Pilzen në Çeki është kryeqytet kulturor i Europës për vitin 2015 por çfarë e bën këtë qytet kaq të veçantë? Metropoli i katërt më i madh i Çekisë ka më shumë për të ofruar se birra karakteristike.Orkestra e Filarmonisë së qytetit Pilsen hapi siparin e programit të kryeqytetit kulturor 2015. Rreth 600 aktivitete janë pjesë e kalendarit kulturor të qytetit çek – teatër, koncerte, ekspozita, evente Open-Air, cirk dhe shumë e shumë organizime për të treguar thesaret e vërteta të qytetit Plzen që këtë vit mban kurorën e kryeqytetit kulturor europian. Megjithë sloganin- karrem për turistët – “Pilzen pa birrë është si Parisi pa kullën Eifel”, Plzen ka më shumë për të ofruar se birra karakteristike.
Titullin e kryeqytetit të kulturës 2015, qyteti çek e ndan me një qytet tjetër në Europë, Monsin tradicional në Belgjikë. Nderimin për këtë kurorë e jep BE, por shpenzimet kryesore për aktivitetet kulturore duhet t’i marrin përsipër vetë qytetet. Kundrejt Mons-it në Belgjikë që shpenzon 70 milionë euro për këtë nderim, Pilzen në Çeki është më modest. Buxheti i këtij kryeqyteti të kulturës është 20 milionë euro. Megjithatë të gjithë janë të bindur se ky është një investim në të ardhmen.
I pasur në histori
Pilzen është aktualisht nën hijen e Pragës, 120 kilometra në lindje, megjithëse edhe ky qytet ofron shumë histori: kisha të vjetra dhe një sërë muzeumesh. I themeluar në vitin 1295 me porosi të mbretit Wenzel II, qyteti duhej të kthehej në një nga zonat më të famshme të Bohemisë. 700 vite më vonë pjesa historike e qytetit me shtëpitë karakteristike të art nouveau u shpall monument kulture. Në sheshin e Republikës qëndron katedraja e Shën Bartolemeut. Me lartësinë 102 metra ajo është katedralja më e lartë e Çekisë. Edhe Sinagoga e Madhe është magnet për turistët, ajo është sinagoga e dytë më e madhe e Europës dhe dëshmia e gurtë e një epoke lulëzimi të komunitetit hebraik në Pilzen. Gjatë holokaustit shumë hebrenj të Pilzenit ranë viktimë e çmendurisë racore të nazistëve, një humbje e madhe për qytetin dhe kulturën e tij. Këto akte mizore do të kujtohen në maj në “Festën e Çlirimit” – 70 vjet pas Luftës së Dytë Botërore.
Thesare të fshehura dhe apps
Disa atraksione turistike të këtij qyteti veçse flenë në nëntokë. Kështu poshtë qytetit gjendet një tunel 10 kilometra i gjatë nga shekulli i 14-të, por edhe thesarë tjerë kulturorë nuk gjenden aq lehtë. Një grup historianësh dhe dëshmitarësh të kohës kanë krijuar për këtë “hartën e qytetit të fshehur”. Qindra histori mund të zbulosh në këtë mënyrë në vende konkrete.
Por Pilzen përpiqet të përdorë edhe teknikat e reja: Kështu në internet apo përmes një app në celular mund të shohësh historitë e nëntë karaktereve fiktive nga Plzen, mekanikun Jarda për shembull. Sepse Pilzen ka qenë dikur qendra e prodhimit të automjeteve Skoda. “Kjo është një mënyrë e re për të njohur qytetin”, thotë Petr Forman, drejtor artistik i kryeqytetit kulturor.
Ndërsa miqtë e arkitekturës mund të kërkojnë gjurmët e arkitektit Adolf Loos (1870-1933) përmes një plani interaktiv; shumë nga banesat private të ngritura nga arkitekti i njohur, janë hapur tani për publikun.”Në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, ai ka qenë pionieri i arkitekturës moderne” thotë Magdalena Suoukupova nga Qendra e Turizmit. “Por askush nuk e di se shumica e punimeve të tij – me përjashtim të Vjenës – mund të shihen këtu në Pilzen.”
Teknika dhe teatri
Nga hapësirat moderne deri tek hollet e fabrikave të rrënuara: Të gjitha ambientet transformohen gjatë vitit 2015 në skena origjinale për aktivitetet kulturore. Një nga repartet e prodhimit të birrarisë Pilzner do të ofrojë ekspozitën “Dizajn europian”. Ndërsa ish-repartet e prodhimit të Skodës do të kthehen në një laborator të “Techmania Science Center” dhe do të ofrojnë një ekspozitë tredimensionale “3D Planetarium”. Nga shtatori 2014 Plzen ka dy skena teatri. “Teatri i madh” i hapur për herë të parë në vitin 1902, një nga monumentet kulturore të qytetit dhe “Teatri i ri Josef Kajetan Tyl”. Sipas drejtorit të programit Petr Forman “ne duam të entuziazmojmë njerëzit që zakonisht nuk shkojnë në teatër apo koncerte.”
Pilzen paraqitet i pazakontë- jo vetëm në aktivitetet që ofron, por edhe në stemën e qytetit, ku shumë vizitorë habiten kur shohin aty simbolin e një deveje. Deveja që zbukuron stemën e qytetit ka qenë një dhuratë e mbretit polak për husitët çekë, të cilët e ndihmuan atë në luftën kundër turqve. Edhe me devenë qyteti lidh historinë e tij. Pilzen – qyteti kulturor i Europës 2015 ka shumë për të ofruar. (dw)