Kompania Apple e zgjeroi në mënyrë të konsiderueshme tregun e saj me një kategori të re të artikujve elektronikë, si ora e dorës. Ende nuk është e sigurt nëse me këto produkte Apple do ta ndryshojë rrënjësisht tregun e konsumatorëve, ashtu siç ka bërë më parë me telefonat inteligjent dhe produktet teknologjike. Megjithatë, ekspertët e biznesit thonë se Apple po jep një shembull se si bizneset të ruajnë rëndësinë e tyre.Asnjë kompani nuk mund të krahasohet me Apple, kur bëhet fjalë për ndikimin që ka me prezantimin e një produkti të ri, qoftë mënyra për të paguar për artikuj, një tabletë më elegante apo më e shpejtë, ose një produkt krejt të ri, si ora e dorës Apple. Redaktorja e CNET, Lindsey Turrnentine thotë se kjo kompani nuk ka frikë të rrezikojë.
“Ekziston një farë rreziku që njerëzit të thonë: ‘Unë e kam telefonin, pse më duhet një objekt i ngjashëm që ta mbaj në kyçin e dorës?’ Ekziston gjithashtu rreziku që jetëgjatësia e baterive të jetë problem”.
Por rreziku ja qenë gjithmonë një aspekt i rëndësishëm i novacionit. Disa thonë se presidenti i Apple Tim Cook, ka pasur sukses në periudhën pas Steve Jobs sepse nuk druhet që të sakrifikojë qëndrueshmërinë, për influencë. Kjo është një nga idetë kryesore të librit të ekspertit të biznesit, Kevin Paul Scott.
“Mesazhi i Apple është që ‘ne mund të bëjmë të njëjtën gjë dhe të mbijetojmë, por zgjedhim të rrezikojmë për gjëra të mëdha për të sjellë ndryshim’. Dhe në këtë mënyrë Apple ka vazhduar të sjellë risi”.
Por Scott shton se Apple ka gjithashtu tre faktorë të tjerë në favor.
“Apple gjithmonë ka aftësinë për të befasuar, kështuqë ka vëmendjen tonë. Së dyti,ata nuk dalin shpesh në publik, kështuqë kur dalin, thonë diçka me vlerë dhe së treti janë idhull për shumë njerëz”.
Me çmime që fillojnë nga 350 dollarë deri në 10 mijë dollarë për variantin e artë, gjasat janë që Apple do të shesë miliona orë kur të dalin në treg më 24 prill. Pavarësisht fitimeve në tremujorin e dytë, John Silva, president i Shoqatës Kombëtare për Ekonominë dhe Biznesin, thotë se suksesi i Apple është provë se novacioni sjell fitime edhe në një ekonomi të dobët.
“Do të thotë që novacioni është i fuqishëm përballë pesimizmit të përgjithshëm dhe se përsa i takon nismave sipërmarrëse, ka shumë ndryshime që po ndodhin”.
Vlera e aksioneve të Apple u rrit me rreth 0.5 për qind pas njoftimit. Javën e kaluar, kompania me qendër në Kaliforni, u bë anëtarja e re e Dow Jones Industrial Average, që do të thotë se çdo luhatje në ecurinë e Apple do të reflektohet në indeksin më të rëndësishëm të aksioneve në botë. (voa)