Presidenti amerikan Barack Obama deklaroi sot se çdo pretendim nga grupet terroriste se vendet perëndimore janë duke zhvilluar luftë kundër Islamit, është një “gënjeshtër e shëmtuar”.Në fjalimin që mbajti të enjten në Uashington në takimin e organizuar nga Shtëpia e Bardhë mbi përpjekjen ndërkombëtare kundër terrorizmit, zoti Obama u zotua për një luftë të papajtueshme kundër Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera terroriste. Ai e hodhi poshtë idenë se vendet perëndimore të krishtera dhe shteti hebraik janë duke zhvilluar luftë kundër myslimanëve.
Zoti Obama tha se qeveritë dhe kulturat e ndryshme të botës duhet të përpiqen që t’u jepet fund konflikteve sektare, siç është ai mes sunive dhe shiitëve në botën myslimane. “Por udhëheqësit botërorë, – tha ai, – duhet t’i ndihmojnë njerëzit që t’u shpëtojnë varfërisë dhe shtypjes, për të cilat ai tha se i shërbejnë përpjekjeve për rekrutimin e terroristëve”.
Presidenti tha se të rinjve në mbarë botën “ua mësojnë urrejtjen” dhe se “jemi ne të rriturit që i mësojmë ata”, – tha Presidenti.
Zoti Obama e mbajti fjalimin në Takimin e organizuar nga Shtëpia e Bardhë për t’iu kundërvënë ekstremizmit të dhunshëm, pas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon. Takimi u mbajt në Departamentin amerikan të Shtetit.
Udhëheqësi i OKB-së i cilësoi veprimet e dhunshme të Shtetit Islamik dhe të grupit Boko Haram “një kërcënim i rëndë ndaj paqes dhe sigurisë botërore”, por shtoi ai, “qeveritë në mbarë botën janë ato që duhen dënuar shpesh se ushqejnë apelin e grupeve terroriste drejt tiranizimit”. “Dhuna, korrupsioni dhe padrejtësitë shërbejnë si fole për krijimin e pakënaqësive”, – tha zoti Ban.
Zoti Ban i tha zyrtarëve të mbi 60 vendeve të botës se “parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe nxitja e të drejtave të njeriut janë të pandara”, por se “lufta kundër terrorizmit nuk mund të përdoret si një mënyrë për t’i bërë të heshtin kritikët e udhëheqësve të veçantë”. (voa)