Renzi i sigurtë në timon

Një vit pas marrjes së pushtetit, kryeministri i Italisë, Matteo Renzi ka pak arsye që të ketë frikë nga opozita – por ndoshta duhet të ketë frikë nga partnerët e tij politikë. Një vështrim në një karrierën të rrufeshme.Tri vjet të shkuara unë ndodhesha në zyrën madhështore të Matteo Renzi-t, në Palazzo Vecchio në Firence. 37 vjeçari ishte atëherë kryetar i bashkisë së Firences. Në këtë kohë, borxhi i Italisë kërcënonte që ta destabilizonte plotësisht euron. Silvio Berluskoni sapo kishte lënë në mënyrë të palavdishme postin e kryeministrit dhe pasardhësi i tij Mario Monti kishte ndërtuar një qeveri teknokratësh.
“Që ne jemi në situatën në të cilën jemi, nuk ka të bëjë me faktin se i kemi humbur gjenialitetin dhe aftësinë tonë krijuese italiane”, më tha atëherë Renzi me anglishten e tij jo krejt të rrjedhshme, “por politikanët italianë për fat të keq nuk janë drejtuar nga vizionet, por nga ndasitë. Kjo është pika me rëndësi vendimtare”.
Karrierë e rrufeshme
Më pak se dy vjet më vonë, në dhjetor 2013, Renzi arriti që ta bënte Partinë Demokratike (Partito Democratico) ta zgjidhte atë kryetar, me gjithë kundërshtitë. Shumë shpejt ai i bëri presion kryeministrit tjetër kalimtar, shokut të partisë së tij, Enrico Letta. Letta dha më në fund dorëheqjen, dhe në shkurt 2014 Renzi qe në gjendje ta merrte vetë drejtimin e qeverisë.
Megjithëse vizionet e Renzit për një Itali të re nuk ishin vërtet të reja – as reforma e tij e kushtetutës, as ajo për ligjin elektoral, as reforma e tregut të punës – ai e shiti atë megjithatë me dinamikë të madhe si të tillë. Një gjë të tillë, koalicioni mes-i majtë i përfshirë nga grindjet nuk e kishte përjetuar: në një peizazh politik, të cilin deri atëherë e patën formësuar burra të moshuar, Renzi ngriti një nga kabinetet më të reja politike të Evropës, gjysma e të cilit përbëhej nga gratë. Dhe ai u mor vesh me të vetmen forcë të vërtetë opozitare në Itali – me Forza Italia-n e Silvio Berluskonit. Me këtë ai arriti që një shumicë e senatit të votonte për një ligj të ri elektoral, i cili shpresohet se do të sjellë stabilitet më të madh politik në të ardhmen.

Politikan postmodernist
Leonardo Morlino, profesor i politologjisë në Universitetin Luiss në Romë është i impresionuar nga Renzi. Puna e tij duhet vlerësuar, po të kesh parasysh se sa e fortë është në Italinë e pas 1945-ës fryma e mosmarrëveshjeve politike dhe e mosbesimit midis partive. Renzi qendron në pushtet dhe popullariteti i tij rritet tek partitë e majta dhe të djathta. “Nuk duhet të harrojmë se Italia ka përjetuar thuajse për 20 vjet një stanjacion politik”, thotë Morlino. Renzi ka ardhur “me vullnet, energji dhe me ide dhe kërkon ta ndryshojë demokracinë e Italisë. Po të flasim hapur dhe të heqim syzen partiake, duhet të pranojmë se me siguri do të duhen kohë, derisa t’i shohim rezultatet.”
Massimiliano Panarari, ekspert i komunikimit politik dhe autor kronikash thotë se Renzi është një revolucion politik për Italinë, ndonëse atij do t’i duhet shumë kohë t’i arrijë ato që thotë. Ai është një politikan postmodernist, thotë Panarari, një “paradigmë për çdo udhëheqje politike pas tij” – një njeri me aftësinë, që ta përkapë shpejt vullnetin e italianëve dhe të politikës italiane” dhe ta orientojë mbi këtë bazë agjendën e tij politike. Autori i kronikave lëvdon veç kësaj reformën e taksave të Renzit si një lëvizje të zgjuar. Përmes saj, personat me të ardhura të pakta kanë 80 euro më shumë në muaj në portofolet e tyre.
Panarari thotë se në Partito Democratico, në forcën e vetme stabile politike në vend, ka konflikte të brendshme. Këto konflikte në rritje mund të bëhen një ditë të vetmet armike të vërteta politike për Renzin. Nëse stili i drejtimit të Renzit i bën mirë vendit, për këtë ai ka dyshim. “Me stilin e Cezarit” e drejton Renzi Italinë, thotë Panarari. Këtë javë, Renzi mbajti në parlament mbledhje të gjata pa pushim, për t’u pamundësuar deputetëve që të përpunonin ndryshime për reformën e kushtetutës që ka planifikuar ai. Projekti përmban ndër të tjera që senati i tejfryrë të shndërrohet në një dhomë më të vogël, me fuqi më të dobëta ligjvënëse. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>