Kosovë dhe ta heqin regjimin e vizave për qytetarët tanë”, ka deklaruar Kurti.
koha