Policia gjermane është angazhuar në një kërkim të organizuar për të gjetur të dyshuarin rreth sulmit me kamion të ditës së hënë.
Një urdhër arresti i lëshuar të mërkurën përmend emrin e tunizianit Anis Amri, i cili ka lindur në qytetin e Ghazës në Tunizi. Njoftimi thotë se ai ka përdorur të paktën gjashtë pseudonime të ndryshme dhe tri kombësi të ndryshme në të kaluarën dhe konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm.
Autoritetet gjermane kanë lëshuar edhe dy foto të të dyshuarit dhe e përshkruajnë atë si me gjatësi dhe peshë mesatare, me flokë të zeza dhe sy kafe.
Policia aktualisht po kërkon për të në të gjithë Gjermaninë dhe në të gjithë shtetet e Zonës Shengen në Evropës. Një burrë tjetër, një pakistanez i cili ishte arrestuar pas sulmit, u lirua për shkak të mungesës së provave.
Pas një konferencë të mërkurën, Ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere tha se policia e kishte identifikuar Anis Amrin si të dyshuar të ri, por theksoi se “ai është një i dyshuar, por jo domosdoshmërisht autori i sulmit”.
Pavarësisht se de Maiziere nuk pranoi të konfirmojë apo mohojë raportet e mediave rreth lidhjeve të Anis Amrit me grupet ekstremiste islamike, Stephan Mayer, një ligjvënës konservator, tha se Amri ka qenë nën mbikqyrje për disa kohë. (voa)