Një sulmues i panjohur e ka plagosur në kokë zëvendës kryetarin e qarkut Sisli të Stambollit, raporton sot Reuters duke u mbështetur në të dhënat e televizionit turk, NTV.
Zyrtari i plagosur raportohet të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nuk është e qartë ende nëse incidenti ka lidhje me grusht shtetin e dështuar të të premtës gjatë të cilit u vranë mbi 200 persona.
Tensioni në Turqi mbetët i lartë, ndonëse qeveria thotë se e ka situatën në tërësi nën kontroll.
Televizioni turk, NTV raporton se sulmuesi ka hyrë në zyrën e Cemil Candas, dhe pas kësaj janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Partia kryesore opozitare e Turqisë, Partia Republika e Popullit (CHP) e udhëheqë qarkun Sisli.
Grusht shtetin e dështuar e kanë dënuar të gjitha partitë opozitare, përfshirë edhe CHP. (rel)