Kancelarja e ka vendosur: Angela Merkel nuk do të marrë pjesë më 9 Maj në Moskë në paradën me rastin e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Një vendim i vështirë, por i domosdoshëm, mendon Christian F. Trippe.Në fund ishte befasues vetëm çasti kur u mor vendimi: madje edhe bashkëpunëtorët e ngushtë të kancelares prisnin, që Angela Merkel do t’i linte vetes kohë për këtë vendim. Që ajo së pari do të priste të shihte se si do të zhvillohen ngjarjet më tej në Lindje të Ukrainës. Që ajo këtë kartë të bisedimeve me një vlerë jashtëzakonisht të lartë simbolike do ta ruante sa më gjatë të ishte e mundur. Dhe që ajo do t’i peshonte në qetësi të plotë argumentat pro dhe kundër.
“Dita e fitores” ka për Rusinë një rëndësi të jashtëzakonshme. Nuk ka asnjë ditë tjetër feste në Rusi, furia emocionale e së cilës t’i afrohet sado pak asaj që shkakton 9 Maji. Dita e kapitullimit gjerman është një ditë, që për rusët ka domethënie konstitutive – më shumë se dita e Kushtetutës, më serioze se 1 Maji, e pa asnjë mënydshje edhe se të gjitha festat fetare.
Lufta e Dytë Botërore ishte për Rusinë një luftë për ekzistencë
Bashkimi Sovjetik ka luftuar në Luftën e Dytë Botërore për më shumë se sa për fitore a humbje. Rusët kanë luftuar për mbijetesën e tyre si popull, Rusia për mbijetesën si hapësirë kulturore. Edhe sot 70 vjet më pas shoqëria ruse kudo mban gjurmët e kësaj lufte me Gjermaninë naziste, e cila u kushtoi jetën mbi 20 milionë qytetarëve sovjetikë.
Të gjitha këto i di Angela Merkel, të gjitha këto ajo i ka përjetuar vet gjatë udhëtimeve si studente përmes Rusisë. E megjithatë ajo tani e refuzon ftesën, për të shkuar më 9 Maj në festën zyrtare në Moskë. Nuk mund të përjashtohet, që në Sheshin e Kuq të kalojnë në paradë edhe njësi, për të cilat mund të konstatohet, se këto trupa kanë marrë pjesë në luftën e pashpallur të Rusisë në Lindje të Ukrainës apo në goditjen e shpejtë ndaj Krimesë.
Rusia në Luftën e Dytë Botërore është mbrojtur prej fashizmit gjerman. Ky fakt historik dhe rezultati po zhvleftësohen këto ditë prej vet propagandës ruse: e cila agresionin e Moskës kundër Ukrainës gjithashtu e cilëson si ‘luftë kundër fashizmit’ – kësaj here gjoja kundër ‘juntës’ në Kiev. Edhe këto mendime ndoshta kanë luajtur një rol, që Angela Merkel tani e refuzoi ftesën për të dalë në tribunë në Sheshin e Kuq. E meqënëse ra fjala kjo tribunë ndodhet piëkrisht përballë vendit, ku në fund të shkurtit u vra politikani i opozitës Boris Nemcov.
Sot Rusia për shumë është një kërcënim
E megjithatë refuzimi i Merkelit dallon prej refuzimeve të mëdhenjve të tjerë europianë: polakëve, lituanezëve, estonezëve dhe letonezëve, që nuk duan të marrin pjesë në festën e fitores, sepse me avancimin e Ushtrisë së Kuqe për ata nisi koha e re e shtypjes dhe – ajo që është edhe më e rëndësishme – sepse ato sot ndihen të kërcënuar prej politikës neo-imperialiste të Putinit.
Merkel në të kundërt përballet me kujtimin ndaj vuajtjes, që kanë shkaktuar trupat gjermane në Rusi. Një ditë pas festës zyrtare me pompozitet ushtarak, ajo bashkë me Putinin do të vendosë një kurorë në varrin e ushtarit të panjohur në murin e Kremlinit. Një kujtim në heshtje pra atje, ku çdo lloj toni i lartë këto ditë shumë shpejt mund të shkaktojë disharmoni diplomatike. Rusët do të dinë ta vlerësojnë këtë gjest të kancelares gjermane.
Eshtë ende e paqartë, se ç’qendrim do të mbajnë Obama, Cameron dhe Hollande, nëse ata do të shkojnë ose jo në festën e fitores si përfaqësues të aleatëve të dikurshëm të Bashkimit Sovjetik. Në të kundërt është e qartë, se diktatori koerano-verior Kim Yong-un do të shkojë në paradë. Se ç’kërkon ai atje, kjo mbetet një enigmë. Angela Merkelit tani nuk i duhet më ta zgjidhë këtë. (dw)