Bleta e Perëndimit u soll në Shtetet e Bashkuara shumë kohë më parë, ngaqë ajo është një lloj blete që prodhon shumë mjaltë. Por ajo është njëkohësisht një pjalmues i shkëlqyer. Që nga ajo kohë, këto insekte të importuara kanë patur rol të rëndësishëm në prodhimin e mjaltit në Shtetet e Bashkuara. Ato shumëzohen në miliona dhe dërgohen nëpër koshere, në mbarë vendin për të pjalmuar thuajse gjithshka, nga lulet e bajames e deri tek ato të brokolit. Por e gjithë kjo punë e vështirë në fakt po shkakton shfarosjen e bletëve familjare. Shkencëtarët e quajnë këtë “Çrregullimi i Shembjes së Kolonive”. Për të ndihmuar në moslejimin e këtij problemi qytetarë të shqetësuar janë duke rritur bletë kudo që munden, përfshirë qytetet.
Në vitin 2015, Çrregullimi i Shembjes së Kolonive shfarosi rreth 44 për qind të bletëve shtëpiake. Kjo është një shifër e madhe, pasi këto insekte pjalmuese prodhojnë një sasi të konsiderueshme të mjaltit që ne hamë.
Por Bleta e Perëndimit nuk kërcënohet kudo. Është për t’u çuditur fakti, që disa koloni të tyre janë duke lulëzuar nëpër qytete:
“Në Uashington DC, ne kemi një kurorë drurësh të gjelbër dhe një nga ushqyesit kryesorë për bletën është poleni dhe nektari i pemëve.”
Bletërritësi nga Uashingtoni Jeff Miller thotë se qytetet mund të jenë një vend i shkëlqyer pjalmimi, krahasuar me zonat më rurale.
Lëndinat me bar dhe të mbjellat, si misri apo soja, nuk janë të mira për pjalmimin e bletëve në zonat periferike, apo nëpër fshatra.
Prandaj, ai shfrytëzoi kurorën e gjelbër të Uashingtonit dhe krijoi firmën “Bletët e Uashingtonit”, që i ka ardhur në ndihmë më tepër se 300 banorëve, për të patur kosheret e tyre në taracë apo oborrin e shtëpisë.
“Nëpër qytete ka një mungesë pjalmuesish. Mungojnë ata natyralë.”- thotë ai.
Miller thotë se një koshere qyteti mund të prodhojë mbi 45 kilogramë mjaltë, ndërsa kosheret e fshatrave prodhojnë më pak se gjysmën.
Një tjetër përfitim, janë kopshtet e lulëzuara të qyteteve.
“Unë kam parë përfitime të konsiderueshme nga këto kopshte. Luleshtrydhet për shembull prodhojnë shumë fruta“, – thotë Miller.
Por, disa qindra koshere qyteti nuk janë zgjidhja për çështjen madhore të Çrregullimit të Shembjes së Kolonive, që shtohet nga stresi, pesticidet dhe parazitët. Por, zoti Miller thotë se Bleta e Perëndimit mund të zhvillohet shumë në kushtet e duhura.
“Ne kemi ndihmuar 300 persona në 7 vitet e fundit. Por, kjo nuk mjafton. Ne nuk mund ta zgjidhim problemin, por thjesht donim të rrisnim ndërgjegjësimin e njerëzve,”- thotë Jeff.
…Dhe ky ndërgjegjësim ka krijuar një gumëzhimë të shëndetshme për bletët e qytetit. (voa)