Gratë myslimane në Austri u detyruan nga policia të hiqnin perçet, pas hyrjes në fuqi të një ligji që ndalon mbulimin e fytyrës. Ligji ka nxitur reagimet e aktivistëve myslimanë të të drejtave të njeriut në Austri.
Ligji që hyri në fuqi të dielën ndalon përdorimin e maskave të skive në rezortet dimërore, maskat kirurgjike jashtë spitaleve dhe maskat festive në publik.
Ligji, i ngjashëm me atë në Francë dhe Belgjikë, vlen edhe për vizitorët, duke përfshirë edhe numrin e madh të turistëve arabë që pushojnë në alpet austriake.
Grupet myslimane e kanë dënuar ligjin, duke thënë se vetëm një pakicë e vogël e myslimanëve austriakë veshin perçe që mbulojnë gjithë fytyrën.
“Gratë duhet të kenë lirinë që të vishen si të duan. Ka shumë gra që nuk e kanë këtë liri dhe detyrohen të vishen në mënyrë të caktuar. Megjithatë, unë mendoj se kjo nuk është përgjigja e duhur. Ne duhet t’i fuqizojmë gratë e jo t’ua heqim liritë dhe të drejtën për t’u veshur si të duan. Pra, ne duhet t’i fuqizojmë ato.”
Përdorimi i perçes vazhdon të jetë i rrallë në Austri, pavarësisht rritjes së numrit të emigrantëve dhe refugjatëve në Evropë në vitin 2015, por ato janë në shënjestër të grupeve dhe partive politike të krahut të djathtë.
Ata që shkelin ligjin do të përballen me një gjobë prej rreth 180 dollarësh. Policia është e autorizuar të përdorë forcën, nëse është e nevojshme, kundër atyre që rezistojnë.
Qeveria thotë se ligji, i cili thotë se fytyra duhet të jetë e zbuluar nga flokët deri tek mjekrra, ka të bëjë me mbrojtjen e vlerave austriake. (voa)