Koment: Nuk është lojë e lehtë për Robin Hoodin

Alexis Tsipras arriti atë që dëshironte. Por pas fitores në zgjedhje të Syrizas, ai hyn në fazën më të vështirë të karrierës së tij politike. Spiros Moskovou parashikon se nuk do të jetë e lehtë për Robin Hoodin grek.Ne as nuk do të provokojmë prishjen me partnerët tanë dhe as nuk do ta vazhdojmë nënshtrimin pa kushte. Me këto fjalë u përpoq ta përmblidhte politikën e tij pak para mesnate, triumfuesi i padiskutueshëm i zgjedhjeve të parakohshme në Greqi, Alexis Tsipras. Aleanca e tij Syriza, para pak vitesh një grupim politik jo me shumë rëndësi, u ngjit në shkallën e një partie popullore përmes votës protestuese të të pakënaqurve. Udhëheqësi i ri popullor e karizmatik, Tsipras nuk e njeh përgjegjësinë politike të qeverisjes së një vendi. Tani ai hyn në fazën më të vështirë të karrierës së tij politike: Si fitues i zgjedhjeve dhe shpresa e një mazhorance ai duhet që ta bëjë realitet retorikën kundër masave të kursimit.
Por nuk ka për të qenë e lehtë për Robin Hoodin grek. Greqia është ende e varur nga injeksionet financiare të trojkës së urryer – të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të Bankës Qendrore Europiane dhe Komisionit Europian. Një përpjekje e para disa muajve për rifinancimin e vendit përmes tregjeve financiare dështoi keqazi. Me fjalë të tjera: Një qeveri e Syrizas as nuk mund ta rrezikojë prishjen me partnerët ndërkombëtarë, pa pasur pasoja fatale në vend. Ajo do të kërkojë rinegociim me qëllim faljen e një pjese të borxheve. Ndryshe Syriza nuk ka shans t’i bëjë realitet premtimet që u ka bërë shtresave të popullsisë greke të rraskapitura nga kriza.

Shërimi ende i pasigurtë
Edhe në vitin e pestë pas falimentimit Dd-facto të Greqisë dhe megjithë ombrellat e hapura të shpëtimit, vendi ende nuk është rimëkëmbur. Sukseset si rritja e prodhimit në vitin 2014, të ardhurat plus në buxhetin shtetërror, një turizëm bombastik – të gjitha këto nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se ekonomia greke ka humbur një të pestën e vëllimit të saj në vitet e fundit. Papunësia është ende në nivele rekord, shtresa të tëra të popullsisë kanë rënë në varfëri për shkak të masave të kursimit jo të menduara mirë e tatimeve shtesë. Mund të thuhet se Greqia po përjeton një modernizim jo- sistematik me kosto sociale të jashtëzakonshme.
Edhe Brukseli nuk duhet të provokojë prishjen me Athinën
Shtyllat e qeverive të koalicionit në vitet e fundit kanë qenë partia konservatore, Nea Dimokratoa e kryeministrit që dështoi në këto zgjedhje, Antonis Samaras bashkë me partinë socialdemokrate, PASOK. Këto janë partitë përgjegjëse për keqmenaxhimin ekonomik dhe korrupsionin e dekadave të fundit. Votuesit i ndëshkuan ato me mosdhënien e votës. Tani Syriza premton të bëjë realitet të pabërën: të luftojë korrupsionin, të ndjekë penalisht evazionin fiskal, të rimëkëmbë sektorin publik. Detyra që për politikën greke janë kthyer në punën e Sizifit. Syriza e freskët, dhe pa përvojë politike në pushtet bëhet gati tani ta zgjidhë nyjen gordiane. Për Greqinë dhe Europën do të ishte me interes nëse edhe partnerët e Brukselit nuk do të provokonin një prishje me pushtetin e ri në Athinë. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>