Ai që demokratizoi dijen: në përvjetorin e 550-të të Johannes Gutenbergut

Me shpikjen prej tij të shtypshkronjës ai konsiderohet si ati i komunikimit masiv. Por a ka qenë vërtet ai i pari që shtypi libra? Edhe 550 vjet pas vdekjes së Gutenbergut, shumë çështje mbeten pa përgjigje.

“Të gjithë e njohin Johannes Gutenbergun, megjithëse për të thuajse nuk dihet asgjë”, thotë zëvendësdrejtorja e muzeut Gutenberg në Mainz, Elke Schutt-Kehm. Kjo nis që me ditën e tij të lindjes dhe përfundon me datën e vdekjes, me të cilën ka lidhje përkujtimi i sivjetshëm i 550 të vdekjes së Gutenbergut. Vetëm kaq dihet: Johannes Gutenberg është shpikësi i shtypjes së librave me gërma të lëvizshme metali dhe me këtë ai kontribuoi në mënyrë vendimtare në suksesin e Reformacionit. Për këtë gazetarët amerikanë e zgjodhën atë “njeriun e mijëvjeçarit”.

Ai lindi rreth vitit 1400. Ndoshta në Mainz, por ndoshta edhe në Eltville në anën tjetër të Rinit në Rheingau. Ai vinte nga familja e pasur tregtare Gensfleisch. Më vonë ai e ndryshoi emrin e lindjes, siç ishte moda atëherë, dhe mori emrin e rezidencës së familjes “Hof zum Gutenberg”.

Përgatitje në Strasburg

Ndoshta Johannes Gutenbergu studioi në Erfurt. Këtë e tregon një shënim në regjistrat e Universitetit. Rreth vitit 1428 familja Gensfleisch u largua nga Mainzi për shkak të konflikteve midis familjeve drejtuese të qytetit. Se ku qendroi pas kësaj Gutenbergu, nuk është dokumentuar. Qëndrimi i tij dokumentohet sërish në vitin 1434 në Strasburg.

Në këtë qytet, që sot është qytet francez, atij ju ofruan mundësi të shumta fitimi. Gutenbergu punoi atje ndër të tjera në zejet e monedhave dhe të argjendarisë, themeloi një shoqëri financimi dhe prodhoi objekte për t’i marrë me vete në pelegrinazhe. Ai kaloi atje gjithsej dhjetë vjet.

Suksesi në Mainz

Pasi u kthye në Mainz ai vazhdoi punën për shtypjen e librave me ndihmën e tregtarit Johannes Fust dhe të shkruesit Peter Schöffer. Midis 1452 dhe 1454 puna përfundoi: u prodhuan gërmat e tij metalike të lëvizshme. Dhe meqenëse Guttenbergu qe mekanik i aftë dhe njëkohësisht sipërmarrës që i hynte rrezikut, ai ndërtoi për to edhe shtypshkronjën manuale me levë. Për shekuj të tërë librat qenë shkruar me mundim me shkrim dore, shumicën e herëve në dhomat e shkrimit të manastireve. Vetëm kleri dhe shtresa e lartë mund t’i blenin ato produkte të shtrenjta – pa folur për leximin. Kurse tani gërmat mund të shtoheshin si dëshiroje, fjalë dhe fjali të tëra mund të hidheshin në faqe – dhe e gjitha të riprodhohej sa herë të doje. Një shpikje që e revolucionarizoi shkëmbimin e dijes dhe solli ide të reja në popull me tirazh të lartë – për kushtet e Mesjetës.

Në vitin 1450 mjeshtri ndërmori punën më ambicioze të tij: brenda dy vjetësh ai shtypi me ndihmën e 20 të punësuarve të tij 180 kopje të Biblës së Luterit. Bibla është jo vetëm vepra e parë, por edhe libri më i bukur, që është shtypur ndonjëherë, mendon Elke Schutt-Kehm.

Teknika e Gutenbergut u shpërnda tepër shpejt. Në vitin 1500 shtypshkronja në të gjithë Evropën prodhonin jo vetëm vepra dijetarësh, por edhe shkrime denigruese kundër tregtisë së çertifikatave të faljes së mëkateve. Rreth 100 vjet më vonë u shfaq gazeta e parë.

Model Azia?

Po a ishte Gutenbergu i pari që e mundësoi shtypjen e librit? Përgjigja është: jo. Shtypja e librave me gërma të këmbyeshme qe shpikur që në shekullin e 11-të në Kinë dhe qe përhapur në shekullin e 13-të edhe në Kore. Por në një kohë kur në Azi gërmat gdhendeshin me procese të derdhjes së dyllit ose gdhendeshin në dru, Gutenbergu shpiku një teknikë krejt të vetën me një instrument që pikonte bojën dhe me një shtypshkronjë me levë. Ai është “i pari që konceptoi një prodhim serial të pjesëve të veçanta të standardizuara”, thotë Schutt-Kehm. Kjo ishte një metodë e re dhe një hap shumë i madh në historinë e teknikës. Në 3 tetor në Mainz dhe jo vetëm aty kremtohet 550 vjetori i ditës së vdekjes së pionerit të mediave – edhe nëse shkencërisht për 03.02.1486 si datë të vdekjes ka diskutime e mendime që e kundërshtojnë. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>