Presidenti Joe Biden përshëndeti kërkesën zyrtare të Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n ndërsa udhëheqësit e vendeve evropiane shumë neutrale, vizituan Shtëpinë e Bardhë. Të dy vendet po lëvizin me shpejtësi në përpjekje për t’u bashkuar me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut në përgjigje të sulmit rus ndaj Ukrainës. Presidenti Biden përshëndeti kryeministren Magdalena Andersson të Suedisë dhe Presidentin Sauli Niinistö të Finlandës ndërsa të tre u takuan për biseda mbi paktin e mbrojtjes reciproke të NATO-s si dhe shqetësimet më të gjera të sigurisë evropiane. Administrata e tij ka shprehur optimizëm për ofertën e tyre për t’u bashkuar me aleancën pavarësisht kundërshtimit të vazhdueshëm nga Turqia.
“Sot jam krenar të mirëpres dhe të ofroj mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për kërkesat e dy demokracive të mëdha dhe dy partnerëve të ngushtë, shumë të aftë për t’u bashkuar me aleancën më të fortë, më të fuqishme mbrojtëse në historinë e botës”, tha presidenti Biden pasi shoqëroi të dy udhëheqësit në Kopshtin e Trëndafilave.
Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar që aleanca të ndalojë zgjerimin drejt kufijve të Rusisë dhe disa aleatë të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, kanë sinjalizuar se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje sigurie për Finlandën dhe Suedinë nëse Kremlini përpiqet të provokojë ose destabilizojë këto vende gjatë kohës që duhet për t’u bërë anëtare me të drejta të plota. Presidenti Putin përmendi aspiratat e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n si një arsye për sulmin e tij ndaj atij vendi.
“Anëtarët e rinj që anëtarësohen në NATO nuk janë kërcënim për asnjë komb”, tha presidenti Biden duke refuzuar tërthorazi argumentin e presidentit Putin. “Asnjëherë nuk ka qenë”. Presidenti Biden shtoi se SHBA-të dhe aleatët do të “frenojnë dhe përballen me çdo agresion ndërsa Finlanda dhe Suedia janë në këtë proces pranimi”.
Optimizmi i udhëheqësve ndaj kërkesave të Suedisë dhe Finlandës ishte në kontrast me kundërshtimin e vazhdueshëm nga Turqia, presidenti i së cilës Rexhep Tajip Erdogan tha në një video të enjten se ai mbetet kundër anëtarësimit të tyre. Secili nga 30 vendet anëtare të NATO-s ka fuqinë për të vënë veton ndaj një oferte anëtarësimi.
“Ne u kemi thënë miqve tanë përkatës se do t’i thoshim ‘JO’ hyrjes së Finlandës dhe Suedisë në NATO dhe ne do të vazhdojmë me këtë pozicion në rrugën tonë”, i tha zoti Erdogan një grupi të rinjsh turq.
Presidenti Erdogan ka thënë se kundërshtimi i Turqisë rrjedh nga shqetësimet ndaj Suedisë – dhe në një shkallë më të vogël mbështetjes së Finlandës ndaj Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK-së, dhe një grupi të armatosur në Siri që Turqia e sheh si një zgjatim të PKK-së. Konflikti me PKK-në ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz që nga viti 1984.
Turqia gjithashtu akuzon Suedinë dhe Finlandën se strehon ndjekësit e Fethullah Gulenit, një klerik mysliman me bazë së SHBA që qeveria turke e fajëson për përpjekjen për grusht shteti në vitin 2016.
Kundërshtimet i bëjnë jehonë ankesave të vazhdueshme turke për mbështetjen edhe më të madhe të SHBA-së për kurdët, si dhe praninë e Gylenit në Amerikë.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Finlandës tha: “Ne jemi të hapur për të diskutuar të gjitha shqetësimet që Turqia mund të ketë në lidhje me anëtarësimin tonë në mënyrë të hapur dhe konstruktive”.
Ai shtoi: “Ne e marrim seriozisht terrorizmin. Ne e dënojmë terrorizmin në të gjitha format e tij dhe jemi aktivisht të angazhuar në luftimin e tij”.
Kryeministrja Andersson e Suedisë tha se vendi i saj po i drejtohej gjithashtu Turqisë dhe vendeve të tjera të NATO-s, “për të zgjidhur çdo çështje”.
“Unë mendoj se do të jemi në pozita të mira,” tha presidenti Biden të mërkurën kur u pyet nëse ishte i sigurt se mund të siguronte hyrjen e tyre në NATO.
Ndërsa kanë qënë neutrale gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, Finlanda dhe Suedia tani bashkëpunojnë ngushtë me NATO-n. Vendet do të përfitojnë nga garancia e sigurisë e Nenit 5 të NATO-s – pjesa e traktatit themelues të aleancës që zotohet se çdo sulm ndaj një anëtari do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve – pasi të përfundojë procesi i ratifikimit të anëtarësimit. Opinioni publik në Finlandë dhe Suedi është zhvendosur masivisht në favor të anëtarësimit që kur Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt.
voa